22.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

AAK-ja, e etur për pushtet

Enis Veliu

Problemet e vazhdueshme politike mes opozitës dhe pozitës edhe më tuje po e dëmtojnë shtetin tonë sidomos në aspektin ekonomik karshi investitorëve të huaj, të cilët dëshirojnë një pjesë të kapitalit të tyre ta investojnë në vendin tonë.

Janë bërë më shumë se një vit prejse janë mbajtur zgjedhjet e fundit nacionale në vend, por nga ajo kohë e deri më tash liderët e partive politike nuk po mund t’i zgjidhin problemet mes vete e ku pasojat gjithmonë po i vuajnë qytetarët e pafajshëm të Kosovës.

Para formimit të Qeverisë ishte pikërisht LDK-ja së bashku me LVV-në, AAK-në e “Nismën” që për kohë relativisht të gjatë bllokuan formimin e institucioneve. Në këtë përbërje lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, qëllim të vetëm të tij e kishte “kapjen” e postit të kryeministrit. Por, pasi që nuk e arriti një gjë të tillë blloku i krijuar menjëherë pas zgjedhjeve të fundit u thye përfundimisht.

Pas akomodimit të LDK-së në Qeveri, primatin për të krijuar probleme brenda dhe jashtë institucioneve e mori AAK-ja e Ramush Haradinajt. Kjo e fundit në fillim nisi me kundërshtime të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë dhe kundërshtimin e demarkacionit me Malin e Zi, por me kohë ndryshoi qasjen, harroi këto dhe kërkoi zgjedhje të jashtëzakonshme në vend. Në këtë frymë për një kohë vazhduan së bashku me LVV-në e “Nismën”, por kësaj radhe ishte pikërisht lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ai i cili dalëngadalë po heq dorë nga blloku, pasi që primatin për të udhëhequr nuk po ia lëshon “Vetëvendosja”, e cila po e do liderin e saj në krye të çdo grumbullimi, qoftë proteste apo grupimi të ri politik për zgjedhje të reja në vend.

Tash së fundi po shihet qartë se AAK-ja po del të jetë tej mase e etur për pushtet, pasi që në vazhdimësi po ndërron qëndrimet e qasjet e saj.

Çdo ditë e më shumë po ofrohet me PDK-në e Kadri Veselit, për të cilin Haradinaj kishte thënë se nëse ky e ndërron qasjen e partisë, ai do të jetë i gatshëm të bashkëpunojë për ndonjë koalicion të mundshëm qoftë tash apo në të ardhmen.

Bllokada institucionale tej mase ka lodhur vendin në aspektin ekonomik, pasi që, siç po shihet në vazhdimësi, kompanitë e mëdha të huaja tashmë nuk janë të interesuara për vendin tonë. Duke u bazuar në të dhënat zyrtare shihet shumë qarrtë se kompanitë e huaja tash nuk po vijnë në Kosovë për të investuar në hapjen e vendeve të reja të punës, por kryesisht për të bërë tregti me prona, ndërtim apo edhe punë të ngjashme, ku krijohet profit i madh për individë pa punësuar numër të madh të punëtorëve.

Situata në këtë drejtim po keqësohet edhe më shumë, sidomos pas mbylljes së “Ferronikelit” në Drenas, fabrikë kjo e cila për një dekadë ka ruajtur qetësinë sociale në komunën e Drenasit. Këtu kanë krijuar të hyra në mënyre direkte dhe indirekte rreth 1000 familje, por pas mbylljes së saj tash pjesa dërrmuese e tyre ia mësyu dyerve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për të kërkuar asistencë sociale.

Është momenti i fundit kur liderët politikë të vendit duhet të lënë anash interesat e tyre personale dhe të bashkohen për zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës. E nëse nuk ndodh një gjë e tillë shumë shpejt Kosova do të jetë e varur 100% prej tregtisë, pasi që dalëngadalë edhe ato pak fabrika, që kanë punuar qoftë me numër të vogël të punëtorëve, kanë filluar të mbyllen

Më Shumë

E rrahën një person dhe e futën me forcë në veturë, arrestohen katër burra në Prizren

Katër burra janë arrestuar në Prizren pasi që të njëjtit pas një zënke e kanë sulmuar fizikisht një person. Sipas policisë, të dyshuarit e kanë...

Ish- kandidati për kryetar të Suharekës nga PDK-ja aderon te Nisma

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka prezantuar aderimin më të ri në parti, doktor Murtez Zekolli. Në një konferencë për media të mërkurën, Limaj...

Lajmet e Fundit