3.6 C
Prizren
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Përse Lulzim Basha kryetar

ArturZheji-gazetarShkruan: Artur Zheji

 

Është vërtet një situatë e çuditshme kjo që jetojmë këto ditë. Duket sikur Partia Demokratike është ende në pushtet dhe sikur ende Kryeministër është po ai, Berisha.

Kjo lodërti gati gazmore që sjell si pasojë intervali dymujor, që kushtetutshmërisht duhet të kalojë derisa të institucionalizohet vota e qartë popullore e 23 qershorit, kjo hapësirë kohore pra, po mbushet me një palë zgjedhje të tjera.

Zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike. Dy figura simpatike dhe eficiente të demokratëve. Olldashi dhe Basha. Dy për Një. Dhe diku më tej Berisha. I dorëhequr, por ende me dorën e tij të fortë politike brenda në parti. Krijesë nga e cila nuk do të dorëhiqet kurrë. Kjo tashmë është e qartë.

E megjithatë, në PD duket sikur ka realisht zgjedhje. Kjo buron jo vetëm nga fakti formal dhe i proklamuar publikisht i procesit zgjedhor, por edhe nga tensionet dhe lobimet realisht elektorale, që duket se të dy kandidatët kanë vënë në lëvizje.

Sokol Olldashi është, pa dyshim, një figurë simpatike dhe në kontrast me mjaft prej personazheve skematike që lëvrijnë në PD. Improvizues e me sens mase, dhe pa dyshim në stilin e tij komunikativ, ndihet influenca e Berishës, por edhe e Fatos Nanos në mënyrën si i thotë apo nuk i thotë gjërat që ka për të thënë. Me batutë të hidhur dhe me pipë të ndezur, hokatar dhe agresiv sa s’ka kundrejt kundërshtarit, kur të qenit i tillë lypset vërtet. Në mungesë të Lulzim Bashës, pa dyshim që do të ishte më i favorizuari. Edhe sepse ka qenë një pd-ist i kohëve të vështira dhe i kohërave të sakrificave jo të vogla.

Ndërsa Basha, për hir të së vërtetës, shfaqet më vonë në jetën publike dhe politike të demokratëve, krejt në fund të vitit 2004. Në kohën kur dialektika politike dhe përçarja e të majtës po e çonte në perëndim pushtetin e socialistëve dhe në ngjitje të pashmangshme Partinë Demokratike. Mirëpo që në shfaqjen e tij të parë, ai koordinoi Komitetin e Orientimit të Politikave, KOP-in e famshëm pra.

Një fytyrë e re dhe pa armiq të vjetër.

Dhe kjo nuk ish pak. Sepse duhej implementuar procesi i pajtimit të madh dhe historik të asaj kohe, të segmenteve të djathta apo pseudo të tilla (por kjo është një temë tjetër), për të cilin Berisha, më në fund kish rënë dakord. Dhe këtë “pajtim” politik dhe këtë pajtim interesash nuk mund ta bënte kurrkush më mirë se sa një personazh si Basha. Pa xhepa mllefesh apo xhepa inatesh në kostumin e tij të ri holandez politik.

Ata që e sulmojnë dhe madje shumë, nuk i “falin” lidhjen e tij speciale me familjen Berisha, a thua se ky është një fenomen i ri botëror, dhe jo një premisë për politikën, e vjetër sa vetë bota.

Çështja është tjetër. Tanimë ata që nuk duan Berishën, për motivet e tyre, ndoshta edhe të arsyeshme, edhe të kuptueshme, edhe të besueshme, nuk duan më, ndonëse nuk ia pohojnë dot as edhe vetes së tyre, nuk duan pra, as edhe Partinë Demokratike. Parti e cila, për hir të së vërtetës, është e mbushur me lëndë berishiste nga themeli në çati të saj.

E pra, antiberishistët do të donin një rithemelim antiberishist të kësaj partie, në emër të frustimit të tyre personal, por jo në optikën e objektivitetit racional të proceseve. Merrni po të doni në analizë cilëndo parti europiane dhe shikoni me vëmendje racionale diagramën e raportit të liderit themelues dhe profilin politik dhe psikologjik të pasardhësit. Shumë pak ose aspak ndryshim ka në çka ndodh sot në Partinë Demokratike.

Largimi i Berishës sot vërtet lexohet objektivisht si i pjesshëm, porse procesi i mohimit dialektik sapo ka filluar. Edhe sikur vetë djali biologjik të kandidonte dhe të zgjidhej kryetar i Partisë Demokratike të babait, shumëçka do të ishte ndryshe. Kjo është vërejtur në eksperiencën mijëravjeçare të njerëzimit, në periudhat monarkike, të mbushura me atvrasje reale, ndërsa mohimi dialektik ka qenë kurdoherë i pranishëm.

Kapërcyer ky ngërç iluzor, pra berishizmi i tepërt në PD dhe berishizmi i tepërt në CV politike dhe personale të Lulzim Bashës, mbetet veçse për t’u analizuar konkurrimi spektakolar i Bashës në fushatën e vitit 2011. Pak muaj pas ngjarjeve të rënda dhe të përgjakshme të 21 janarit.

Vetëm Basha shqiptoi dhe mundej të shqiptonte në Partinë Demokratike konceptin politik se “Edi Rama nuk është armiku ynë…”.

Mund të hidhen e të thonë se vetë Berisha e dha licencën dhe autorizimin elektoral për t’u prononcuar kësisoj, e pra nuk qenka autentike. Edhe në ka ndodhur kështu, kjo ishte një formulë fituese që Basha ia shkëputi Berishës atëherë kur nuk mendohej se dikush mund ta bënte.

Dhe nëse PD i intereson rimëkëmbja dhe shqiptarëve një opozitë e fortë, kush tjetër mundet të implementojë një stil të ri të konceptit politik dhe të komunikimit politik? Qoftë edhe me miratimin e Berishës?

Kush mundet tjetër, sepse kostumi holandez i Bashës duket ende pa xhepa mllefesh politike ndërpartiake, të krijojë një rithemelim të butë dhe paqësor të Partisë Demokratike, mbi bazën e eksperiencës së KOP-it dhe, pse jo, duke e çuar më tej atë? Kontrolloni po deshët fjalimet, intervistat apo batutat e tij publike. Dhe nënvizoni po mundët një rast kur ai ka prononcuar një herë një fjalë të hidhur ndaj “renegatëve” të djathtë apo ndaj fraksionistëve potencialë.

E pra, edhe nëse dikush apo disa janë të bindur se Lulzim Basha nuk është më i miri, të gjithë në brendësi e dinë se Lulzim Basha është më i duhuri!

Për një Pajtim të Ri në të djathtën shqiptare, apo për një Fillim të Ri, si dhe ai nënvizoi disa herë në fjalën e tij debutuese si kandidat për të kryesuar Partinë Demokratike.
Dhe fakti që thuhet apo stërthuhet se ai, Basha pra, ka besimin e plotë të Berishës për këtë proces, nuk është thjesht dhe sipërfaqësisht një minus, por një premisë. Një premisë më shumë që ai dhe Partia Demokratike ka për të evoluar përmes kompromisit, dhe jo konfliktit të brezave në këtë parti.

Konflikt brezash që në Partinë Socialiste prodhoi në absurd dhe në kundërshti të numrave, pushtetin tetëvjeçar të Sali Berishës, si dhe një përçarje të gjatë e të thellë majtas.

Kuptueshëm në të majtën aktuale, mençurisht dhe logjikisht do të donin që Basha të mos zgjidhej kryetar i Partisë Demokratike. Që lufta e brezave dhe hatërmbetjeve të bënte kërdinë. Dhe një implozion i brendshëm ta hidhte në erë këtë ngrehinë të “rrezikshme” politike kundërshtare. Gjë që ka gjasa edhe të ndodhë. Por, në të njëjtën kohë, ka gjasa të përgënjeshtrohet nëse demokratët zgjedhin Lulzim Bashën. Me të gjitha “nëqoftëse”-të apo “por”-et përkatëse.

Ndonëse Sokol Olldashi, në të njëjtën kohë mund të themi se është pa dyshim një politikan sojli.

Më Shumë

22 mijë e 418 foshnja erdhën në jetë në Kosovë nga janari deri në tetor

Nga janari e deri në tetor të këtij viti, në Kosovë kanë lindur 22 mijë e 418 fëmijë. Kështu thonë të dhënat e publikuara të...

Banorët e Krushës së Vogël u vranë nga fqinjët serbë

Katër të mbijetuarit e masakrës Krushë e Vogël, u mblodhën edhe një herë në oborrin ku i shpëtuan vdekjes 26 vjet më parë. Kjo...

Lajmet e Fundit