22.9 C
Prizren
E hënë, 9 Qershor, 2025

Sot e nesër, net xhazi dhe vere në Berat

Jazz Wine International Festival ne BeratRingjallja e muzikës bizantine përmes tingujve jazz do të jetë në qendër të edicionit të parë të “Jazz &Wine International Festival”, që do të zhvillohet në datat 5-6 shtator 2014, në qytetin e Beratit. Himnet e Jan Kukuzelit që deri më sot janë njohur e dëgjuar prej publikut në variantin e tyre tradicional, do të vijnë tashmë të ripunuara duke ruajtur bazën origjinale, por edhe duke i mbivendosur elemente moderne si parakusht për të pasuruar stilin dhe larminë e tingujve. Ky aktivitet, i cili ka për qëllim të kthehet në një ritual të përvitshëm, është një iniciativë e artistëve shqiptarë për të krijuar një frymë bashkëpunimi të qëndrueshme me artistë të huaj, raporton Mapo.

Eda Zari, ideatorja dhe producentja e këtij festivali, ka thënë se edicioni i parë i “Jazz &Wine International Festival” do të bëjë të mundur ngjizjen e elementëve të dy botëve magjike muzikore, të cilat janë quajtur “Trashëgimi Botërore” nga UNESCO, Jazz-i dhe Isopolifonia jonë! UNESCO festoi në 30 prill 2014 “Ditën Ndërkombëtare të Xhazit” edicioni III, në Osaka të Japonisë, ndërkohë që Isopolifonia shqiptare festoi më 5 nëntor 2014 përvjetorin e 9-të të marrjes së titullit “Kryevepër e paprekshme e Trashëgimisë gojore” (nga UNESCO).

Elementi i verës që do të shoqërojë aktivitetin, do të jetë jo thjesht për t’u degustuar nga njerëzit, por edhe për të sjellë një pjesë të traditës shqiptare të verave të rajoneve të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës pranë turistëve dhe vendasve që do të vijnë të vizitojnë Panairin e Verës, nën tingujt e muzikës xhaz. I gjithë aktiviteti është konceptuar si një event i madh që do të mirëpresë në djepin e kulturës shqiptare, Berat, dashamirësit e muzikës nga të gjitha grupmoshat.

Berati është një qytet që mbart shumë vlera kulturore në art, muzikë, kulturë si edhe në kulinarinë e verës. Eventi synon të kthehet edhe në një promovues të fuqishëm të vlerave historike të vendit tonë, duke solidarizuar qytetarët dhe artistët në një ambient që si rrallëherë do të kthehet në një festë të vërtetë.

“Ne duhet t’u lëmë brezave jo kopjen e fotografisë së Beratit, por vlerat reale të tij”, ka thënë artistja e njëkohësisht producentja e festivalit, Eda Zari. “Kulturat e mëdha nuk kanë nevojë të shfaqen në metropole! -Ky ishte slogani që na motivoi të ndërmarrim këtë iniciativë, për të nisur një edicion dialogu kulturor në një djep të lashtë si Berati”,  tha Vasil Tole.

Më Shumë

Profesori dyshohet se goditi kolegen në Universitetin “Ukshin Hoti”, rasti nën hetim për lëndim të lehtë trupor

Një punonjës akademik i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren dyshohet se të martën ka goditur një punonjëse akademike gjatë mbajtjes së një mbledhjeje në...

74 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

Policia e Kosovës ka publikuar raportin ditor me të dhënat e përgjithshme për 24 orët e fundit, duke përfshirë statistikat e aksidenteve në trafik,...

Lajmet e Fundit