18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Haradinaj i shkruan KFOR-it, demanton lidhjet e tij me krimin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka shkruar sot një letër komandantit të KFOR-it, ku ka demantuar lidhjet e tij me krimin, të raportuara në gazetën Koha Ditore, bazuar në një raport të inteligjencës së forcave të NATO-s në Kosovë.
Haradinaj në këtë letër mohon lidhjet e tij me bosin e drogës Naser Kelmendi, të qenurit legjionar francez dhe kontrollues i trafikimit të naftës dhe duhanit.

Më poshtë, lexoni të plotë letrën e kreut të AAK-së, drejtuar komandantit të KFOR-it, Salvatore Farina

I nderuar z. Gjeneral,
Sot, në një gazetë të përditshme kosovare është publikuar një raport i cili i refereohet inteligjencëssë KFOR-it.
Në këtë raport kam gjetur informacione shqetësuese dhe të pasakta në lidhje me mua.
Si një qytetar i Kosovës dhe si politikan unë e konsideroj së është detyrë dhe obligim i imi që t’iu përgjigjem këtyre akuzave.

– Unë kurrë nuk kam qenë legjionar francez;
– Unë nuk jam në dijeni që kam takuar ndonjëherë Kelmendin. Kurrë nuk kam komunikuar me të dhe kurrë nuk kam pranuar ndonjë ndihmë financiare apo mjete të tjera nga ai;
– Unë kurrë nuk kam qenë në ndonjë lloj biznesi apo marrëdhënie të tjera me Halitin, përveç faktit se të dy kemi qenë anëtarë të Kuvendit të Kosovës dhe pjesëtarë të UÇK-së;
– Unë kurrë në jetën time nuk kam pasur ndonjë biznes apo marrëdhënie tjetër me njerëzit e përmendur në raport;
– Përveç atyre që kam takuar gjatë luftës, si një ushtar, unë nuk i njoh shumicën e njerëzve të përmendur në raport;
– Unë kurrë në jetën time nuk kam kontrolluar kurrfarë biznesi, qoftë të naftës, të duhanit ose të tjera;
– Unë kurrë në jetën time nuk kam përkrahur ndonjë grup ose kontrolluar personalisht çfarëdo vije kufitare për veprimtari të paligjshme apo kriminale;
– “Klani” Haradinaj nuk ekziston dhe as nuk ka ekzistuar ndonjëherë.
Unë kam qenë ushtar dhe kam luftuar për vendin tim. Këtë e kam konsideruar detyrë. Gjatë gjithë viteve të luftës, por edhe pas luftës unë jam udhëhequr nga parimet e qarta, nderi, krenaria dhe dinjiteti. Për shkak të thashethemeve të këtilla, unë jam akuzuar dy herë nga Tribunali i Hagës dhe u shpalla i pafajshëm.
Si qytetar i Kosovës, unë nuk mund të mos jem krenar për miqësinë e vendit tim me NATO-n dhe vendet anëtare të saj. Gjithmonë do të punoj shumë, në mënyrë që vendi im një ditë të jetë në gjendje të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajon, së bashku me miqtë dhe aleatët tanë të NATO-s.
Unë shpresoj që shërbimet inteligjente që kanë kontribuar në këtë raport, do të shohin me rëndësi rishikimin e të dhënave të këtij raporti.

Sinqerisht,
Ramush Haradinaj

Më Shumë

Shpërthimi në Ujman, Kurti: Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu levërdis normaliteti i krijuar

“Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu levërdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë”, ka thënë kryeministri Albin Kurti...

Lansohen pullat postare “Lojërat Olimpike Verore – Paris 2024”

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj nga sot ka lëshuar në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare “Lojërat Olimpike Verore –...

Lajmet e Fundit