5.7 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

A do të rriten çmimet nga ndalimi i mallrave serbe?

Autoritetet përgjegjëse në Kosovë zotohen se do t’i rrisin angazhimet në monitorimin e tregut, në mënyrë që të parandalohet rritja eventuale e çmimeve, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e hyrjes së mallrave serbe në vend.

Ky vendim u mor më 15 qershor, pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe.

Kryeministri Albin Kurti e cilësoi ndalesën si masë të sigurisë, dhe jo ekonomike apo tregtare.

Për arsye të ndryshme, Kosova, edhe në të kaluarën, ka marrë masa kufizuese kundër prodhimeve serbe – të cilat janë ndër më të pranishmet në tregun vendor – gjë që ka rezultuar pastaj me rritje çmimesh.

E pyetur nga REL-i se çfarë masash do të ndërmarrë për parandalimin e rritjes eventuale të çmimeve, Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë thotë:

“Kur ka çështje apo dukuri që kërkojnë fokus dhe angazhim më të madh, rritet numri i inspektimeve, punojmë me orar të zgjatur dhe jemi të angazhuar edhe gjatë ditëve të fundjavës”.

“Inspektorati i Tregut do ta monitorojë tregun dhe në rast se konstatohet çfarëdo shkeljeje e dispozitave ligjore në fuqi, do të ndërmerren masa ndëshkuese”, thotë deklarata, pa specifikuar më shumë.

Në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, në rast se gjendet ndonjë parregullsi gjatë monitorimit, gjobat sillen nga 1.000 deri në 4.000 euro.

Nga Autoriteti i Konkurrencës së Republikës së Kosovës pohojnë po ashtu për REL-in se, pas rrethanave të krijuara, “do të fokusohen te kontrollet e çmimeve të produkteve bazë – miellit, grurit, vajit, sheqerit, qumështit”.

Serbia është ndër vendet me praninë më të madhe të produkteve, qoftë ushqimore apo edhe të tjera, në Kosovë.

Brenda një dite, ky shtet eksporton mallra në Kosovë në vlerë prej një milion eurosh.

Me rritje të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, Kosova është përballur që nga fundi i vitit 2021, kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit. Hov, pastaj, u ka dhënë edhe pushtimi rus i Ukrainës, i cili ka nisur në fund të shkurtit, 2022.

 

Vitin e kaluar, Kosova e ka përmbyllur me normë mesatare të inflacionit gati 12 për qind.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, beson se në një periudhë afatshkurtër, bizneset nuk do t’i lëvizin çmimet e produkteve.

 

“…mirëpo, nëse bizneset detyrohen që lëndën e parë, që e kanë blerë në rajon, në këtë rast në Serbi, ta sjellin nga Kina apo nga ndonjë vend i largët, kjo do ta rrisë koston e lëndës së parë dhe do të ndikojë në çmime. Jo me vullnetin apo dëshirën e prodhuesit dhe të importueseve tanë, sepse edhe këta kur ta prodhojnë produktin final dhe kur ta shesin në tregun evropian, do të jenë më të shtrenjtë”, thotë Rafuna.

Ngjashëm shprehet edhe Arben Tërshnjaku, menaxher në kompaninë “Liri” në Prizren, e cila merret me prodhimin e produkteve të ndryshme ushqimore.

“Çmimet e produkteve nuk rriten vetëm me një lëvizje. Fabrika ‘Liri’ ngrit çmimet vetëm në rastet kur ka lëvizje të kostove. Ne nuk kemi lëndë të parë që e marrim nga Serbia”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Kompania “Pestova” në Vushtrri merret me përpunimin dhe prodhimin e patates. Pronari i saj, Bedri Pestova, zotohet se në rast të rritjes së kërkesës për prodhimet e tij, çmimet e tyre nuk do të ndryshojnë.

Kur në fund të vitit 2018, Qeveria e Kosovës vendosi taksë, fillimisht 10% e më pas 100%, mbi produktet e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, rritja e çmimeve të produkteve në tregun e Kosovës nisi të vërehet gradualisht.

Katër muaj pas vendosjes së taksës, e cila ka mbetur në fuqi për më shumë se një vit, të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës kanë treguar se shkalla e inflacionit është rritur – në mars të vitit 2019 ka qenë 3.3 për qind, në krahasim me muajin mars të vitit 2018.

Më Shumë

Dragashi inicion procedurat për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal

Qeveria komunale e Dragashit në mbledhjen e fundit ka marrë vendim që të iniciojë procedurat e prokurimit për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal. Sipas njoftimit,...

Edhe Kosova ndalon mandarinat nga Shqipëria

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka thënë se po e monitoron situatën pasi Sistemi Evropian i sigurisë ushqimore ka ngritur alarm për ngarkesat me...

Lajmet e Fundit