Festivali ndërkombëtar i filmave për bjeshkatari “Reel Rock Tour”, është duke u zhvilluar për herë të parë edhe në Kosovës.
Kjo ngjarje ka filluar sot në qytetin e Pejës, ku edhe është bërë hapja solemne. Reel Rock Tour, është një ngjarje me origjinë amerikane që në formë të franqizes ndodhë çdo vit në shumë vende të botës.
Organizimin në Kosovë, e ka mundësuar mbështetja e Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe sponzorë të tjerë.
Në një njoftim për media, thuhet se në hapjen e këtij festivali, drejtori i Festivalit Birol Urcan, ka thënë se ky organizim përputhet në mënyrë të natyrshme me Pejën për shkak të traditës së bjeshkatarisë dhe bukurive natyrore që i ka.
“Reel Rock Tour do të jetë një atraksion unik në nivel vendi dhe presim shumë mysafir që shpresojmë se do të mbeten të kënaqur dhe do të na vizitojnë në edicionet e radhës”, pohon Urcan.
Nga ana tjetër Kryetari Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka pohuar se kjo ngjarje dhe ngjarje të tilla janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e turizmit në komunën ë Pejës.
“Ne si komunë e konsiderojmë turizmin si një ndër sektorët prioritare për zhvillimin ekonomik në Komunën e Pejës, sepse Peja me bukuritë natyrore që i ka, përbën një ndër atraksionet e rralla për Turizëm në Kosovë dhe me gjerë”, ka shtuar Kryetari Muhaxheri.
Kryetari i Shoqatës Marimangat e Pejës Nol Krasniqi ka falënderuar sponsorin kryesor të festivalit Ambasadën Amerikane për mbështetjen dhe ka theksuar se qëllimi i Marimangave është që ky festival të shndërrohet në një traditë për qytetin.
“Besojmë se kjo ngjarje do të kontribuojë në zhvillimin e mëtutjeshëm të kulturës së bjeshkatarisë dhe
ngjitjes jo vetëm në Pejë por edhe në nivel kombëtar”, ka shtuar Krasniqi.
Reel Rock Tour organizohet nga klubi i ngjitjes “Marimangat e Pejës” dhe “Hiking Njeri” ku gjatë dy ditëve do të shfaqet filmi The Valley Uprising, do të organizohen sheti në shtigjet rreth Pejës, në Via Ferrata ‘Ari’ dhe do të diskutohet për zhvillimin e sporteve të aventurës si mundësi e zhvillimit të turizmit në qytetin afër Bjeshkëve të Nemuna.
Në ditën e parë në Reel Rock Film Tour, është shfaqur filmi i shumëpritur “Valley Uprising” që është një tregim i pathënë më parë për kontrakulturën amerikane të bjeshkëve të ‘Yosemite’.
Për pesëdhjetë vite bjeshkët ‘Yosemite’ kanë tërhequr hulumtues dhe njerëz të “çmendur”, të cilët kanë hekë dorë nga jeta materiale dhe kanë shkuar e kaluar kohë në gurët e granitit.