13.9 C
Prizren
E enjte, 24 Prill, 2025

Ja pesë shtyllat e programit qeverisës PDK-LDK?

Mustafa-Thaci14-26Grupet punuese të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës ende nuk kanë arritur që ta harmonizojnë në tërësi programin e ardhshëm qeverisës. Mbase në fundjavë pritet që të përmbyllet edhe çështja e programit.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Blic një nga anëtarët e këtij grupi punues, që ka preferuar të mbes anonim.

Sipas këtij burimi gjatë takimeve të këtyre grupeve punuese janë marrë pikat kyçe që dy partitë kanë prezantuar gjatë fushatës së kaluar elektorale.

“Janë marrë pikat kyçe të programeve të të dyja partive dhe e kemi bërë një program të përbashkët”, ka thënë ky burim.

Sipas këtij burimi programi i qeverisë së ardhshme PDK- LDK është i mbështetur në pesë shtylla kryesore:
(1) zhvillimi ekonomik dhe punësim;
(2) sundimi i ligjit dhe qeverisje e mirë;
(3) agjenda evropiane
(4) arsimi dhe
(5) shëndetësia.

Sipas këtij burimi ende nuk janë ndarë as postet ministrore. “Grupet punuese nuk janë marrë me ndarjen e posteve”, ka thënë ky burim.

Ndryshe, sot dy javë është arritur marrëveshja ndërmjet Hashim Thaçit e Isa Mustafës për bashkëqeverisje, mirëpo ende deri më tani nuk është detajizuar kjo marrëveshje. LDK insiston se asaj i takon kryeministri.

Burime brenda PDK-së ndërkohë i kanë thënë Gazetës Blic se Hashim Thaçi qëllimisht e ka shtyrë marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës deri pas kthimit nga New Yorku.

Sipas këtyre burimeve, Hashim Thaçi po shpreson që gjatë vizitës në New York të lobojë tek zyrtarë të lartë amerikan, në mënyrë që të ndikojnë tek Jahjaga, që kjo e fundit të jap dorëheqjen dhe kreu i PDK-së të vij në krye të shtetit.

“Thaçi gjatë kësaj vizite do të ketë takime edhe me zyrtarë të lartë amerikan. Në ato takime ai do të mundohet që të loboj që të vij në vend të Jahjagës, pra në krye të shtetit. Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore se përse nuk u nënshkrua marrëveshja me LDK-në para vizitës që do ta ketë në New York”, ka thënë ky burim brenda PDK-së.

Mbetet të shihet nëse Thaçi nuk do të mund ta përshpejtojë shkuarjen e Jahjagës se çfarë pozite do ketë në Qeveri apo nëse do ngelet vetëm deputet i PDK-së në Kuvend.

Më Shumë

Lajmet e Fundit