Në Kosovë dhe Shqipëri komentohet qëndrimi i Gjermanisë, që kryeministri Edi Rama ta përfaqësojë Ballkanin Perëndimor krah kancelares Angela Merkel në Konferencën e vendeve të rajonit më 28 gusht në Berlin.
Qëndrimi i kancelares gjermane Angela Merkel, që në konferencën për medie, e cila do të mbahet pas Samitit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, të jetë e shoqëruar vetëm me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, po vlerësohet si mirënjohje që po i bëhet Shqipërisë për përpjekjet e saj në rrugën evropiane, shkruan Epoka e re.
Shkëlzen Maliqi, këshilltar i kryeministrit Edi Rama për rajonin, ka thënë se ky qëndrim i Gjermanisë është një lloj mirënjohje për qëndrimet që i ka Rama në programin e partisë dhe qëndrimet e tij personale që t’i avancojë sa më shumë raportet me fqinjët. “Është një lloj favorizimi, por edhe një lloj shpërblimi, mirënjohje për qëndrimet që i ka Rama në programin e partisë dhe qëndrimet e tij personale për t’i avancuar sa më shumë raportet me fqinjët. Është një politikë që Gjermania, por edhe BE-ja, e sheh si perspektivë për vetë rajonin, ku disa prej këtyre vendeve tashmë janë bërë pjesë e BE-së, ndërsa të tjerat synojnë të jenë pjesë e kësaj familje evropiane. Është një përpjekje në mënyrë që këto vende t’i lënë konfliktet dhe të krijojnë marrëdhënie sa më të mira fqinjësore. Ta kenë tregun e përbashkët dhe infrastrukturën e cila mundëson një bashkëpunim sa më të mirë. Pra, para se të bëhen anëtare të BE-së, t’i fusin disa standarde që i ka Evropa e bashkuara”, ka thënë Maliqi.
Ai ka vlerësuar se në samitet e të tilla Shqipëria dhe Kosova duhet të shkojnë me ide të qarta dhe projekte të përbashkëta. “Shqipëria dhe Kosova duhet të shkojnë të përgatitura me projekte konkrete dhe me ide konkrete. Kosova dhe Shqipëri tashmë kanë nisur një projekt bashkëpunimi ndërmjet vete që është mjaft ambicioz, por i cili momentalisht është ndërprerë për shkak të konstituimit të Qeverisë në Kosovë”, është shprehur Maliqi.
Ai ka thënë se i gjithë rajoni duhet të ketë koncepte të përbashkëta në samite të këtij niveli. “Nuk është këtu çështja që vetëm Kosova dhe Shqipëria të zhvillojnë raporte sa më të afërta, por ideja është se i gjithë rajoni ka ngecje në zhvillim dhe vetëm nëse hiqen barrierat ndërmjet vete, atëherë do të jetë një instrument për zhvillimin e brendshëm, që në një farë forme është edhe garant i stabilitetit dhe tejkalimit të armiqësive”, ka deklaruar Maliqi.
Edhe njohësi i integrimeve evropiane, Emrash Ujkani, e ka vlerësuar si një të arritur të jashtëzakonshme mundësinë që kryeministri shqiptar të flasë në fund të samitit në emër të vendeve të rajonit. Ai ka deklaruar për “Epokën e re” se ky është një shpërblim që vjen si rezultat i punëve të mëdha që ka bërë kryeministri Rama në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe ndërmarrjen e disa reformave. “Mendoj se kjo është një e arritur jashtëzakonisht e madhe për lidershipin shqiptar dhe Shqipërinë në përgjithësi. Kjo e arritur është krejtësisht falë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që janë mbajtur vitin e kaluar në Shqipëri. Po ashtu, edhe falë një lufte të pakompromis që z. Rama e ka ndërmarrë kryesisht në raport me fuqizimin e sundimit të ligjit, luftën ndaj dukurive negative, siç ishte rasti i Lazaratit dhe nisjen e shumë reformave të tjera që lidershipi i Shqipërisë i ka marrë muajt e fundit”, ka deklaruar Ujkani. Sipas tij, Qeveria e Shqipërisë ka filluar të merret si shembull në rajon. “Ky lidership konsiderohet si një shembull për rajonin, duke u nisur së pari nga mosha e re që përfaqëson dhe nga një edukim që po bëhet në ecjen përpara. Pra, e gjithë kjo ka qenë një indikator kryesor që t’i besohet Shqipërisë primati për të folur në emër të Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Ujkani. Në këtë kontekst, ai ka shtuar se paraqitja e Ramës përkrah Merkelit duhet t’i bëjë krenarë të gjithë shqiptarët. Ujkani ka thënë se edhe Kosova duhet të marrë shembull nga Qeveria e Shqipërisë.
Qëndrimin e Gjermanisë, që kryeministri Edi Rama ta përfaqësojë Ballkanin krah kancelares Angela Merkel në Konferencën e vendeve të rajonit më 28 gusht në Berlin, e ka komentuar edhe analisti politik nga Shqipëria, Ilir Kulla. Ai ka thënë për “Epokën e re” se për Shqipërinë kjo mund të thotë përshpejtim i negociatave me BE-në dhe më shumë përgjegjësi për Ballkanin. “Për Shqipërinë kjo mund të thotë përshpejtim i negociatave me BE-në, më shumë investime, më shumë përgjegjësi në Ballkan, por mund të thotë edhe më shumë probleme, raporte më të ndërlikuara rajonale apo edhe ngrirje marrëdhëniesh atlantike”, është shprehur Kulla. Ai ka thënë se nga pikëpamja politike fjala e kryeministrit Rama do të thotë perspektivë e sigurt evropiane për Shqipërinë, por edhe për kryeministrin dhe qeverinë e tij. Kurse sa i përket pikëpamjes strategjike, Kulla ka mendim ndryshe. “Nga pikëpamja strategjike do të thotë se kryeministri Rama ka hedhur pas krahëve atë që ka thënë një vit më parë për Turqinë dhe Erdoganin si partnere strategjike dhe ka përqafuar trenin evropian dhe lokomotivën gjermane. Në këtë gjë nënkuptohet edhe ndryshim strategjish dhe taktikash në raport me politikat e Shqipërisë në rajon, duke pasur parasysh se znj. Merkel është kundërshtare e hapur e një qeverie të re Thaçi në Kosovë, e një politike lindore gjermane të ndarë dhe të pavarur nga ajo atlantike amerikane, sigurisht të një partneriteti të ri të Shqipërisë me Gjermaninë. Këtu nuk jam i sigurt nëse kjo do të thotë se SHBA-të do të vazhdojnë të jenë partneri kryesor i Shqipërisë”, ka deklaruar Kulla.
Samiti i Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor do të mbahet më 28 gusht. Në agjendën e kancelares gjermane, Angela Merkel është parashikuar që në konferencën për medie, e cila do të mbahet pas samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të jetë e shoqëruar vetëm me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, i cili do të flasë edhe në emër të vendeve të rajonit. Ky qëndrim i Gjermanisë ka irrituar Serbinë, e cila ka kundërshtuar një gjë të tillë. Një veprim i tillë nuk është pëlqyer as nga Kroacia e Sllovenia, vende këto anëtare të BE-së.