-2.7 C
Prizren
E mërkurë, 21 Janar, 2026

Krasniqi: Vetëm Thaçi kryeministër

Memli KrasniqiNënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, duke iu referuar zërave që Kosova ta ketë një kryeministër konsensual, ka ripërsëritur qëndrimin e kësaj partie, se vetëm Hashim Thaçi do të jetë kandidat për kryeministër.

Në një intervistë për “Epokën e re”, Krasniqi, duke iu referuar zërave që Kosova të ketë një kryeministër konsensual, në mënyrë që të tejkalohet ngërçi politik, ka deklaruar se qytetarët e Kosovës më 8 qershor kanë vendosur për pozitën e kryeministrit.

“Qytetarët e Kosovës e kanë dhënë verdiktin e tyre në zgjedhjet e 8 qershorit. Në garën për kryeministër të Kosovës ka pasur konkurrencë, por ka fituar bindshëm kandidati i PDK-së, njëherësh lideri i partisë, Hashim Thaçi, i cili ka marrë numrin rekord të votave nga qytetarët e Kosovës për ta udhëhequr qeverinë e vendit edhe për një mandat”, ka thënë Krasniqi.

Në këtë kontekst, Krasniqi ka deklaruar se për PDK-në nuk mund të ketë zgjidhje politike e cila është në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatarin e qeverisë dhe kryeparlamentarin e Kosovës.

Nënkryetari i PDK-së ka kërkuar nga partitë e bllokut të mbizotërojë racionaliteti politik në mënyrë që Kosova ta tejkalojë këtë ngërç politik.

“Mendojmë se është koha e fundit të mbizotërojë racionaliteti politik edhe te kampi opozitar, në mënyrë që, duke u nisur nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe duke u bazuar në verdiktin dhe vullnetin qytetar të shprehur nëpërmjet zgjedhjeve demokratike të 8 qershorit, të gjejmë një zgjidhje, duke i vendosur interesat shtetërore para atyre partiake ose personale”, ka deklaruar Krasniqi, duke shtuar se PDK-ja gjithmonë ka qenë e hapur për bashkëpunim me partitë politike.

“Ngërçi politik mund të zgjidhet vetëm duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ne gjithmonë kemi qenë dhe jemi të hapur për diskutime dhe për bisedime për t’i çuar përpara proceset e rëndësishme për vendin dhe qytetarët. Në këtë drejtim, ne edhe herëve të kaluara, kur i kemi fituar zgjedhjet, i kemi thirrur të gjithë për bisedime. Nuk do të thotë me u marrë vesh me të gjithë, por për të shkëmbyer mendime dhe për të gjetur pika të përbashkëta. Megjithatë, ende vazhdojmë të jemi të hapur”, ka thënë Krasniqi.

Më Shumë

Prizreni përkujton viktimat e gjenocidit serb me ndezje qirinjsh në “Shadërvan”

Në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit serb ndaj Shqiptarëve në Kosovë, Komuna e Prizrenit, në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së...

Përleshja e armatosur në Prizren, dorëzohet në Polici i dyshuari për tentim vrasje

Zhvillime të reja kanë ndodhur nga rasti tronditës në Prizren, ku më 5 janar dy grupe u konfliktuan me armë zjarri dhe si pasojë...

Lajmet e Fundit