Lidhja Demokratike e Kosovës pas dorëheqjes së këshilltarit komunal, Labinot Berisha, ka mbetur pa shef të grupit të asamblistëve në Kuvendin Komunal të Rahovecit, gjithashtu edhe pa një anëtar në Komitetin për Politikë dhe Financa, pasi këto dy funksione i ka ushtruar tashme ish anëtari i Kuvendit, Labinot Berisha.
Në një prononcim për RahovecPress, ish shefi i grupit të këshilltarëve komunal të LDK-së në Rahovec, Labinot Berisha, është shpresuar se, Lidhja Demokratike e Kosovës, përkatësisht dega e saj në Rahovec, para datës 28 gusht, do të duhej të ftonte anëtarët e kryesisë në mbledhje të rregullt në Rahovec dhe të zgjedh me vota të fshehta shefin e grupit të këshilltarëve të LDK-së.
“Mendoj se shefi i grupit duhet të jetë gjithsesi dhe anëtar i Komitetit për Politikë dhe Financa nga ky subjekt politik. Kjo procedurë duhet të respektohet ashtu siç ishte vepruar në rastin tim, kur unë jam zgjedhur me vota të fshehta sipas parimit një anëtar një votë. Respektimi i procedurave demokratike rrit unifikimin e anëtarëve dhe do të shërbente parandalimit të pakënaqësive eventuale, mes anëtarëve që kanë ambicie për këto dy funksione të rëndësishme për ta”, është shprehur Berisha.
Gjithashtu, Berisha ka theksuar se, LDK në Rahovec, pas kalimit tanimë të periudhës gjashtëmujore të punës së drejtorëve të saj, që janë duke ushtruar funksione në ekzekutiv në Komunën e Rahovecit, kryesia e LDK-së në Rahovec është mirë të bëjë një vlerësim individual të punës së mirë apo dështimeve eventuale për secilin nga ta, që ushtrojnë funksionin e drejtorit.
“Matës i rezultateve, mendoj duhet të ishte raporti i punës gjashtëmujore të Komunës së Rahovecit dhe njëkohësisht vlerësimi i brendshëm i anëtarëve të LDK-së, bazuar në përformancën që kanë treguar. Këtij vlerësimi të brendshëm nuk duhet t’i ikin as asamblistët e LDK-së dhe bazë e përformancës së tyre duhet të shërbejë raporti gjashtëmujor për monitorimin e punës së Kuvendit të Rahovecit nga ana e Institutit Demokratik të Kosovës KDI”, ka theksuar më tej ish kuvendari Berisha.
“Pavarësisht që opinioni im dhe me sa jam i informuar edhe i Kryetarit të Rahovecit dhe Kryesuesit të Kuvendit është shumë pozitiv për punën e mirë që kanë treguar drejtorët dhe asamblistët e LDK-së, një vlerësim i tillë do të duhet të ishte i pa shmangshëm. LDK për të ecur suksesshëm në Rahovec, duhet të instaloj mekanizmat e saj të dhënies së përgjegjësisë për secilin anëtar të saj që përfaqëson imazhin e LDK-së në institucionet publike ose para qytetarëve”, ka treguar Labinot Berisha.
“Ne duhet të jemi sa më të përkushtuar, institucionalist dhe përgjegjës për rezultate të mira dhe shërbim të plotë të qytetarëve të Rahovecit. Andaj të zgjedhurit publik të LDK-së në Rahovec duhet t’i përmbahen parimeve mbi të cilat mbështeten veprimit politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Këto parime tona duhen ti marrin edhe subjektet tjera politike për model dhe të demokratizohen përbrenda tyre”, ka përfunduar Berisha.