2.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

VV – Qeverisë: Nuk guxoni të merrni vendime të mëdha në këtë kohë

VV-logo9-09Komiteti drejtues i projektit të TC “Kosova e Re” njoftoi sot se, me kërkesë të investitorëve, do ta shtyjnë afatin e dorëzimit të ofertave në tenderin për ndërtimin e këtij Termocentrali deri më 15 shtator. Por kësi lloj vendime sipas Lëvizjes Vetëvendosje, nuk duhet të merren nga qeveria në ikje, siç thonë ata.

“Pas nënshkrimit të kontratës me Konsorciumin Bechtel dhe Enka, kjo qeveri në ikje deri në moskthim, vazhdon të marrë vendime për çështjet e rëndësisë strategjike për vendin, vendime këto të cilat as një qeveri fuqiplotë nuk do të duhej t’i ndërmerrte pa e arritur konsensusin mbarëshoqëror. Dhe prapë sikur me autostradën për Shkup, kjo qeveri në ikje po e shfrytëzon orientimin e opinionit publik drejt zhvillimeve tjera politike për t’i kontrabanduar në heshtje vendimet e veta të dëmshme për të ardhmen e vendit”, thuhet në një reagim të tyre.

Lëvizja Vetëvendosje e kundërshton këtë projekt termocentrali, ndërtimi i të cilit sipas tyre bëhet kryekëput në kapital privat.

“Strategjia për energji dhe politikat e saj duhet të kenë qasje shumë më serioze se sa kjo që e kemi parë nga qeveria në ikje, apo cilado qeveri e pas luftës. Qasja karshi sektorit të energji duhet të jetë gjithëpërfshirëse, e jo kështu e parcializuar duke u bazuar në interesat partikulare herë të qeveritarëve e herë të investitorëve”, thuhet më tutje në reagimin e kësaj lëvizje.

I tërë ky proces i tenderimit për kapacitetet e reja gjeneruese të energjisë elektrike, sipas Lëvzijes Vetëvendosje, ka qenë i përcjellë me shkelje të shumta dhe mungesë transparence.

“TC Kosova e Re, në mënyrën siç është konceptuar së fundi, bie ndesh me Strategjinë për Energji dhe vendimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Projekti është ndryshuar disa herë në dizajn. Komiteti drejtues asnjëherë nuk i ka publikuar termat e referencës për të treguar se çfarë teknologjie kërkojnë që të përdoret në termocentralin e ri. Cila do të jetë kostoja e prodhimit të energjisë në këtë termocentral dhe rrjedhimisht cili do të jetë efekti i tij në çmimin e energjisë për qytetarët e vendit? Cilat janë planet për zhvendosjen e popullatës nga kjo pjesë e Kosovës ku do të ndërtohet termocentrali dhe nga sipërfaqja e minierës së linjitit, etj? Gjatë procesit të parakualifikimit ka pasur shumë lëvizje të të interesuarve, disa duke hequr dorë fare e të tjerët duke krijuar konsorciume të reja”, thuhet më tutje në reagimin e Vetëvendosjes.

Shkelje të njëjta sipas Vetëvendosjes, janë bërë edhe me procesin e privatizimit të KEDS-it dhe procesin e privatizimit të PTK-së, ku për secilën ka pasur vetëm nga një ofertues.

Më Shumë

Sot vranët dhe intervale me diell

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. IHK njofton se në mëngjes...

Komuna e Dragashit dhe “Advancing Together” bashkëfinancojnë katër projekte

Në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet Komunës së Dragashit dhe OJQ "Advancing Together", sot u nënshkrua Marrëveshja për Bashkëfinancim të katër...

Lajmet e Fundit