19.8 C
Prizren
E diel, 26 Maj, 2024

Arbër Rexhaj do ta rrënojë Kështjellën “Pronto”

Besnik KryeziuShkruan: Besnik Kryeziu

Ndryshimet historike nuk ndodhin duke fjetur e duke u kënaqur me ninullat e kryeministrit Thaçi për investime marramendëse, ndërkohë që nuk kemi as ujë e as jetë të dinjitetshme… Prizrenasit kanë mundësinë e madhe historike për ta dërguar Ramadan Mujën së bashku me shefin e tij në pension të përjetshëm

3 nëntori ka një rëndësi të madhe se kah do të shkojë Kosova dhe shoqëria e saj. Të ecet kështu d.m.th të shkohet edhe më tutje në theqafje politike dhe socio-ekonomike, të mbetemi me premtime marramendëse milionash për qytetet tona, e barkun ta kemi bosh. Duhet të thuhet se me 3 nëntor nuk do të votohet vetëm për parti dhe kandidat të ndryshëm dhe të shumët në numër, porse, para së gjithash dhe mbi të gjithash, për dy koncepte politike, njëri i Lëvizjes Vetëvendosje!, në njërën anë, dhe tjetri i partive të tjera politike në anën tjetër. Për këtë arsye dhe për këtë fakt këto zgjedhje e marrin rëndësinë historike për proceset e ardhshme politike dhe zhvillimore në vendin tonë.

Ndryshimet historike nuk ndodhin duke fjetur e duke u kënaqur me ninullat e kryeministrit Thaçi për investime marramendëse, ndërkohë që nuk kemi as ujë e as jetë të dinjitetshme. Ndryshimet ndodhin duke u zgjuar nga kjo letargji e madhe dhe sëmundje e rrezikshme ku në vazhdimësi na rrejnë e na rrejnë e ne përsëri dhe përsëri ju besojmë. Kjo duhet të ndryshoj në këto zgjedhje për hir të vetës sonë dhe fëmijëve tanë.

Kemi mundësi dhe kemi kandidat që e meritojnë besimin tonë për ta bërë ndryshimin, e më pastaj për ta filluar një ecje të re politike dhe ekonomike së bashku për të mirën tonë të përgjithshme.

Me vëmendje e kam përcjellë kandidimin nga partitë politike të kandidatëve për kryetar komunash në të gjithë Kosovën. Shumë herë jam ndalur te qyteti historik i Prizrenit, jo vetëm për rëndësinë që ka ky qytet për shqiptarët, por edhe për faktin se askund më keq se sa në këtë qytet nuk ka degraduar qeverisja lokale e udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës. Në përgjithësi nëse e shikojmë hartën e kandidatëve që partitë politike (kryesisht këto që e kanë pasur pushtetin) i kanë kandiduar pothuajse të njëjtit njerëz.

Kjo do të thotë se këto parti se edhe për një milimetër nuk kanë reflektuar për ballë abuzimeve korruptive dhe ligjore që një numër i madh i këtyre njerëzve e kanë bërë sa ishin në pushtet. Kjo d.m.th. se ne me votën tonë duhet t’i bëjmë ata që të reflektojnë, duke i dënuar me mos votim për kandidatët e aferave të shumta dhe skandaloze.

Pse po ndalëm te Prizreni dhe Arbër Rexhaj kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje! për të parin e Prizrenit? U tha se Arbëri është më i riu në nivel republike. Nuk është e vetmja arsye se përse qytetarët duhet ta votojnë Arbërin dhe Vetëvendosjen!. Sigurisht se Vetëvendosje! ka treguar edhe njëherë se është e guximshme dhe rrënon tabu për të cilat partitë tjera as që guxojnë të mendojnë për gjëra të tilla. Arsyeja kryesore është se Kështjella politike e Hashim Thaçit dhe shokëve të tij “Pronto” do të rrënohet pikërisht në Prizren. Arbër Rexhaj është shpresa dhe mundësia që përfundimisht të ndodh ndryshimi dhe të hapen perspektiva për Prizrenin dhe gjithë Kosovën.

Arbër Rexhaj është njëri nga ne, i të nijetit realitet, por të cilit koha po i jep përgjegjësi historike, përgjegjësi që Arbëri me vetëdijen e tij politike dhe ngritjen e madhe intelektuale do ta kthejë në të mirën e qytetarëve dhe të vetë qytetit të Prizrenit. Prizrenasit kanë mundësinë e madhe historike për ta dërguar Ramadan Mujën së bashku me shefin e tij në pension të përjetshëm . Historia e re politike do të fillojë me Arbërin dhe Prizrenin, për tu përhapur në të gjithë Kosovën. Arbër Rexhaj nuk e zgjodhe ti historinë, ajo të zgjodhi ty që nëpërmes teje ta bëj ndryshimin e epokave. Të jesh i lumtur për këtë, sepse fati po të vjen në pëllëmbë të dorës, ndërkohë që Mujës dhe Kryeziut po ju bënë kuku përgjithmonë.

Më Shumë

Rrufeja godet një shtëpi në Suharekë

Një shtëpi është përfshirë nga zjarri gjatë ditës së sotme në fshatin Nishor të Suharekës. Dyshohet se zjarri ka ndodhur si pasojë e goditjes së...

Trepça – Ylli, nesër finalja vendimtare

Pas një rrugëtimi të gjatë, ky edicion do të përfundojë të enjten mbrëma në Mitrovicë. Trepça dhe Golden Eagle Ylli do të ndeshen në sfidën...

Lajmet e Fundit