10.5 C
Prizren
E mërkurë, 14 Maj, 2025

Alma Mahler: Në zemrat e burrave

Alma MahlerAlma-Mahler7 “Klimt më puthi”. Alma Schindler, një vjeneze e veshur me fustanet e gjata dhe mëngët plot dantellë dhe vështrimin plot jetë, shkroi kështu në ditarin e saj, një mbrëmje shtatori.

Vjeshta ndihej kudo rrugëve të Vjenës, ndërsa Alma vazhdonte të risillte në mendje çastin kur Gustav Klimt, një prej piktorëve më të njohur të salloneve të kohës, e kishte puthur. Duart e tij kishin prekur fillimisht fustanin e saj, për të shtrënguar më pas drejt vetes, për ta pasur më pranë.

“Ti flet shumë bukur”, i kishte thënë ai, në një kënd të atij salloni të mbushur plot njerëz. Më pas ngjyrat e fustaneve që ajo vishte ngjasonin me ngjyrat e tablove të tij, ndërsa forca e artit që mbarte çdo telajo, shndërrohej në një energji brenda saj. Alma dinte të shihte në thellësinë e pikturave dhe shumë shpejt kuptoi se mund të depërtonte po aq lehtë në zemrat e burrave.

Lidhja me Klimt, ishte vetëm fillimi i një loje të gjatë e shpesh të dhembshme zemre, që kjo vjeneze e bukur do ta bënte gjithë jetën e saj. Ashtu si muzika, Alma dinte të shndërrohej thjesht në një këngë të bukur dashurie e më pas të zhdukej si një notë. Alma Schindler lindi në Vjenë (Austri) më 31 gusht 1979 dhe është e bija e piktorit të njohur për peizazhin Emil Jakob Schindler dhe Anna Von Bergen. Rritja në një familje artistësh, do të ndikonte në prirjen e saj drejt artit. Mësimet e pianos i nisi që në moshën 9-vjeçare, dhe gjatë adoleshencës kohën e lirë dëshironte ta kalonte në studiot e kompozitorëve apo salloneve letrare të kohës. Pas puthjeve të gjata me Klimt, mbrëmjeve në studiot e tij, Alexander Zemlinsky, profesori i saj i kompozimit do të prekë zemrën e saj.

Kjo lidhje dashurie do të ndikonte më pas në zgjedhjet që Alma bëri me burrat. Tepër i ndjeshëm, i dashuruar pas poezive të Rilkes Heines, ai e shndërroi dashurinë mes tyre në një romancë që u ngjasonte poezive dhe notave muzikore. Alexandër nuk ishte vetëm një dashuri për Almën, ai ishte burri që gjeti artisten brenda saj dhe ndikoi në rritjen e saj drejt muzikës. Ai kthehej në një tutor gjatë orëve të mësimit, dhe në një dashnor të pazëvendësueshëm orëve të dashurisë. Lidhja e tyre zgjati vetëm dy vjet deri në mbrëmjen e 7 nëntorit 1901 kur një burrë tjetër hyri në jetën e Almës. Ishte Gustav Mahler, drejtori i Operës së Vjenës, një kompozitor me prestigj, i cili ra në dashuri që në momentin e parë që e pa në shtëpinë e Berta Zuckerkandit. Ajo ishte 19 vjet më e re se ai, por kjo ishte e parëndësishme përpara forcës që kjo grua i transmetonte. Vetëm disa javë më vonë ai i kërkoi të martoheshin. Kushti i vetëm që Mahler i vuri bashkëshortes së tij të re, ishte të hiqte dorë nga kompozimi dhe t’i përkushtohej jetës së saj si bashkëshorte e denjë, duke e mbështetur në punën që do bënte.

Nga kjo martesë lindën dy vajza Maria Anna, e cila vdiq nga dizenteria në moshën 5-vjeçare dhe Anna e cila u bë skulptore. Heqja dorë nga muzika nuk do të ishte e lehtë për vajzën që ishte rritur duke ëndërruar skenat. Dalëngadalë ajo ndihej të shndërrohej në një tjetër njeri, dhe e vetmja gjë që mendonte ishte të shpëtonte. Në këtë gjendje ishte kur u takua me arkitektin e ri, Walter Gropius, një burrë që e ndjeu menjëherë se gruaja që kishte përballë kishte nevojë për duart e tij. Ata nisën një lidhje dashurie të fshehtë, e cila do të zbulohej shpejt nga Mahler. Çifti nisi të marrë seanca terapie nga Frojdi, por edhe kjo nuk qe zgjidhje për martesën. Mahler i kërkoi të shoqes t’i rikthehej muzikës, të shkruante e kompozonte, i bindur se kjo do ta rikthente sërish tek ai. Pas një periudhe të trazuar Alma e Gustav nisen në Nju Jork, ku Mahler ishte angazhuar si dirigjent. Në shkurt të vitit 1911 Gustav sëmuret nga zemra dhe vdes në maj të atij viti pas kthimit në Vjenë. Pas vdekjes të së shoqit, Alma pati një lidhje të shkurtër dashurie me piktorin Oskar Kokoschka. Kjo lidhje u shndërrua në një frymëzim për Kokoschkan, i cili shumë vepra ia dedikon pikërisht lidhjes me këtë grua.

Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, ai do të hynte në ushtrinë austrohungareze. Lufta dhe xhelozia e Oskar e bëri Almën që shumë shpejt të dilte nga kjo lidhje, për t’u takuar sërish me Walter Gropius, me të cilin do të martohej më 1915. Bashkë ata patën një vajzë Manon Gropius, e cila vdiq nga poliomieliti në moshën 18-vjeçare. Kompozitori Alban Berg ka bërë një koncert në violinë në kujtim të saj.

Ajo ngeli sërish shtatzënë me të birin Martin Carl Johannes, i cili jetoi vetëm 10 muaj. Gropius fillimisht nuk besonte se fëmija ishte i tij. Me hyrjen e tij në ushtri gjatë luftës Alma kishte nisur një lidhje dashurie me shkrimtarin e njohur, Franc Werfel. Martesa me Walter Gropius zgjati shumë pak. Pas divorcit Alma nisi të jetonte me Werfel. Në vitin 1938 çifti u detyrua të lejë Austrinë, pasi Werfel ishte hebre dhe vendosen në Francë në rivierën franceze ku jetojnë deri në pranverën e vitit 1940. Me pushtimin e Francës gjatë Luftës së Dytë Botërore nga Gjermania ata kërkuan të emigronin në SHBA, pasi nuk ndiheshin më të sigurt. Në një udhëtim plot peripeci nga Spanja në Portugali ata mbërritën në Los Anxhelos. Werfel kishte fituar popullaritet si shkrimtar me romanin “Kënga e Bernadettes”, i cili u kthye në film në vitin 1943. Werfel i cili kishte pasur probleme serioze me zemrën vdiq nga një atak në Kaliforni në vitin 1945. Një vit më vonë më 1946 Alma Mahler Werfel u bë një qytetare amerikane.

Ajo jetoi në Nju Jork si një personazh i rëndësishëm i kulturës. Leonard Berstein i cili ishte një kompozitor i madh si Gustav Mahler, bie në dashuri me Almën. Alma vdiq më 11 dhjetor 1964 në Nju Jork. Pas vdekjes së saj satiristi Tiom Lehrer shkroi një këngë të quajtur “Alma” si gruaja e cila kishte qenë muzë e tre artistëve. Alma Mahler kujtohet sot si jo vetëm si gruaja e bukur vjeneze e salloneve të pas viteve 1900, por dhe si kompozitorja që ka lënë gjurmë në artin e shekullit XIX. Shumë pjesë të kompozuara prej saj, interpretohen jo vetëm në Operën e Vjenës, por në të gjithë botën. Muzika e Almës, është ndryshe…Në të gërshetohet pasioni i një gruaje që asnjëherë nuk e tregoi zemrën e saj. Pavarësisht flirteve, apo martesave me burra të rëndësishëm të kohës, Alma mbeti një grua e mbështjellë nga një sharm misteri, mbi atë çfarë ajo deshi vërtet. A ishte e lumtur Alma Mahler? Mjafton të humbësh në muzikën që ajo ka lënë pas, për të kuptuar se lumturia është e përbërë nga copëza çastesh, të humbura diku mes vitesh, e s’mund të jetë asnjëherë një jetë…Alda Bardhyli

Më Shumë

Trajneri i Bashkimit flet para ndeshjes me Trepçën: Askush s’është i pathyeshëm, ne do ta fitojmë trofeun

Superliga e Kosovës në basketboll po shkon drejt fundit dhe tashmë ka nisur seria finale. Pas një super sezoni, Klubi Basketbollistik, “Bashkimi” dhe “Trepça”, kanë...

Dështon seanca, tjetra mbahet më 11 maj

Ka dështuar edhe sot seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Seanca e radhës do të mbahet më 11 maj.   -- Legjislatura e nëntë e Kuvendit të...

Lajmet e Fundit