A duhet që shqipja të jetë ishull më vete?

Historia e krijimit të gjuhëve na njeh me Mitin e Babilonit (synimi për absoluten dhe dënimi për të folur gjuhë të ndryshme) në një të kaluar të largët e me shenja që janë bartur në kohërat e mëvonshme, për të arritur deri në ditët tona e për të na dëshmuar se shqipja ka një lashtësi, një vend të sajin dhe një emër që sot e rrethojnë studimet e shumta bërë mbi të.

Shpesh lind pyetja se si kanë arritur njerëzit t’i ruajnë elementet gjuhësore në kohë trazirash (përfshirë këtu: fjalët me burim vendas, format e tyre, rregullat sintaksore, numrin e fjalëve që sot përfshihen në fjalorë etj) dhe si në kohëra të tilla, kur u është rrezikuar jeta, të pranonin të huajën e tjetrit dhe ta bënin pjesë të përditshmërisë sa më natyrshëm, krejt kjo duke synuar mbijetesën dhe lënien e dëshmive që të paraqisnin lashtësinë dhe ekzistencën e saj si gjuhë.

Por, nga ana tjetër, duke e pasur të njohur historinë e shqipes është shumë e lehtë të thuhet se ajo si e tillë me kalimin e shekujve ka marrë nga gjuhët tjera, herë në rast nevoje e mungese fjalësh, e herë të tjera e detyruar nga sunduesi që nuk ia solli vetëm të huajën në çdo pikëpamje, por ia kujtonte çdo ditë se kryefjala e tij ishte: “Përça e sundo!”
Meqë shqipja si gjuhë bën pjesë në familjen indoevropiane, gjegjësisht në grupin e saj të parë të quajtur satem dhe kjo u vërtetua nga Franc Boppi, me veprën e tij “Përmbi shqipen në lidhjet e afërsisë së saj” të vitit 1854, brenda gjirit të saj te pjesët e trashëguara gjejmë: fjalët në fjalorë që me kalimin e kohës kanë pësuar edhe ndryshime, numërorë të thjeshtë, numërorë të përbërë dhe ata nga 11 deri në 19, kundërvënien e zanoreve të gjata dhe të shkurtra, trashëgim edhe te ca pjesë të ligjëratës (tek emrat, mbiemra, përemrat, foljet), përfshirë këtu edhe dukuritë arkaike (l-ll, kl, gl- q, gj, n-r), ndër të cilat ajo ka të përbashkëta edhe me gjuhët tjera indoevropiane, e në veçanti me rumanishten, bullgarishten, greqishten e maqedonishten (gjuhët ballkanike).

Po të ndalemi vetëm në faktin se a duhet që shqipja të jetë ishull më vete, atëherë do të duhej të mohonim ballkanizmat (dukuritë e përbashkëta të popujve të Gadishullit Ballkanik), si: prapavendosja e nyjës shquese, formimi i kohës së ardhme me foljen ndihmëse “dua”, njësimin formal të rasës gjinore e dhanore, zëvendësimin e paskajores me lidhoren dhe rimarrjen e kundrinave me anë të formave të përemrave vetorë, ndonëse shqipja ka ndjekur një rrugë evolucioni të vetën.

Pra, vetë ky fakt na çon të theksojmë se dukuritë që shqipja i ka të përbashkëta me gjuhët tjera, nuk e lënë atë të dalë ishull më vete e të pranohet si e tillë jo vetëm nga studiuesit e saj, por edhe nga shqipfolësit. Me këtë rast ne do të duhej të linim anash huazimet greke (greqishtja e mesme dhe e re) të shqipes: trëndafil, manastir, dafinë, skile, demokraci, fonetikë, morfologji, sintaksë, poligon etj; huazimet romane (italiane e frënge), si: monedhë, barkë, vapor, muzikë, soprano, byro, bluzë, natyrë, timon etj; huazimet sllave: grusht, kosë, çekan, lopatë, mace, trup, patë, kyç etj; si dhe huazimet turke: haraç, bej, pasha, bahçe, mejdan, çorap, hambar, bajrak, mavi etj.

Nga gjithë kjo do të duhej që shqipja të ishte e vetme, të mos jepte e të mos merrte nga asnjë tjetër, të mos i njiheshin vlerat që ajo ka në raport me gjuhët tjera ose të lihej me atë numër të konsiderueshëm fjalësh që ajo barti nga ilirishtja e si e tillë të ishte e pamundur t’i njihej larmia ose epërsia që kishte mbi gjuhët tjera, e të mos mendohej më për një veçim të saj.

Shkroi – Adelina XHAFERI

Më Shumë

Komuna e Suharekës pajis “Eko Therandën” me mjete të reja për përmirësimin e shërbimeve publike

Në Komunën e Suharekës janë pranuar pajisje të reja të dedikuara për Ndërmarrjen Publike Lokale “Eko Theranda”, me qëllim të fuqizimit të kapaciteteve operacionale...

24 orë në Kosovë: Dy të vdekur në aksidente, dhjetëra të lënduar

Dy aksidente me fatalitet janë shënuar gjatë ditës së djeshme në vend, sipas statistikave të Policisë. Përveç tyre, gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur edhe 35...

Lajmet e Fundit