Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se liderët e Bllokut duhet ta ridizajnojnë marrëveshjen për bashkëqeverisje, mirëpo, sipas saj nuk bën që të preket thelbi i saj, ku PDK përjashtohet si opsion.
Lama në një intervistë dhënë për Gazetën Blic ka thënë se nëse liderët e Bllokut kanë qëllim pozita e jo rrëzimin e PDK-së nga pushteti, ajo nuk do t’i votoj ata.
“Nëse krerët e Bllokut nuk e kanë në mendje këtë, por mendojnë vetëm për pozita, mbështetjen time nuk do ta kenë kurrë, këtë e deklaroj me plot përgjegjësi publikisht”, ka thënë Lama.
Lama ka thënë se PDK po e bllokon thirrjen e seancës se e kanë hallin tek drejtësia.
“PDK si pakicë po kërkon të komandojë shumicën, me qëllimin për të mbëtur në pushtet. Unë mendoj se e di ku e kanë hallin. Ata duan patjetër të jenë pjesë e qeverisjes, në mënyrë që të mbrohen nga drejtësia, pasi kanë bërë më mijëra krime financiare, për të cilat duhet të japin llogari. Kontratat e nënshkruara prej tyre duhet të rishikohen, njerëzit e punësuar prejt tyre duhet të rishqyrtohen, institucionet e zaptuara prej tyre duhet të çlirohen. Ata duan të jenë pjesë e pushtetit që të mbrohen”, ka thënë ndër të tjera Lama në këtë intervistë dhënë për Gazetën Blic.
Gazeta Blic: Mbrëmë kishim një takim ndërmjet Bllokut. Ndonëse nuk u morën vesh për postin e kryeministrit, kujt besoni se do t’i takoj, Isa Mustafës, apo Ramush Haradinajt?
Alma Lama: Unë nuk kam informacione se çfarë është biseduar në atë takim, pasi këto dy ditë kam qenë jashtë Kosovës por duke ditur vijat përcaktuese të subjektit ku bëj pjesë, LDK dhe duke pasur parasysh edhe vendimin e Bllokut për të lëshuar pe për postin e kryeparlamentarit, besoj se është diskutuar ridizajnimi i marrëveshjes. Unë personalisht kam foluar para ca kohe për ridizajnim brenda bllokut për shkak të vendimit të Gykatës Kushtetuese, i cili është jodemokratik, por që na duhet ta përpimë dhe ta respektojmë. Këtë propozim e kam bërë duke besuar në interesin e përbashkët për t’i dhënë fund keqqeverisjes së PDK-së dhe të partnerëve të saj satelitorë, që kanë përkrahur në çdo hap logjikën e uzurpimit privat të institucioneve. Pra, çdo ridizanim sipas meje nuk duhet të prekë thelbin e marrëveshjes Brenda bllokut, dhe në çdo rat PDK përjashtohet si opsion.
Gazeta Blic: Në LDK në vazhdimësi keni deklaruar se posti i kryeministrit duhet t’i takoj Isa Mustafës. A mund të vij deri te prishja e Bllokut për këtë post? Dhe nëse po, a po i bie se edhe liderët e Bllokut vrapuan pas pozitave, pra nuk ishte synimi primar rrëzimi i Hashim Thaçit?
Alma Lama: Parimi i fuqisë politike duhet të vlejë edhe brenda bllokut, i cili duhet të ketë mision një qeverisje ku mbizotëron sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik. Nëse krerët e Bllokut nuk e kanë në mendje këtë, por mendojnë vetëm për pozita, mbështetjen time nuk do ta kenë kurrë, këtë e deklaroj me plot përgjegjësi publikisht. Çdo interes i tillë do të ishte i verbër dhe afatshkurtër, dhe mendoj se do të ishte i dështuar prej ditës së parë. Por unë nuk besoj se është i tillë, dhe prandaj mendoj se Blloku do të gjejë zgjedhje konsensuale brenda tij, pa bërë shumë dramë. Në të vërtëtë gjatë gjithë këtyre ditëve ata që më së shumti kanë dëshirë të prodhojnë dramë brenda Bllokut janë mediat e kontrolluara nga PDK.
Gazeta Blic: Ju keni deklaruar se posti i kryeministrit duhet të shkoj 2 + 2. A mund të na sqaroni se çka keni dashur të thoni me këtë?
Alma Lama: Kam folur qartë më herët për këtë. Propozimi im ka qenë madje mjaft i butë, për të akomuduar interesta e të dyja partive LDK dhe AAK, të cilat u morën vesh për postin e kreut të qeverisë. Ky propozim ishte pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Unë si deputete përfaqësoj mijëra votues dhe flas edhe në emër të vullnetit të tyre. Pra, është vullnet i njerëzve që më kanë votuar që LDK të kryesojë qeverinë dhe me pas të marrë presidencën. Ky ishte propozimi që si duket nuk gjeti shumë mbështetje te kryesia e LDK-së. Por si duket tani kryesia është kthjellur dhe e ka kuptuar se në një bashkim forcash të deputeteve në Kuvend, grupi më i madh duhet të ketë edhe të drejtën e propozimit të kryeministrit. Më mirë vonë se kurrë thotë populli. Për mua ka më shumë rëndësi konsituimi i Kuvendit, dhe qeverisë, në mënyrë që Kosova të shpëtojë nga paraliza institucionale, që mund të prodhojë më pas një krizë të thellë politike , ekonomike dhe sigurie.
Gazeta Blic: PDK vazhdon që të mos e thërras seancën konstituive të Kuvendit përkundër asaj që Blloku hoqi dorë nga posti i kryetarit të Kuvendit. Si e komentoni këtë veprim apo mosveprim më mirë të quajmë të PDK-së?
Alma Lama: Veprimi i PDK-së tejkalon çdo parashikim në një vend që pretendon se është demokratik. Ata seriozisht po rrezikojnë ta kthejnë Kosovën në një pseododemkraci, ku gjithçka ëhstë farsë, pasi parimi demokratik i shumicës nuk ka më asnjë vlerë. Në këtë situatë ta pashembullt, ka kontribuar edhe Gjykata Kushtetuese me vendimin skandaloz, e cila ka lënë mbledhjen e seancës në duar të një individi, ose më saktë në tekat e një individi. Dhe po kështu i ka dhënë mundësinë pakicës të bllokojë institucionet. Këtu kemi të bëjmë me kapje të shtetit, me një turp të paparë në historinë e gjyqësorit. Pas vendimit të Bllokut për ta votuar kandidatin e PDK-së vetëm me qëllimin për ta zhbllokuar situatën, bllokada e PDK-së nuk ka më asnjë justifikim formal. PDK si pakicë po kërkon të komandojë shumicën, me qëllimin për të mbëtur në pushtet. Unë mendoj se e di ku e kanë hallin. Ata duan patjetër të jenë pjesë e qeverisjes, në mënyrë që të mbrohen nga drejtësia, pasi kanë bërë më mijëra krime financiare, për të cilat duhet të japin llogari. Kontratat e nënshkruara prej tyre duhet të rishikohen, njerëzit e punësuar prejt tyre duhet të rishqyrtohen, institucionet e zaptuara prej tyre duhet të çlirohen. Ata duan të jenë pjesë e pushtetit që të mbrohen.
Gazeta Blic: Ambasadorja amerikane dje kërkoi që të thirret seanca, por kryesuesja Flora Brovina sot tha se pa marrëveshje s’ka seancë. Kush sipas jush duhet të veprojë që të thirret seanca: presidentja, Blloku…, apo kush?
Alma Lama: Meqë Flora Brovinës ende nuk po i teket ta therrasë seancën, janë deputetët ata që duhet ta therrasin, dhe kryesuesja refuzuese të zëvendësohet sipas nenit të rregullores që parashikon situatë të tilla. Ky është opinion im. Sa për presidenten ajo vazhdon të mos luajë asnjë rol por de fakto të jetë spektatore në këtë situatë. Ajo nuk po i përmbush detyrat e saj kushtetuese, si përgjegjësë për mbarëvajtjen e seancës të clën e patë thirrur vetë.
Gazeta Blic: Nëse PDK do të vazhdoj edhe më tutje me këtë bllokadë. A do të shkoj vendi në zgjedhje, apo cila duhet të jetë zgjidhja?
Alma Lama: Nuk ka arsye për të shkruar në zgjedhje përderisa ekziston një shumicë parlamentare.Shantazhimit të PDK-së duhet t’i jepet fund. Blloku duhet të jetë i vendosur për ta çuar parimin demokratik të shumicës në vend. Nëse PDK nuk dëshiron të vijë në seancë, duhet të zgjidhet kandidat tjetër për kryetar dhe të konstituohet parlamenti. Më pas të vazhdohet me krijimin e qeverisë. Zgjedhjet, vetëm PDK i sheh si Exit strategy , për shkak se nuk ka partner qeverisës. Por ata nuk i kanë bërë llogaritë mirë, sepse edhe pas zgjedhjeve të tjera do të mbeteshin pa partner. Procesi zgjedhor ka përfunduar, dhe institucionet duhe të ndërtohen mbi bazën e rezultatit që ka dalë prej tyre. Ky është opsioni i vetëm.