10.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Anisa Zani: Ju rrëfej praninë e shtatë vajzave police në Lazarat!

nisa“Unë kisha hyrë shumë herë në Lazarat, sepse jam nga Gjirokastra me origjinë, por nuk e kisha menduar kurrë se do të futesha me uniformë policie. Kur makinat hynë në brendësi të fshatit, ndjeva një emocion që nuk di ta përshkruaj. Aty kemi gjetur municione luftarake dhe sasi të mëdha lënde narkotike. Jam krenare që kam qenë e pjesë e një aksioni të tillë”. Këto janë pjesë të rrëfimit të Anisa Zanit, efektives së policisë, e cila ka qenë në operacionin policor në Lazarat. E reja ka pranuar të tregojë për gazetën “Shqip” disa momente të operacionit dhe ndjesitë që pati, kur mori urdhrin që duhej të ishte në aksion. Ajo është vetëm 22 vjeçe dhe prej 4 vitesh shërben në radhët e policisë. Më parë punonte si efektive e qarkullimit rrugor në zonën e ish-Bllokut, Tiranë, ndërsa prej 4 muajsh i është bashkuar skuadrës “Shqiponja”. Zani thotë se ëndrra e saj mori jetë, sapo veshi uniformën e policisë dhe nuk do të heqsë lehtë dorë nga ky profesion.

Ju jeni një nga punonjëset e policisë, që keni marrë pjesë në superopacionin e policisë për çlirimin e Lazaratit. Si u përzgjodhët në këtë aksion?

Në fakt, ne e dinim se çfarë po ndodhte në Lazarat, sepse ishim informuar nga mediat. Gjithashtu kishim informacione të vakëta, nëpërmjet kolegëve, që i merrnim me telefon. Megjithatë nuk mund të merrnim me mend se çfarë po ndodhte atje saktësisht, nëse nuk e shihnim vetë me sy. Kur mbërritëm në Lazarat, pamë që gjërat ishin krejt ndryshe.
Në çfarë kuptimi ishin ndryshe?
Në media, gjërat përcillen ndryshe. Kur mbërritëm aty, pamë që situata ishte e vështirë. Jeta jonë ishte në rrezik. Ne si vajza, ditët e para na lanë në postbllok, te rruga, pa hyrë në brendësi të fshatit. Plumbat që vinin nga Lazarati na kalonin sipër kokës dhe disa prej tyre vinin te këmbët. Situata dukej si një skenë filmi, por ishte diçka e vërtetë. Gjithsesi, të gjithë këtë situatë të vështirë, e kaluam së bashku me kolegët e tjerë.

Si e pritët urdhrin për të shkuar në aksionin e Lazaratit?

Eprori im më ka kontaktuar në telefon dhe më tha që të bëhesha gati se mund të niseshim në Lazarat brenda një ore. Në ato momente nuk dija se çfarë të mendoja më parë. Nga njëra anë doja të shkoja që të isha pranishme për të mbështetur kolegët e mi dhe nga ana tjetër, mendoja për rrezikun që më kanosej.

Ku ishit ju në atë kohë?

Isha në punë, duke kryer patrullime në rrugët e Tiranës. Më thanë që të përgatitesha për në aksion. Pas telefonatës shkova në shtëpi, përgatita gjërat e mia personale që më duheshin gjatë aksionit dhe pa humbur kohë, u nisëm për në Lazarat.
Mund të na tregoni për momentet kur sulmoheshit me armë zjarri?
Për ne vajzat, ka qenë hera e parë që merrnim pjesë në një aksion kaq të madh dhe kaq të rëndësishëm. Gjithashtu kishim pasiguri për jetën, pasi nuk e dinim se çfarë na priste dhe se çfarë përmasash mund të merrte aksioni. Megjithatë, përvoja e kolegëve tanë na bënte që të ndiheshim më të qetë. Ata kishin më shumë vite se ne vajzat dhe përvoja e tyre na jepte njëfarë garancie. Më ndihmën dhe këshillat e tyre, arritëm që të ishim deri në fund, pjesë e operacionit.

Jeni nga Gjirokastra. Çfarë ndjesie patët kur hytë në Lazarat?

Nuk e kisha për herë të parë që hyja në Lazarat, pasi jam nga Gjirokastra. Më është dhënë rasti që të futem atje edhe shumë herë të tjera, por gjatë kohës që nuk kam qenë punonjëse policie. Të hyje me uniformë, ishte një ndjesi tjetër, diçka e re. Nuk e kisha menduar se do të vinte dita që do të hyja me uniformë. Kjo ishte diçka e pazakontë. Askush prej nesh, nuk e kishte menduar ndonjëherë se do të mund të futej në Lazarat. Deri diku jam ndier pak keq për banorët e Lazaratit, sepse jo të gjithë kanë qenë pjesë e krimit. Shumë prej banorëve kanë qenë mikpritës me ne. Ata kanë bashkëpunuar që operacioni të jetë sa më i suksesshëm. Na hapnin dyert e tyre, në mënyrë që të kryenin kontrolle nëpër shtëpi pa probleme dhe pa u ndier në siklet. Madje, gjej rastin të falënderoj të gjithë banorët e Lazaratit për mbështetjen që na dhanë.

Çfarë gjetët kur u futët brenda në fshat?

Në zemër të fshatit jemi futur në ditën e pestë. Aty kemi gjetur sasi të konsiderueshme municionesh luftarake, gëzhoja të cilat kishin mbetur aty nga grupet e armatosura që qëllonin në drejtim të policisë. Gjetëm sasi të mëdha lënde narkotike. Pavarësisht gjendjes së rëndë në fshat, për ne do të mbetet një përvojë e paharrueshme, e rrallë. Aksione të tilla nuk ndodhin çdo ditë.
Sa vajza ishin në aksion?
Nga reparti “Shqiponja” ishim shtatë vajza dhe një tjetër vinte nga reparti i RENEA-s. Kaq ishte grupi i femrave në Lazarat.
Kishit frikë për jetën?
Normal që kishim frikë. Në një situatë të tillë, aq të rrezikshme, frika është diçka normale. Gjithsesi ne e kaluam me sukses të gjithë operacionin.
A ka ndonjë çast, i cili nuk do të shqitet nga mendja gjatë gjithë kohës?
Ajo që nuk mund ta harroj dot kurrë, ka qenë momenti kur hynë të gjithë makinat në fshat. Ishte një emocion i papërshkrueshëm. Për të gjithë ishte cilësuar si fshati i paprekur dhe në momentin që ne hymë, ishte një moment i jashtëzakonshëm.
Sa ditë qëndruat në fshat?
Kemi qëndruar në gatishmëri për gati dhjetë ditë. Pas kësaj, erdhën kolegët e tjerë, në mënyrë që ne të ktheheshim në Tiranë, për të vijuar normalisht punën tonë.
Çfarë do të thotë për ju të jeni pjesë e repartit “Shqiponja”?

Reparti “Shqiponja” është rikrijuar para pak kohësh. Mund të them se ai është një nga repartet më të mira, pasi aty janë futur efektivët që janë më të përkushtuar ndaj punës.
Sa e vështirë është për një femër përballja me krimin?

Ne jemi në terren gjatë gjithë kohës dhe nuk e dimë se çfarë mund të na ndodhë nga një moment në tjetrin. Duhet të jemi të kujdesshëm. Gjithashtu duhet të veprojmë me intuitë, për të dalluar një person me precedentë penalë nga një qytetar.

A ka pasur ndonjë moment për Anisën që ka menduar të heqë dorë nga profesioni?
Momente të vështira ka pasur shumë. Shpesh kam menduar që të heq dorë nga policia, por e kam menduar për shumë pak kohë, pasi jam tërhequr. I kam thënë vetes që nuk do ta lë, pasi ato që mendoja, ishin vetëm çaste dobësie. Për momentin nuk ka asgjë më të rëndësishme për mua, që të më detyrojë të heq dorë nga policia.

Me çfarë merreni në kohën e lirë?

Unë jam duke ndjekur studimet e larta për Teknologji Ushqimore dhe nuk kam shumë kohë të lirë. Zgjedhja ime e parë ka qenë Akademia e Policisë. Pasi realizova një ëndërr të tillë, vendosa që të ndjek edhe studime të tjera. Ndoshta këto dy profesione, për momentin, nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, por unë jam e lumtur që shërbej në radhët e Policisë së Shtetit.

Më parë keni punuar te qarkullimi rrugor dhe tashmë po punoni te reparti “Shqiponja”. A kanë ndonjë dallim të veçantë për ju këto dy struktura?

Mund të them se edhe te rrugorja kam qenë shumë mirë, por këtu ndihem më e sigurt në vetvete. Atje ishim si gjithë kolegët e tjerë, ndërsa të punosh te “Shqiponja”, më bën të ndihem më e veçantë. Tek ky repart janë përzgjedhur efektivët më të specializuar dhe më profesionistë. Unë jam krenare që shërbej te “Shqiponja”.
/Shqip/

Më Shumë

Lajmet e Fundit