3 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Ku mbeti Fryma?!!

KushtrimSheremeti-lb

Letër e hapur Shpend Ahmetit
Nga Kushtrim Sheremeti

 

I ndëruari Shpend,

Si një mik dhe ish-përkrahës yti në kohën kur ke vendosur të hysh në politikë (koha e para-themelimit dhe udhëheqjes së FER-it), kam vendosur të ta shkruaj këtë letër.

Në kohën kur së bashku me miqtë tu tjerë e themelonit FER-in, mbaj mend disa biseda tona të përbashkëta (në Filikaqa, u knaqaaaa , ku diskutonim për nevojën e angazhimit të njerëzve aktivë në proceset të ndryshimeve politike në këtë vend, si dhe për tregimet tua se si ti dhe FER-i gëzoni përkrahjen ndërkombëtare, për dallim prej disa forcave tjera politike që paralelisht themeloheshin asokohe. Mbaj mend shumë mirë edhe përkrahjen time për ty dhe miqtë tjerë si Fisin apo Puhien, dhe aso kohe isha i lumtur, sepse besoja që njerëz aktivë do të mundoheshin të punonin për të mirën e këtij vendi, që nënkuptonte edhe për të mirën time si pjesë aktive e qytetarëve të Kosovës.

Asokohe kur ti ishe me Frymën e Re (FER), në Prishtinë ishte themeluar edhe një koalicion parazgjedhor në mes të Lëvizjes “Vetëvendosje!” dhe Lëvizjes për Bashkim, e quajtur “Iniciativa Qytetare Lëvizja Vetëvendosje!” . Pas zgjedhjeve ata (LB dhe VV) bënë edhe marrëveshje për grup të përbashkët parlamentar (dhe si grup parlamentar me 14 ulëse në parlament nënkuptonte edhe një vend të nënkryetarit të parlamentit, që LVV edhe sot e gëzon këtë privilegj pikërisht falë kësaj marrëveshjeje). Pas një kohe kjo marrëveshje u prish për shkak të mungesës së gatishmërisë së LVV-së për t’i ndarë financat që i takojnë LB-së për deputetët e vet, edhe pse ligji dhe marrëveshja e parashikon një gjë të tillë.

Shpend,

Pas gjithë kësaj situate që e përshkrova më lart, ti së bashku me Fisin e Puhien dhe disa miq tjerë u shkritë në LVV, edhe pse nuk përkonit me politika të njëjta parazgjedhore. Kjo u reflektua edhe në vendimin e bashkëthemeluesve tjerë të FER-it, si Ilir Deda e Qëndrim Gashi, për të mos vepruar njëjtë si ti. Megjithatë, një pjesë e opinionit më optimist menduan se ju do të sillni frymë të re në LVV, edhe për shkak se, siç thoshe edhe ti, ju keni përkrahje të madhe ndërkombëtare, për dallim prej forcave tjera që atë kohë organizoheshin paralelisht me FER-in për të hyrë në zgjedhje! Ndër ato që premtove kur u shkritë në LVV, ishin vlerat e luftës së pakompromis kundër padrejtësive dhe manipulimeve të ndryshme. Përndryshe, pikërisht këto vlera më shtynë mua që të jem sot pjesë e Lëvizjes për Bashkim.

Por sot, rreth 3 vite pas kësaj kohe, dëshiroj të të pyes ty: ku mbetën ato ideale, ku mbetën ato vlera me të cilat hyre në politikë?!! Cili është ndikimi yt në LVV, si nënkryetar që je?!! Si ndodhi që të tjetërsoheni të gjithë dhe të bëheni edhe ju vetëm edhe një organizatë më shumë në skenën politike në Kosovë?!! Me logjikë të bashkimit të forcave për t’i luftuar padrejtësitë ke thënë se jeni bërë pjesë e LVV-së!!! Fatkeqësisht, e gjitha që unë po shoh është vetëm përshtatja e veprimeve manipuluese, sidomos ndaj atyre që LVV mund t’i kishte pranë, e kjo mënyrë nuk është asgjë tjetër veçse “copy-paste”, ose edhe tejkalim për së keqi, i partive të vjetra që janë në pushtet, por edhe ne opozitë, e të cilat ju me shumë “dashuri” i kritikoni edhe sot e kësaj dite! Sot, edhe pas një kohe të gjatë të hyrjes tënde në LVV, prapë vazhdon keqpërdorimi nga ana e LVV-së i parave që i takojnë LB-së, prapë vazhdon manipulimi me deklarata se vetëm LVV e ka kundërshtuar marrëveshjen mes Thaçit e Daçiqit etj. (Po shpresoj se një ditë nuk do të thoni se vetëm LVV ka për qëllim bashkimin kombëtar, edhe pse në programin tuaj politik nuk shkruan askund që ju angazhoheni për bashkim, por vetëm se lini të nënkuptohet se bashkimi është i dëshirueshëm për ju). E në këtë pikë dëshiroj të të pyes: çka ke bërë ti si nënkryetar i LVV-së që këto veprime të mos ndodhin dhe të mos vazhdojnë?!!

Me uzurpimin e mjeteve financiare që LVV me vetëdije po ia bën LB-së (dhjetra mijëra euro në vit, për katër vite me radhë) Lëvizja Vetëvendosje! po tregon se nuk është aspak e ndryshme nga grupet tjera kur vjen puna te përvetësimi i paligjshëm i financave! “Me hajna, me hajna, nuk ka shtet!”, – tingëllon bukur, apo jo?!! Por sa e besueshme është LVV me këtë sllogan, kur ndërkohë që me shumë zhurmë po vazhdoni t’i “proklamoni” këto “vlera”, paralelisht shpërdorohen mjete financiare ende pa ardhur në pushtet…

Nënkryetari tjetër i LVV-së para ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend deklaroi se i keni publikuar numrat e telefonit të deputetëve që kanë votuar PRO Marrëveshjes (e aty i keni përfshirë padrejtësisht deputetët e LB-së, ndërsa nuk i keni përfshirë edhe deputetët e LVV) duke bërë manipulimin e radhës ndaj ish-partnerit (LB), për shkak se siç e di ti dhe të gjithë tjerët në LVV, por edhe opinion publik, deputetët e LB-së kanë votuar KUNDËR marrëveshjes së tillë me Serbinë, për dallim prej deputetëve të LVV-së që nuk kanë votuar fare, as PRO, as KUNDËR! Pra, keni kërkuar nga qytetarët t’i “bindin” edhe deputetët që kanë votuar KUNDËR, ndërsa nuk keni kërkuar që t’i “bindin” edhe ata që nuk kanë votuar fare. Se vetëm LVV-ja e paska kundërshtuar këtë marrëveshje dhe askush tjetër, – ke deklaruar edhe TI, miku im, para disa ditësh në lajmet e VOA, dhe kjo është edhe një prej arsyeve pse kam vendosur të të shkruaj dhe të të pyes: a ke harruar për KUNDËRSHTIMIN e Lëvizjes për Bashkim, nuk e ke përcjellë fare Parlamentin atë natë të vonë, apo qëllimi i kësaj deklarate ishte diku tjetër?!! Madje nuk mjaftuan këto manipulime, por në ditën e ratifikimit të marrëveshjes shumë të dëmshme për Kosovën dhe popullin tonë, LVV përpos të tjerëve nuk e lejoi as deputetin e LB-së të futet në Parlament dhe të mbajë fjalim e të votojë KUNDËR, me arsyetimin se “kush futet në parlament është kundër kombit shqiptar”! Por pas nja dy orësh deputetët e LVV-së vetë u futën në Parlament pa i penguar askush dhe mbajtën fjalime!!!

Shpend,

Lufta kundër korrupsionit dhe padrejtësive tjera që ndodhin në Kosovë duhet të jetë e pakompromis. Gjithashtu, siç e di mirë edhe ti, Lëvizja për Bashkim edhe me Program angazhohet për bashkim kombëtar, ide të cilën edhe VV të paktën deklarativisht e përkrah. Prandaj besoj se kemi shumë pika me të cilat ti dhe unë vazhdojmë të pajtohemi plotësisht edhe sot kur gjendemi në forca të ndryshme politike, të cilat marrëdhëniet i kanë të ngrira pikërisht për arsyet që i përmenda më lart! Prandaj, po të lutem të ndryshoni qasje dhe t’i përshtatni edhe me vepra deklaratat tuaja për luftë kundër padrejtësive dhe keqpërdorimeve. Këtë lutje e bëj jo vetëm si anëtar i kryesisë së LB-së drejtuar nënkryetarit të LVV-së, por si një mik i cili dëshiron të besojë në ato bisedat me ty, por edhe me miqtë tjerë si Fisi apo Puhia, rreth tre vite më herët, në rrethanat që i përmenda në fillim të kësaj letre.

Dhe për fund, dëshiroj të ta bëj edhe një pyetje: Cila është fryma që ti dhe miqtë tjerë e dërguat në LVV? Apo ju kaploi edhe ju ndonjë frymë tjetër?!!

Gjithë të mirat,

Kushtrimi

Më Shumë

Prokurori nga Prizreni Petrit Kryeziu thyen rekord, këto janë pikët që ka marrë në test

Prokurori Petrit Kryeziu ka thyer rekord në rezultatin e intervistës për kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Prizren. Ai ka grumbulluar gjithsej 97.6 pikë, ku rezultatet...

Edhe Kosova ndalon mandarinat nga Shqipëria

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka thënë se po e monitoron situatën pasi Sistemi Evropian i sigurisë ushqimore ka ngritur alarm për ngarkesat me...

Lajmet e Fundit