3.6 C
Prizren
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Agim Musta: Pengu i Havzi Nelës në qeli, s’u bë kurrë baba

Agim MustaPak ditë më parë u shënua 25-vjetori i vdekjes së poetit kuksian Havzi Nela. Ishte 10 gushti i vitit 1988, kur rreth orës 2 të mëngjesit, në agim të ditës, ai u var në mes të qytetit verior, për të tmerruar sa më shumë të qe e mundur bashkëqytetarët që ua kishte enda të ndiqnin rrugën e tij. Ky dënim me vdekje do të shënonte të fundit në Europën Lindore e komuniste. Miku, bashkëvuajtësi dhe njëherazi studiuesi Agim Musta, flet për Nelën në përvjetorin e ikjes së poetit. Kujtimet në burg, bisedat me të, vendimi me vdekje, pengjet dhe burrat e gratë që i firmosën vdekjen vijnë të rrëfyera nga Musta.

Z.Musta, si e keni njohur Havzi Nelën?
E kam pasur bashkëvuajtës sepse kemi qenë në të njëjtin burg bashkë. Përpos kësaj, kemi qenë edhe kolegë, sepse të dy kishim punuar mësues, unë historie e ai letërsie.
Si e mbani mend?
Ishte njeri që skuqej, ishte unikal nga të burgosurit. Studionte shumë. Arrita t’i gjeja një fjalor frëngjisht-shqip që të mësonte gjuhën në burg. E mbaj mend si një njeri jashtëzakonisht të dashur. Gojëmbël, Havziu bënte çmos të zbatonte rregulloren e burgut.
Në ç’vit e keni njohur?
Ishte viti 1968 dhe në atë kohë kemi qenë në Elbasan, ku bënim punë kampi të detyruar. Më tej, kemi qenë bashkë edhe në Ballsh, Reps dhe Spaç. Unë, në vitin 1972 u lirova, ndërsa Havziu qëndroi në burg deri më 1980.
E internuan më tej, në një katund të largët të Kukësit. Një ditë i shkoi fjala se e ëma po vdiste. I thanë se asaj nuk i dilte shpirti pa e parë të birin. U nis për te nëna, po rrugës takoi të plotfuqishmin e zonës. Mbas një debati që patën mes tyre, Havziu e ofendoi atë, ndërsa i plotfuqishmi i tha se do të përgjigjej për largimin nga internimi. Pas kësaj, Havziu e qëlloi dhe e arrestuan.
Më tej, erdhi dënimi me vdekje. Pse kaq i rëndë?
Në bazë të dokumenteve me të cilat jam njohur në demokraci, rezulton se komiteti i partisë së Kukësit i ka dërguar relacion Tiranës për çështjen e Havziut. Në të thuhej se Nela duhej bërë shembull për të mbyllur gojët e njerëzve që flasin keq për reformat e partisë komuniste. Dhe kështu u bë, ai u arrestua dhe për të u kërkua varja.
Sipas jush, ai u flijua?
Po, u bë fli i situatës së rëndë në Shqipëri. Ishte viti 1988 dhe atij dhanë një dënim shembullor. E varën poetin, siç kishin bërë edhe me Trifon Xhagjika, Genc Leka, Vilson Blloshmi. Mos harroni që ai u vra më 10 gusht 1988 e pas një viti ra Muri i Berlinit, duke shënuar edhe rënien e sistemit komunist.
Si qe jeta në burg?
Kam qenë në burgje për 11 vite e ndër këto kam jetuar edhe me Havziun. Duke filluar që nga burgu i Burrelit. Aty mësova historinë reale të Shqipërisë, pasi kishte nënpunës të lartë që kishin mbajtur poste të mira që 1920 e më vonë. Ishin në burg, dhe flisnin lirshëm duke mos pasur frikë të tregonin të vërtetën siç ndodhi. Dikur e mbyllën gojën se ridënoheshin. Me Havziun kam jetuar në vitet 1968-1972. Ishte poet i lindur, që kërkonte të drejtën. Shkaku që ai bëri tentativën për të ikur, ishte po ky, liria. Ishte koha kur u prishën institucionet fetare. Ai u ngrit në mes të popullit dhe tha: ‘ato janë institucione që ndihmojnë në moralin e njerëzve’. Po kjo binte ndesh me parimet e Partisë.
Pse u arrestua në Prizren?
Pasi shkoi në Prizren, UDB jugosllave kërkoi ta rekrutojë si agjent që të punonte për ta, pra iu kërkua të bëhej armik i vendit të tij. Havziu nuk pranoi, ata e arrestuan në Prizren dhe e kthyen këtej sërish ku u dënua me 15 vjet burg. Në fakt, Nela kërkonte liri, kërkonte të mos ekzistonte frika, që jeta të mos ishte e zymtë dhe e varfër. Çdo gjë që prodhohej vinte në depo, fshatarët mezi ushqeheshin. Gjithmonë kishim shpresë se nuk do të vazhdonte për shumë kohë, sidomos pas vdekjes së diktatorit.
Si ishte të punoje në kampe?
Ne ishim skllevër të shek. ’20. Punonim 2 turne dhe hanim një garuzhde oriz të prishur ose gjellë me patate. Shumë njerëz bënë vetëvrasje. Edhe në kampet e tjera gjendja ishte skllavëruese.
Vetë Kryeministri i Shqipërisë thoshte: Aty ku vë këmbën Enver Hoxha, ne duhet të vëmë kokën.
Ku i shkruante poezitë Havzi Nela?
Havziu bënte poezi dhe i shkruante në fletë të vogla. Ishte me rrezik edhe kjo, se kishim kontrolle me nga 200 policë herë pas here, dhe po të gjenin të tilla gjëra, ridënoheshe. Kështu u dënua Kujtim Luzaj, djali i Isufit për disa vargje për diktaturën.
Kujt i këndonte Havziu?
Ai i këndonte lirisë dhe shpresonte se edhe këtu do të kishte drejtësi. Poezitë e kohës së burgut janë mbledhur dhe janë botuar. Nga koha e burgut nuk ka edhe aq shumë, sepse qe e vështirë t’i ruaje letrat e vogla.
Kush vinte ta takonte në burg?
Vëllai i vet vinte.
Po e shoqja?
Lavdia u dënua me burgim si fillim se ishte arratisur me Havziun, me pas përfitoi nga amnistia dhe u çua në internim. Ka qenë e persekutuar për vite me radhë derisa erdhi tranzicioni.
Ata të dy nuk takoheshin?
Nuk kishin se si të takoheshin. Njëri ishte në burg e tjetri në internim. Megjithatë, Lavdia ka marrë pjesë aktive në aktivitetet që bëhen për Havziun.
A ishte tip që kishte përplasje në burg Nela?
Jo. Ishte tip i qetë.
A kërkoi ta rekrutojë Sigurimi?
Të gjithë tentonin t’i bënin pjesë të Sigurimit.
Çfarë pengu kishte Havziu?
Mbase se nuk mundi të kishte një fëmijë. Shkak për këtë u bë mungesa e lirisë. U privua dhe s’kishte shumë vjet që ishte martuar kur u dënua.
Një ndër debatet që shoqëron emrin e Havzi Nelës ka të bëjë edhe me ata që e dënuan. Emri më i përfolur është ai i babait të kryeministrit të zgjedhur, Edi Rama, z. Kristaq Rama. Sa faj kishte ai për dënimin e Nelës?
Babai i Edi Ramës ishte anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Për dënimet me vdekje vendimin e jepte ky presidium, në rastin kur i dënuari kishte kërkuar falje të jetës. Si në rastin që jepej falja, edhe në rastin që nuk jepej, të gjithë anëtarët e këtij presidiumi hidhnin firmën në vendim.
Vendimi ka emrat e gjithë firmëtarëve të presidiumit, e mes tyre është edhe Kristaq Rama, i ati i kryesocialistit Edi Rama. Emrat e anëtarëve të Presidiumit Popullor nisin me ish-presidentin Ramiz Alia, Rita Markon, Xhafer Spahiun, Emine Gurin, Sihat Tozajn, Eleni Selenicën, Faik Çinajn dhe vijon më tej me emrat e Kristaq Ramës, Lumturi Rexhës, Petrit Gaçes, Rrahman Hankun, Simon Ballabanin, Sotir Koçollarin, Stefan Qirjakon dhe Terezina Marubin.
Çfarë postesh mbanin këta emra në arë kohë?
Sihat Tozaj ishte sekretar i presidiumit, Faik Çinaj qe anëtar i tij, Simon Ballabani qe zëvendës ministër i Mbrojtjes, Petrit Gaçe ishte doktor i Enverit dhe i Bllokut, Stefan Qirjako më duket se ka qenë ekonomist, Terezina Marubi ishte anëtare e presidiumit dhe funksionare në Komitetin Ekzekutiv të Shkodrës, Lumturi Rexha ishte kryetare e gruas shqiptare e anëtare e Komitetit Qendror, Rrahman Hanku ishte ministër i Ndërtimit dhe anëtar i presidiumit, Sotir Koçollari ishte anëtar i presidiumit, Rita Marko anëtar i Byrosë Politike, Xhafer Spahiu qe zëvendëskryeministër, nga Gjakova me origjinë dhe anëtar i presidiumit, Emine Guri qe sekretare e parë e Partisë për Beratin dhe anëtare e K. Qendror, Eleni Selenica qe Kryetare e Gjykatës së Lartë, një grua që ka dhënë shumë dënime me vdekje. Ndërsa Ramiz Alia ishte sekretar i parë e kryetar i Qeverisë shqiptare. Pas një viti u rrëzua muri i Berlinit dhe vendimi që vrau Nelën ishte vendimi i fundit me vdekje në Bllokun komunist.
A janë këta të gjithë emrat apo duhet të ketë të tjerë?
Ndoshta mungojnë një a dy, po anëtarët e presidiumit ishin këta.
Vetëm presidiumi ia falte jetën një njeriu dhe këta nuk e bënë. Nuk varej nga një njeri vendimi, ai merrej në grup.
Presidiumi merrte mendimin e Enverit, po në këtë kohë ai kishte vdekur. Unë them se faji për vdekjen e Nelës i shkon gjithë presidiumit dhe Kristaq Rama nuk ka rol të veçantë. /BalkanWeb)

Më Shumë

Prizren/Avokati Asdren Mekaj shpallet i pafajshëm, lirohet nga akuzat për “detyrim”

Avokati Asdren Mekaj është liruar nga të gjitha akuzat që rëndonin mbi të lidhur me veprën penale “detyrim”. Aktgjykimi lirues është shpallur sot në Gjykatën...

Nëntë filma të shfaqur në DokuFest në listë të gjatë për Çmimet Oscar

DokuFest bën të ditur se tetë nga nëntë këta filma janë shfaqur këtë vit në edicionin e 23-të, ndërsa Queendom ishte pjesë e festivalit...

Lajmet e Fundit