9.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Akademia e Shkencave shënoi 40-vjetorin e themelimit

(E plotësuar) Me një program të veçantë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës përmbylli këtë vit duke shënuar një përvjetor të rëndësishëm, 40-vjetorin e themelimit.

Në programin që u hap me intonimin e himnit kombëtar dhe atij shtetëror, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami, gjatë fjalimit të tij tha se në fillim të viteve të ’70-ta nevoja për dije, kulturë dhe emancipim shtyri krijimin e një institucioni të shkencës dhe artit me emrin akademi.

“40 vjet histori të këtij institucioni mund mos të duken shumë krahasuar me jetën e akademive me traditë të lartë, por për ne janë si katër shekuj të përshkruar me shumë sakrifica, ngritje dhe rënie si rezultat i zhvillimeve politike e shoqërore në Kosovë. Kthesat e mëdha shoqërore, urrejtjet dhe represionet e deri te përpjekja për zhbërjen biologjike janë ngjeshur në ecjen tonë e në rrugën e mundimshme për të arritur gjer këtu”, tha ai.

Tutje, Islami foli edhe për pritjet e shoqërisë kosovare që ASHAK të reagojë për zhvillimet politike, duke thënë se detyra e akademisë nuk është të luajë rolin e opinionistëve dhe të komentojë politikat ditore.

Për t’u takuar me akademikët e për të folur për veprimtarinë e akademisë ndër vite erdhën edhe presidentja, Atifete Jahjaga, kryeministri, Isa Mustafa dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Presidentja Jahjaga tha se shtetbërja e Kosovës bazohet në punën e përbashkët të secilës pjesë së shoqërisë sonë dhe se Akademia e Shkencave dhe Arteve ka forcë dhe potencial për të dhënë kontributin e vet.

“Rëndësia e inkuadrimit të akademisë në këto procese është jetike për vendin sepse ndërton konsensuse në shoqëri dhe strategjia zhvillimore do të bazohej në vlerat e rezultateve shkencore e në rrethana shoqërore. Akademia ka rol në ndërtimin e shtetësisë së Kosovës dhe forcimin e demokracisë sonë të re, sepse në duhet të ndërtojmë kulturën tonë të dialogut dhe ta pasurojmë diskursin në sferën tonë publike”, tha ndër të tjera Jahjaga.

Për rolin e ASHAK-ut foli edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke përmendur edhe akademikët që nuk jetojnë më. Veseli tha se nëse ka një thënie që më së miri e shpreh punën e akademisë ajo është “Urtia jonë e lashtë dhe e vërteta na bën të lirë”.

“Ne u bëmë të lirë kur e vërteta historike e popullit tonë triumfoi mbi gënjeshtrën dhe falsifikimin e historisë. Të nderuar akademikë, ju duhet të ndiheni krenarë me punën tuaj në shërbim të kësaj të vërtete dhe të drejtës natyrore që ka secili popull për të qenë i lirë”, tha Veseli.

Anëtar i kësaj akademie, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, tha se ka nderin dhe kënaqësinë që këtë përvjetor të 40-të po e uron në emër të Qeverisë së Kosovës.

“Duke shërbyer si prijës e shkencës dhe e dijes, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka luajtur rolin më të rëndësishëm, rolin shkencor dhe kulturor. Angazhimi që ka buruar nga akademia është i rëndësisë esenciale për progresin në vendin tonë në rrafshin historik, politik, ekonomik e social. Një gjë është e sigurt, pa Akademinë e Shkencave dhe të Arteve, pa mendimin veprues të saj, Kosova dhe populli i Kosovës nuk do të ishin këtu ku jemi ne sot”, tha ndër të tjera Mustafa.

Fjalë rasti majtën edhe disa akademikë të tjerë, anëtarë të ASHAK-ut. Në shënimin e këtij përvjetori morën pjesë edhe mysafirë nga akademitë simotra nga Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia e Sllovenia.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës u themelua në vitin 1975, fillimisht si Shoqatë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, e në vitin 1978 shndërrohet në Akademi. Shoqata u transformua në Akademi të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës përmes Ligjit mbi Themelimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës i datës 18 prill 1978. /KosovaLive

Akademia e Shkencave shënon 40-vjetorin e themelimit

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, me një program festiv sot shënon një përvjetor të rëndësishëm – 40-vjetorin e themelimit.

Në shënimin e këtij përvjetori pritet të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë të shtetit: Atifete Jahjaga, presidente e Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Isa Mustafa, kryeministër i Republikës së Kosovës, të cilët edhe do ta përshëndesin këtë manifestim.

Po ashtu pritet të marrin pjesë edhe shumë mysafirë nga akademitë simotra: si nga Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia, Sllovenia. Në programin festiv janë edhe disa pika të zgjedhura muzikore.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës u themelua në vitin 1975, fillimisht si Shoqatë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, e në vitin 1978 shndërrohet në Akademi.

Më Shumë

3:0 për Trepçën, kualifikohet në finale

Trepça është kualifikuar në finale të “Play-off”-it në Prince Caffe Superligë. Mitrovicasit në ndeshjen e tretë të serisë gjysmëfinale shënuan fitore ndaj Sigal Prishtinës...

Humb jetën një grua shtatzënë në Spitalin e Prizrenit

Të premten në Spitalin Rajonal të Prizrenit, më saktësisht në repartin e Gjinekologjisë ka ndërruar jetë një grua shtatzënë. Siç bëhet e ditur në raportin...

Lajmet e Fundit