Deklaratat e ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracy ann Jacobson, po vlerësohen në mënyra të ndryshme nga politikanë dhe aktivistë të shoqërisë civile.
Disa nga ta mendojnë se Jacobson ka pasur të drejtë në ato çka ka thënë, derisa të tjerët theksojnë se ambasadorja nuk duhet të deligjitimoj kërkesën e qytetarëve të Kosovës për të reaguar, qoftë edhe përmes rrugës, ndaj krizës politike.
Sekretari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, duke i komentuar deklaratat e Ambasadores së SHBA-së në Kosovë, ka thënë se fjalët e Jacobson-it, janë si pasojë e mllefit të saj për gjendjen në vend.
Ai ka thënë për Telegrafin se mllefi i mbledhur për vite të tëra me keq-qeverisjen, manipulimin dhe dukuritë e këqija është i madh.
“Madje, është mllef i përbashkët i qytetarëve të Kosovës, shumicës së skenës politike, sikurse edhe partnerëve udhërrëfyes ndërkombëtar. Kosova duhet të përfundojë njëherë e mirë këtë keq-qeverisje”, ka shtuar Ramadani.
Analisti Shpend Kursani, mendon se deklaratat e ambasadores së SHBA-ve, Tracey ann Jacobson, janë interesante, shumë domethënëse, nëse populli në Kosove dëshiron të sheh e të dëgjoj se çka po ndodh me ta.
Ai duke folur për deklaratat e ambasadores së SHBA-ve në Kosovë, se përmes protestave nuk duhet të kërkohet zgjidhja e krizës politike në vend, ka theksuar se në njërën anë, ambasadorja Jacobson thotë se nuk duhet dalë në protesta (të paralajmëruara, si mundësi për dalje nga ngërçi, nga disa parti politike); në rregull ky është mendimi i saj personal, ndërkaq në anën tjetër “ajo vetë na jep numrat se sa të korruptuar janë liderët politik”, duke shtuar “se kjo është kundërthënia më thelbësore në demokraci”.
“Duhet ta pyesim Jacobson-in, çka do të bënte populli amerikanë nëse dalin të dhëna se liderët demokratë e republikanë, e aq më keq ata në administratë janë të korruptuar sa këta në Kosovë. Mendimi im është se do të kallej gjysma e Uashingtonit”, ka thënë Kursani.
Madje për Kursanin, është e padrejtë të delegjitimohet protesta (si institucioni më demokratik në një vend), sidomos kur një protestë sipas tij, do të organizohej jo nga partitë politike që vrapojnë për ta kapur pushtetin, por nga qytetarë të pakënaqur me këta politikanë të korruptuar.