19.8 C
Prizren
E diel, 8 Shtator, 2024

Naimi, misionar i vërtetë i çështjes shqiptare

NaimFrasheri5-25Vepra e Naimit është e kohshme edhe në shekullin që kemi hyrë. Ajo na mëson se si të punojmë, si të sillemi me çështjet e kombit, si ta njohim të djeshmen, si na i paraqitën tiparet e karakteret të tjerët – sidomos serbët, që nuk kursyen asnjë gënjeshtër për të na paraqitur sa më të papërshtatshëm e të paqytetëruar.

Duhet ditur se në veprat e Naimit mund të gjenden pak elemente të romantizmit evropian. Nga studiuesit e veprës së Naimit me të drejtë thuhet se “Dashuria për atdhe e komb, vlerësimi i lartë i vendit e i popullit të vet, për Naimin erdhi dhe u shtua edhe më tepër, kur rrethanat politike atë e detyruan të largohej, duke mërguar jashtë atdheut”.

Çështjet për të cilat shkruan Naimi, konvergjojnë plotësisht me çështjet më madhore të kohës – me Shqipërinë dhe shqiptarinë. Duke lexuar veprat e Naimit, kuptojmë se ai mbetet ndër figurat e mëdha të letërsisë dhe kulturës shqiptare. Fryma e gjallë e atdhedashurisë, lidhja shpirtërore dhe ndjenjore e poetit me dheun e të parëve dhe brengat e tij për kohët që do të vijnë, përbëjnë boshtin kryesor të temave dhe motiveve të trajtuara në veprat artistike të poetit.

Duhet kuptuar pa hamendësime se vepra e Naimit ka ndikuar në masë të mirë në formimin e ndërgjegjes e të vetëdijes së shqiptarëve në harkun kohor dje dhe, pse jo, edhe ne harkun kohor sot.

Poeti në të gjitha veprat e shkruara, qofshin për fëmijë, qofshin për të rriturit, si dhe në veprat që objekt trajtimi kanë figurat zulmëmëdha të historisë kombëtare, trajton probleme e çështje të mprehta që lidheshin me fatin e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar.

Vërtet Naimi tregoi mençuri në kohën e tij dhe veprat e tij në tërësi bartin botën shpirtërore dhe mendore të kohës. Veprat e tij i përshkon natyrshmëria dhe spontaniteti i shprehjes së ndjenjës dhe mendimit.

Misionar i vërtetë i çështjes shqiptare

Me përdorimin e fjalëve të bukura, Naimi arriti ta lartësojë Shqipërinë. Ai gjithherë u dëshmua misionar i vërtetë i çështjes shqiptare, ekzistencës së shqiptarëve në kohë dhe hapësirë. Po t’i analizojmë me vëmendje e me një përqendrim logjik veprat e Naimit, do të mësojmë se poeti tregohet një figurë jo e zakonshme. Naimi bëhet jo i zakonshëm, se bebëzat e tij shikojnë larg në çështjet më të domosdoshme të atdheut dhe kombit. Ai e dinte mirë se shqiptarët ishin popull i munduar nga pushtuesit dhe shi për këtë shprehte një lloj shqetësimi pse shqiptarët bënë shumë për të tjerët, ndërsa për vete fare pak.

Në të vërtetë, çështjet e artit, të gjuhës, të kulturës, të gjenezës së shqiptarëve, të feve, të traditës, të historisë dhe të figurave emblematike kombëtare, si shumë rilindës, edhe Naimi i ka shtruar drejt e me të dhëna të bollshme. Duke i pare këto vlera e këtë fuqi mendore të Naimit –Eqrem Çabej nxjerr konstatimin se Naimi nuk duhet parë, vlerësuar e studiuar vetëm në profilin e poetit, vetëm në rrafshin e një këngëtari që kultivoi një stil të veçantë në veprat artistike, por do të duhej parë si figurë e si artist me një mendjehollësi tepër të zhvilluar e të rëndësishme për letërsinë shqipe në përgjithësi.

Naimi qe i veçantë edhe në trajtimin e temës së bamirësisë. Këtë ide ai e lidh me çështjen kombëtare e shoqërore. Duke i lexuar veprat: “Vjersha për mësonjëtoret e para”, “Parajsa dhe fjala fluturake”, “Mësime”, “Katër stinët” dhe “Dëshir’ e vërtet e shqiptarëve” – kuptojmë horizontin e gjerë, mençurinë dhe largpamësinë e Naimit. Bota e fëmijëve, detajet që lidhen ngushtë me idenë e bamirësisë, vlerat kuptimore të kësaj ideje – të gjitha këto e bëjnë poetin sa të dashur aq edhe të përzemërt. E mira dhe e keqja në vargjet e Naimit nuk janë vetëm kategori kombëtare, por janë edhe kozmike. Ç’është e vërteta, Naimi fëmijët i përfytyronte si shembuj të virtyteve e të bukurisë morale dhe fizike. Naimi, edhe përmes idesë së bamirësisë ka shprehur një vrull shpirtëror, ka rrokur në pasqyrim botën e të vegjëlve në një plan të gjerë.

Duke i pasur parasysh këto vlera që ngërthejnë veprat e Naimit – me arsye të shëndoshë është konstatuar se “Naimi është Shqipëria me ndërgjegjen e saj, me dashurinë e madhe për lirinë, për bukurinë dhe harmoninë e jetës së kombit” (Dalan Shapllo, Poezia nëpër kohë, Tiranë, 1990, f. 63).

Vepra e Naimit, me përmbajtjen e vet, nga shumë shqiptarë u mësua përmendsh, si Bagëti e Bujqësi e Lulet e verës. Çdo lexues i vëmendshëm, në veprat e Naimit do të gjejë jo vetëm rezonancën e shpirtit të vet, por do të bëhet si njësh me poetin dhe me mësimet, me ndjenjat dhe me botën e madhe shpirtërore të tij.

Në poezinë “Fjalët e qiririt” Naimi shkruan vargjet e vetëflijimit në emër të diçkaje të madhe e sublime. Dhembja e Naimit, njëkohësisht është dhembja e popullit të tij. Naimi në veprat artistike e konkretizon rolin që duhet ta ushtrojë një poet në mesin e popullit të vet. Sipas Naimit, vjershëtori, para së gjithash, është mësues që porsi qiriu duhet të digjet e të përvëlohet – vetëm e vetëm që t’i ndrisë, t’i ndriçojë dhe t’i arsimojë bashkëkombësit. Naimi në të vërtetë gjithandej veprave sjell porosinë që poeti duhet të sakrifikohet për qëllime të larta njerëzore e morale.

Ai është i shqetësuar shumë nëse mendimet e tij kanë ruajtur apo jo koherencën. Duke i pasur parasysh këto vlera të shumta të veprave të poetit -studiuesit me të drejtë thonë se një poet –vjershëtor, do të jetë i pavdekshëm, do të mbetet i përjetshëm, vetëm nëse me idetë, me porositë dhe me moralin e predikuar jeton në shpirtin e lexuesve të ndriçuar përmes veprës së tij.

 

Edhe sot kemi nevojë t’u kthehemi veprave të Naimit

 

Liriku më i mirë i poezisë shqipe, Dritëro Agolli, kur shkruan për Naimin, ndër të tjera, thekson: “Ndërgjegjja kombëtare e shkrimtarit shprehet edhe me ndjenjën e lidhjes me popullin e vet, me historinë e tij, me problemet që shtron koha dhe realiteti. Si pasojë e ndjenjës së lidhjes me popullin, shkrimtari u drejtohet atyre formave shprehëse, të cilat, sipas bindjes, e shprehin më së miri jetën e kombit të vet”.

Edhe sot kemi nevojë, madje shumë nevojë, t’u kthehemi veprave të Naimit dhe t’i rilexojmë më shpesh, sepse në to gjejmë mësime e mendime që na vetëdijesojnë për të mësuar në thellësi e gjerësi thënien e njohur “Historia është mësuese e jetës”. Mirëpo, si duket, ne shqiptarët, nuk kemi arritur asnjëherë të mësojmë si duhet. Për të qenë edhe më i qartë e më konkret në këtë vlerësim, mjafton të përmendim aforizmin e Naimit: “Një komb ç’vleftë t’i vërë vethesë, atë i vënë edhe të huajtë”. Prandaj, duhet ta kemi të qartë se veprat e Naimit ushtrojnë rol të pakontestueshëm edhe sot në formimin e shqiptarëve me një vetëdije e ndjenjë shumë më të përgjegjshme për çështje të atdheut, të kombit, të historisë dhe së ardhmes së tij.

Mbështetur në porositë dhe vlerat e shumëfishta të veprave të Naimit – nxjerrim si përfundim se krijimtaria e poetit ka luajtur, luan dhe do të luajë rolin e një pedagogu të mirë në edukimin, arsimimin e formimin jo vetëm të brezit të ri, por në formimin e shqiptarit, përgjithësisht, nëpërmjet meditimeve, mësimeve dhe mesazheve që bartin veprat e tij. Jehona e veprave të Naimit duhet lidhur edhe me domethënien e emrit Naim, për të cilin Agim Vinca shkruan: “Naimi ishte ashtu siç e kishte edhe emrin (fjala “Naim”, do të thotë “i butë”) krijues dhe njeri shpirt e fjalëbutë. Ai i drejtohet auditorit – e auditori i tij ishte një komb i tërë – me mirësi e përkëdheli, e jo duke ironizuar e fshikulluar atë, siç do të veprojnë më vonë Konica e Noli”.

Në fund, janë kuptimplota vargjet e Adem Istrefit, kushtuar në mënyrë asociative Naimit, vargje që i përgjigjen temës që e paraqitëm, vargje që na e sjellin poetin para nesh me të gjitha vlerat e kontributin që ka dhënë për Atdheun, Kombin dhe popullin e vet.

“Pas diellit, pas dritës udhën e mbarë të zëmë!

Dhe ai që erdhi e s’iku më prej nesh,

Shkurt e gjatë Naim i thamë

Herë Naim Poezia e herë Naim Shqipëria”.

Dr. sc. Faik Shkodra

Më Shumë

Deputetët e Vetëvendosjes nga Prizreni vizitojnë mërgimtarët në Budapest

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) nga Prizreni, Artan Abrashi dhe Arbër Rexhaj, janë në një vizitë në Budapest të Hungarisë. Gjatë qëndrimit të tyre, ata...

Shkolla në Gexhë të Rahovecit, gati për fillim të mbarë të vitit të ri shkollor

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka marrë pjesë në përurimin e renovimit të plotë të hapësirave të brendshme të ShFMU “Skënder Kastrati”,...

Lajmet e Fundit