12.8 C
Prizren
E hënë, 23 Shtator, 2024

Protestë e mësimdhënësve të larguar nga shkollat e Malishevës

Malisheve-Protestë e mësimdhënësveMësimdhënësit e shkollave të mesme të Komunës së Malishevës, të cilët janë larguar nga procesi mësimor në fillim të këtij viti shkollor kanë protestuar edhe të hënën.

Profesorët e larguar nga Qendra e Kompetencës dhe ata të shkollës së mesme profesionale “Lasgush Poradeci” të Kijevës fillimisht në orën 08:00 janë kthyer me vetiniciativë në vendet e tyre të punës, ku, sipas tyre, kanë mbajtur nga një orë mësimi dhe janë kthyer. “Kemi shkuar në vendet tona të punës, jemi përshëndetur me kolegët, kemi këqyr kush ka hy në punë pa konkurs pas largimit tonë, e kemi mbajtur nga një orë mësimi dhe jemi kthyer”, ka shpjeguar Sedat Sahitaj, njëri nga profesorët e larguar.

“Derisa të tjerët punojnë pa bazë ligjore në vendet tona, edhe ne kemi të drejtë për t’u kthyer, ne megjithatë e shkruajtëm orën, mbajtëm nga një orë dhe u thamë kolegëve që na i kanë zënë vendet se mund t’i mbajnë ato derisa të vendosin institucionet përkatëse për fatin tonë”, ka shpjeguar dhe arsyetuar ai. “Nxënësit na kanë pritur shumë mirë, ne e përcollëm mesazhin tonë se kemi të drejtë ta mbrojmë vendin e punës dhe tani do ta presim vendimin e institucioneve”, ka theksuar Sahitaj. Në Shkollën e Mesme të Kijevës një orë mësimi ka deklaruar ta ketë mbajtur vetëm i larguarit Ruzhdi Kryeziu.

Ndërkohë, rreth orës 10:00 këta mësimdhënës kanë protestuar sërish në oborrin e Komunës së Malishevës. Për disa minuta ata e kanë bllokuar edhe hyrjen e objektit të Komunës së Malishevës duke mos lejuar që zyrtarët e Komunës të futeshin brenda. Në protestë kishin dalë vetëm profesorët e larguar, ani pse ata kishin paralajmëruar protestë gjithëpopullore. Sedat Sahitaj ka thënë se ishin tërhequr nga vendimi për protestë më të gjerë për të mos e politizuar problemin. Ai ka shpjeguar se kërkesat kryesore të tyre janë që të anulohet konkursi në bazë të të cilit kanë mbetur pa punë dhe të japin dorëheqje nga detyra drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Blerim Thaçi, dhe shefi i kësaj drejtorie, Halim Hoti. “Bllokimin e derës së hyrjes në Komunë e kemi bërë shkurtazi, me qëllim të përcjelljes së mesazhit që ta kuptojnë zyrtarët komunalë se çka do të thotë ta lësh dikë pa punë”, ka shpjeguar ai.

Protestën e mësimdhënësve të mbetur pa punë, drejtori i DKA-së në Malishevë, Blerim Thaçi, të hënën e ka komentuar shkurt. “Ata kanë të drejtë të protestojnë, por ne mendojmë se kemi vepru drejt gjatë procedurave të konkursit, megjithatë ne e presim vendimin e institucioneve dhe kemi thënë se ai do të jetë i pranueshëm për neve’, ka theksuar ai. Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ndërkaq ka thënë se protesta nuk është zgjidhje. “Unë sugjeroj që të ndiqet rruga ligjore dhe ne do ta respektojmë ligjin”, ka tërhequr vërejtjen Begaj. Ai ka mohuar të jetë penguar nga protestuesit që të hyjë në punë dhe ka thënë se ka qenë krejt jashtë zyrave në momentet kur është zhvilluar protesta.

“Kam ardhur kah fundi, jam takuar me një grup të vogël të të pakënaqurve dhe u kam sugjeruar edhe atyre që ta ndjekin ligjin për pretendimet e tyre”, ka shpjeguar ai. Të hënën drejtori i Qendrës së Kompetencës dhe ai i shkollës së mesme “Lasgush Poradeci” të Kijevës kanë mohuar që mësimdhënësit e larguar të kenë mbajtur ndonjë orë në shkollat e tyre. “Kanë qenë disa nga ish-kolegët tanë, kanë hyrë në klasë, janë sjellë nëpër korridor, dikush edhe e ka shënuar orën mësimore, por mësim nuk kanë mbajtur”, ka thënë drejtori i Qendrës së Kompetencës në Malishevë, Nazmi Zogaj. “Jo, askush nuk ka mbajt mësim, njëri nga ish-profesorët ka qenë mysafir në orën e një profesori, por nuk ka mbajt mësim”, ka thënë drejtori i Shkollës së Mesme të Kijevës, Sami Toplana.

Në ndërkohë Zyra për Informim Publik e Komunës së Malishevës të hënën ka njoftuar se kryesuesi i KK të Malishevës, Enver Hoti, e ka ftuar mbledhjen e parë të jashtëzakonshme të legjislatvit komunal për të enjten e ardhshme, ku do të debatohet pikërisht për problemet e krijuara në sektorin e arsimit në fillim të këtij viti shkollor. “Shqyrtimi i kërkesës numër 02/324, datë, 08.09.2014, e parashtruar nga dymbëdhjetë ( 12 ) anëtarët e Kuvendit të Komunës së Malishevës, konform nenit 44, të Ligjit për vetëqeverisjen lokale,( Ligji nr.03/L-040 ,dt.20.02.2008 )” që ka të bëjë me “shqyrtimin e situatës në sistemin e arsimit në Komunën e Malishevës, pas protestave të personelit arsimor të larguar nga procesi mësimor”, mësohet se do të jetë pika e vetme e agjendës së seancës që sipas informatave e kanë iniciuar anëtarët e KK-së nga radhët e PDK-së dhe që janë përkrahur edhe nga disa anëtarë të partive të tjera. /Koha Ditore/

Më Shumë

Festivali i Këngës në RTK – zbulohet lista e këngëve të edicionit të dytë

Komisioni Përzgjedhës i Festivalit të Këngës në RTK ka bërë përzgjedhjen e këngëve konkurruese për pjesëmarrje, në edicionin të dytë, të Festivalit të Këngës...

Urim Zenelaj, MVP i javës së parë

Në fundjavë filloi ProCredit Superliga për edicionin 2024-25. Që në fillim kishte ndeshje interesante. Proton Cable Prizreni fitoi ndaj Sigal Prishtinës (100:88), ku qendra Urim...

Lajmet e Fundit