Është ndoshta nga objektet që ka një nga muralet më të bukura në fasadën e saj. Ka një valltar autokton shqiptar me mustaqe dhe me veshje kosovare që ngjanë shumë me valltarin e madh shqiptar Rexhep Çeliku.
Shumë nga njerëzit ende e quajnë “Bioskop” duke e imagjinuar kohën kur janë veshur dhe janë përgatitur enkas që të shkojnë e të shikojnë filma, shfaqje e besa dikur edhe trupa akrobatësh të cirkut. Ky është objekti i Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi”.
Në fillimet e saj tregohet që ka qenë një hambar drithi ku politikat e atëhershme komuniste e kanë quajtur kooperativa bujqësore. Më vonë është modifikuar dhe ka kryer funksione të ndryshme. Në objektin e sotëm mungon një pjesë që ka qenë e ngjitur me të ku ka funksionuar Biblioteka e Qytetit dhe ca zyre tjera administrative. Në atë pjesë të objektit që sot nuk ekziston është mbajtur edhe mësim ngaqë me hapjen e gjimnazit në Suharekë nuk ka pasur hapsira të mjaftueshme për mbajtjen e mësimit. Ajo pjesë pas luftës është djegur nga persona që ende nuk dihen se kush kanë qenë. Me djegien e asaj pjese e kanë pësuar edhe shumë libra të bibliotekës.
Tash e më shumë se një vit edhe grevistët e “Ballkan”-it e shfrytëzojnë oborrin e shtëpisë së kulturës për vendosjen e tendave grevore, njashtu përdorin ambientet e hollit të saj për të pirë çaj dhe nxehje gjatë kohës së ftohtë.
Tash e sa vjet janë ndërruar edhe pushtete kryetarësh, drejtorësh e zyrtarësh por objekti i Shtëpisë së Kulturës është ai i moqmi. Tani me shumë vite mbi supe dhe mjaft shumë i lodhur. Gjendja brenda objektit është për të të ardhur keq. Mure të zhveshura, zhveshtore e prapaskenë e rraskapitur, perde që nuk funksionojnë në mekanizmin e moqëm që gjendet në dhomën e suflerit(përkujtuesi i teksteve gjatë shfaqjes) që njashtu ëshë në gjendje katastrofale. Në radhët e fundit të karrikave vërehen disa prej tyre të dëmtuara. WC-të janë të lëna pas dore dhe mund të shihet gjendja e tyre pa ndonjë problem./therandapost/