16.8 C
Prizren
E diel, 2 Qershor, 2024

500 mijë euro e bëjnë Prizrenin me bibliotekë moderne

gurthemeli i bbPas zvarritjes prej disa muajsh, në Prizren ka nisur ndërtimi i bibliotekës moderne, që parashihet t’i plotësojë nevojat e qendrës së dytë më të madhe në vend, pas Prishtinës, që pos kolegjeve private, tashmë ka edhe Universitetin Publik.

Prizreni më në fund ka nisur njërin nga projektet më të rëndësishme në fushën e kulturës dhe të arsimit. Ndërtimi i këtij objekti, që pritet të jetë i gatshëm pas një viti është zvarritur shkaku i lokacionit, që mendohej se ndodhej në Zonën e Mbrojtur të qytetit. Sipas zyrtarëve lokalë në Ministrinë e Kulturës fillimisht kishin kërkuar ndërrimin e projektit, me arsyetim se gjoja kjo pjesë ndodhet në Zonën e Mbrojtur Historike, ndërsa dy javë më parë përmes një shkrese, drejtuar Komunës është lejuar fillimi i punimeve, pasi siç është thënë kjo pjesë nuk ka qenë brenda kësaj Zone.

Drejtori për Urbanizëm në Prizren, Nijazi Kryeziu, në mbledhjen e fundit të Qeverisë lokale e ka njoftuar kryetarin e Komunës, Ramadan Muja, se pengesat ishin tejkaluar dhe se mund të caktohej dita për fillimin e ndërtimit të bibliotekës.

Në ceremoninë simbolike të vënies së gurthemelit, kryetari Muja e ka vlerësuar si një ngjarje të veçantë nisjen e këtij projekti, pasi qytetit që tashmë është shndërruar në një qendër universitare i ka munguar një bibliotekë, që do të ofrojë kushte të mirëfillta për dashamirët e librit.

Urim Ukimeri, koordinator në sektorin e Kulturës në kuadër të Komunës së Prizrenit, ka thënë se projekti parasheh që objekti të shtrihet në një hapësirë prej 27 ari, diku në mes të qytetit, në lagjen “Tabakhane”, gjegjësisht në ish-hapësirën e Spitalit të vjetër të mushkërive. “Objekti i ri i bibliotekës do të jetë modern, ndërsa gjatë hartimit të projektit janë parasysh nevojat e qytetit për një projekt të tillë, përfshirë edhe numrin e banorëve dhe të studentëve aktualë”, ka thënë ai.

Objektit që ka etazhitet P+1 dhe kap vlerën rreth 500 mijë euro, ndërsa në fazën e parë, Muja ka thënë se janë paraparë rreth 150 mijë euro.

Nëse punimet shkojnë sipas dinamikës së paraparë, që është 250 ditë pune, atëherë studentët e kësaj ane, pas një viti nuk do të kenë nevojë të zgjohen në mëngjes, sidomos në prag të afatit të provimeve për të zënë ndonjë vend, në sallën e tepër të ngushtë të Bibliotekës aktuale, që funksionon në objektin e Shtëpisë së Kulturës në Prizren.

Ndonëse nuk është edhe shumë afër Universitetit Publik të Prizrenit biblioteka e re nuk është aq larg. Në fakt objekti është më afër gjimnazit gjuhësor, atij shkencor dhe Shkollës së Mesme Teknike, si dhe dy shkollave fillore./zeri/

Më Shumë

Arbër Rexhaj: Nuk bëjmë kurrë koalicion me PDK-në, pikë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj është shprehur shumë i bindur se kjo parti nuk do të bëjë kurrë koalicion me PDK-në “Ne nuk bëjmë...

52 aksidente brenda 24 orëve

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 16 aksidente trafiku me të lënduar, dhe 39 me dëme materiale. Brenda kësaj periudhe janë shqiptuar 2 mijë...

Lajmet e Fundit