21.1 C
Prizren
E premte, 27 Qershor, 2025

Vetëvendosje mbështet Shyhrete Berishën

Shyhrete Berishës, suharekVetëvendosje thekson se “kemi përcjellë me vëmendje raportimet rreth problemeve me trashëgimin e pronës të të mbijetuarës të luftës së fundit në Kosovë Shyhrete Berisha”.

Shembulli i Shyhrete Berisha, përballja e saj me të drejtën për pronën nxjerrë në dritë pasojat dhe përmasat e mëdha të pabarazisë gjinore e ekonomike. Gruaja, së cilës i janë vrarë të katër fëmijët dhe burri gjatë luftës, ndërkaq vetë qe plagosur duhej të gëzonte mbështetje të plotë nga institucionet dhe shoqëria. Në fakt, ajo po përballet me probleme ekzistenciale mes tyre dhe pamundësimi i të drejtës së pronës, duke qenë se është grua.

“Koordinata me të cilën matet shoqëria jonë duhet ta themi që është ajo e patriarkalizmit, dukuri që gjen vend përmes dështimit të shtetit të Kosovës, si kah dhe si funksion. Ligjërisht, gruaja ka të drejtë për pronë edhe tek ‘gjinia’ edhe tek bashkëshorti. De facto ndodhë që mbetet pa asnjërën e pa asgjë”.

“Nga ky kompozicion shoqëror, gruaja është e detyruar që për të qenë e pranueshme, si tek familja e babait ashtu tek dhe familja e bashkëshortit, të heqë dorë haptazi nga trashëgimia. Por në sistemin në të cilin jetojmë t’ia mohosh dikujt pronën, do të thotë t’ia mohosh mirëqenien. Ndarja e pabarabartë e të mirave materiale, në shumicën e rasteve atyre ekzistenciale siç është strehimi, është në fakt privim nga vetë jeta”.

“Shyhrete Berisha është shembulli më i rëndë që tregon se sot derisa shoqëria po zhytet në varfëri, gratë po e vuajnë dyfish këtë gjendje. Trashëgimia familjare në Kosovë është e rregulluar me Ligjin për Familje ku e drejta e trashëgimisë u jepet të gjithë anëtarëve të familjes, pa dallime gjinore. Këtu ligështia institucionale kombinuar me zbatimin e zakonit na ka sjellë në rezultatin e përjashtimit të gruas nga kjo e drejtë e të tjera të ngjashme ekonomike”, thuhet në kumtesën e VV-së.

Lëvizja Vetëvendosje! synon barazinë dhe angazhohemi në krijimin e kushteve të barabarta që të arrihet barazi në rezultate.

“Barazia gjinore nuk do të jetë e mundshme pa barazi ekonomike e sociale. Ligjet të cilat flasin për barazi nuk e kanë përmirësuar jetën e gruas në Kosovë. Gruaja sot mban peshën e dyfishtë të kujdesit ndaj punëve të shtëpisë dhe të punës me pagesë. Ndërkaq, në rastet edhe më të shpeshta përballet me papunësi”.

“Puna dhe të ardhurat materiale ia përcaktojnë asaj vetëdijen dhe përvojat jetësore. Shtypja e përditshme e grave duhet luftuar çdo ditë. Çështjet madhore si kjo nuk fitohen pa luftuar, ndaj shoqëria duhet të reagojë kolektivisht. Burra dhe gratë së bashku duhet bërë bashkë për kontroll e ndarje më të barabartë të pasurisë”.

Sipas VV-së, rasti i Shyhrete Berishës duhet të jetë fija e cila, përmes trysnisë qytetare, duhet ta marrë pronën që i takon, dhe ta zgjidhë lëmshin e madh që e ka krijuar sistemi politik-ekonomik.

Mirëpo, kjo nuk ndodhë pa shkundje shoqërore prej sistemeve të vjetra, e kjo bëhet nëpërmjet një shteti të së drejtës që ka për synim barazinë shoqërore e ekonomike. /PrizrenPress.com/

Më Shumë

Tre noterë të rinj fillojnë punën në Komunën e Prizrenit

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, Shpresa Emra, ka pritur sot në takim tre noterët e rinj: Sadeta Fazlji, Hasan Haxhaj dhe Egzon Lajqi,...

Rruga Prizren–Tetovë drejt finalizimit, tuneli 6.4km do të lidhë dy qytetet

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka njoftuar se punimet për rrugën Prizren-Tetovë po vazhdojnë në anën kosovare të malit Korf (Vërtop), ndërsa nga ana...

Lajmet e Fundit