21.8 C
Prizren
E shtunë, 21 Shtator, 2024

Zvarritet hapja e Qendrës së Kompetencës në Prizren

Prizren-Qendra KompetencesPritet që puna në këtë qendër të veçantë arsimore të nis javën e ardhshme.

Qendra e Kompetencës në Prizren nuk ka nisur punën, pasi që Qeveria e Luksemburgut si donatore e këtij projekti pret që të përmbyllet edhe procesi i pranimit teknik të objektit ku do të zhvillohet procesi mësimor, kanë bërë të ditur zyrtarët e Drejtorisë së Arsimit të Prizrenit.

Sipas tyre, pritet që puna në këtë qendër të veçantë arsimore të nis javën e ardhshme.

“Qeveria e Luksemburgut si donatore e këtij projekti ende nuk e ka bërë pranimin teknik sipas ekspertëve të tyre.

Sipas planifikimeve, objekti nuk mund të lëshohet në përdorim pa u bërë pranimi teknik. Në marrëveshje me MASHT-in, përkatësisht Agjencinë për Menaxhimin e Shkollave Profesionale që mbikëqyr këtë shkollë dhe me kryetarin e Komunës është caktuar që më 15 shtator të nisë procesi mësimor dhe të bëhet përurimi i kësaj shkolle”, ka thënë drejtori i DA-së, Nexhat Çoçaj. Mirëpo partitë opozitare në Prizren përgjegjësinë për mosnisjen e punës së kësaj qendre ua kanë adresuar autoriteteve komunale.

“Mbi të gjitha, për arsye të padijes, papërgjegjësisë dhe neglizhencës, dështimi më i madh i Ramadan Mujës dhe DA-së për këtë vit shkollor gjithsesi është mospërgatitja e duhur dhe dështimi për fillimin e punës të shkollës së mesme profesionale, Qendra e Kompetencës, në Prizren e cila është mbështetur nga Qeveria e Luksemburgut dhe duhej të niste punën më 1 shtator 2014, ngase për arsye të mosdijes, punës jo të duhur nxitëse e sensibilizuese për mundësitë dhe shanset që ofron kjo shkollë, numri i nxënësve për regjistrim ka qenë simbolik (rreth 25 nxënës)”, thuhet në një komunikatë të Bashkimit Demokratik.

Pretendimet e BD-së janë hedhur poshtë nga drejtori i Arsimit, Nexhat Çoçaj, i cili ka theksuar se në Qendrën e Kompetencës në vitin e parë mësimet do t””i ndjekin rreth 160 nxënës në 11 klasa, ndërkohë që personeli mësimor është pranuar nga agjencia përkatëse dhe donatori që kanë realizuar dhe trajnimet e duhura për ta.

Qendra e Kompetencës e Prizrenit është themeluar në saje të përpjekjeve të përbashkëta të Qeverisë së Kosovës dhe të Luksemburgut. Afro 3 milionë është shuma e investimeve për ndërtimin dhe pajisjen e kësaj shkolle, krijimin e planprogrameve dhe ofrimin e trajnimeve.

Në ueb faqen e Qendrës figuron se në këtë institucion do të ofrohen mundësi arsimi profesional në ekonomi, tregti dhe turizëm, për nxënësit e motivuar nga i gjithë vendi, të cilët do të pranojnë trajnime intensive në njërën nga 13 profesionet, të cilat kjo qendër i ofron. Aty bëhet e ditur se kjo është qendra e katërt e këtij lloji në Kosovë, që brenda vetes ka pajisje të teknologjisë informative të nivelit të lartë, staf menaxherial të kualifikuar dhe mësimdhënës të trajnuar me përvojë nga sektori privat, të cilët gjithmonë përpiqen për përsosmëri.

“Të gjitha kurset, të cilat shkolla i ofron, i plotësojnë kërkesat e Kornizës kombëtare të kualifikimeve dhe kornizës evropiane të kualifikimeve. Kjo nënkupton që certifikatat përfundimtare të nxënësve mund të krahasohen me ato të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”, shpjegohet në uebfaqe. /Koha Ditore/

Më Shumë

Arrestohen dy burra në Suharekë, sulmuan tre zyrtarë policorë

Dy burra janë arrestuar në Suharekë, të cilët dyshohen se kanë sulmuar fizikisht tre zyrtarë policorë. Si pasojë, policët kanë pësuar lëndime trupore. “Janë arrestuar dy...

Prizren: Aktakuzë kundër 7 personave për kontrabandë me migrantë

Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve S.G., A.H., H.A., O.A., M.H., A.B., dhe M.R., për shkak të...

Lajmet e Fundit