18.8 C
Prizren
E mërkurë, 1 Maj, 2024

Analistët: Deklarata e Stavilecit, fyerje për qytetarët

BlerandStavileci-mbpzhrDeklaratat e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavilevci, i cili ka thënë se “nuk është mirë që me një rrogë 300 euro një familje të ketë shtatë fëmijë”, nga ana e analistëve kosovarë vlerësohen si tepër të pamatura.

Sipas tyre, këto deklarata përfaqësojnë frymën e Qeverisë aktuale, e cila për çdo problem që ndodh në Kosovë mundohet që t’ia hedhë fajin të tjerëve.

Publicisti Halil Matoshi, ka thënë për Telegrafin se duke filluar prej kryeministrit dhe pastaj shumicës së ministrave, janë duke lëshuar “fjalë pa lidhje në publik”, dhe sipas tij, kjo deklaratë bën pjesë në korpusin e fjalëve të pamatura, të këtij kabineti qeveritar.

Ai mendon se deklarata e ministrit Stavilevci është një lloj fyerje për shumicën e njerëzve në Kosovë.

“Kjo fjalë në rastin më të keq mund të krahasohet me Mihailo Kertes, ish- ministër i fashizmit serb të Millosheviqit, i cili i akuzonte nënat shqiptare (për natalitet të lartë) si lavatriçe. E në rastin më të mirë mund të krahasohet me teorinë noe-maltusiane, e cila teori angazhohet për kontrollin e lindshmërisë, e që në vendin tonë, bazuar në situatën të cilën po kalojmë, nuk ka hije që të diskutohet”.

Ndërsa, analisti Imer Mushkolaj deklaratën e Stavilevcit, e vlerëson si deklaratë të panevojshme dhe që nuk zgjidh punë, për shkak se sipas tij, nëse bazohemi në logjikën e ministrit (kushtet ekonomike dhe sociale në Kosovë), do të duhej të ishim populli me natalitetin më të vogël në Evropë.

Sipas tij, kjo deklaratë bën pjesë në logjikën e deklaratave të shefit të qeverisë, Isa Mustafa, si p.sh ajo “se ata që po ikin në Hungari kanë Iphone”, ose në rastin tjetër, largimi i përgjegjësisë së tij si kryeministër, në lidhje më vdekjen e fëmijës 15 muajsh, i cili tërë përgjegjësinë e ka hedhur te prindërit e foshnjës, duke mos ndier aspak përgjegjësinë si i pari i Qeverisë”.

“Në anën tjetër, nuk është çështja vetëm te stimulimi i natalitetit, sa është te ajo që shteti t’i ndihmojë familjet e fëmijëve të sapolindur, që këta të fundit të rriten në kushte normal. Deklarata është në kundërshtim më praktikat më të mira që ndodhin në rajon dhe në Evropë. Shteti në vend që t’i ndihmonte familjet e të sapolindurve, zyrtar qeveritar dalin më këso deklarata të papranueshme dhe të pamenduara mirë”, ka thënë Mushkolaj. /Telegrafi/

Më Shumë

Lajmet e Fundit