6.5 C
Prizren
E shtunë, 17 Maj, 2025

Ardhja e kurbetçinjve gjallëron fshatin Billushë

Fshati ka mbi 200 shtëpi dhe ajo që e karakterizon atë është fakti se ka mbi 300 kurbetçinj. Ky fshat jeton me remitencat e ardhura nga jashtë, por edhe banorët e këtushëm janë banorë të vyeshëm

Billusha si vendbanim përmendet qysh në vitin 1332, në dokumentet historike, dhe llogaritet nga vendbanimet që ishin të vjetra. Shani Berisha, kuvendar i pavarur i asamblesë së Prizrenit, thekson se ky fshat shquhet në të gjitha periudhat historike, por të dhënat flasin me së shumti nga koha e Lidhjes së Prizrenit, ku disa delegatë të Lidhjes kanë pasur konak edhe në këtë fshat. “Fshati Billushë ka qenë një nga mbështetësit e Hasan Prishtinës dhe komitëve të tjerë, si Qazim Lita, të cilët nuk janë pajtuar asnjëherë me pushtuesin dhe jo rastë- sisht fshati Billushë është djegur dy herë, më 1912 dhe më 1916, nga pushtuesit serbë e bullgarë, të cilët kanë masakruar gra, pleq e fëmijë, dhe janë shuar shumë familje. Fisi Alaj është shuar nga ajo fushatë spastrimi në fshat”, pohon Shani Berisha për “Kosova Sot”.

Kurse Zafir Berisha, deputet, tregon se rebelimi i banorëve të këtij fshati ka vazhduar në luftën e Dytë Botërore, ku është identifikuar me çetën e Destan Billushës, bashkëpunëtor i ngushtë i Xhem Gostivarit dhe Muharrem Bajraktarit. “Billusha asnjëherë nuk është pajtuar me komunizmin dhe regjimin serb në Kosovë dhe më 1981 në një grup të organizuar arrestohen shumë të rinj që kërkonin Republikën e Kosovës dhe u mbanë shumë vite në burg të rëndë në burgjet famëkeqe të ish-Jugosllavisë”, tregon Zafir Berisha. Vendosmëria për liri e banorëve të këtij fshati kulmon me luftën e UÇK-së, kur për herë të parë në komunën te Prizrenit UÇK-ja del publikisht dhe fillon mobilizimi për luftë të armatosur, që është udhëhequr nga Zafir Berisha, në mbështetje të shumë djemve të këtij fshati dhe fshatrave të rajonit te Vërrinit, tregon Florim Gashi, drejtor i shkollës së këtij fshati, transmeton gazeta Kosova Sot.

Fshat i traditës së burrërisë

Sipas Sherafedin Berishës, në periudha të ndryshme del se në Billushë janë mbytur në forma të ndryshme shumë persona.”Ndërkaq, bazuar në hulumtimet e dokumenteve të huaja, që dëshmojnë për gjenocidin serb, në Lumë, Vërri e Opojë (ndonëse jo për të gjitha fshatrat) del se në Billushë atë kohë janë vrarë 90 shqiptarë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe janë djegur 120 shtëpi”. Myrfet Shasivari tregon se edhe në luftën e fundit ka pasur mbi 20 shtëpi të djegura. Shasivari tregon se banorët e këtij fshati ishin halë në sy për shkak të mosbindjes servile ndaj pushtetit. Ai thotë se si figurë emblematike vazhdon të mbetet figura e ndritur e Destan Billushës, një atdhetar i përbetuar, i cili vdiq para pak vitesh në Amerikë. “Ai ishte një ballist i dëshmuar”.

Kurbetçinj në secilin vend

Shasivari thekson se ky fshat tani ka mbi 200 shtëpi dhe ajo që e karakterizon fshatin është fakti se ka mbi 300 kurbetçinj. Ai shtoi se ky fshat jeton me remitancat e ardhura nga jashtë. Megjithatë, ai thotë se edhe banorët e mbetur këtu janë punëtorë të vyeshëm. Ai thotë se banorët këtu takohen në të gjitha stinët, sidomos për stinën e dredhëzave, ku ka plot banorë që sigurojnë ekzistencën. Kjo, sipas tij, është edhe stina ku kthehen bashkatdhetarët. Sipas Shasivarit, ardhja e tyre në fshat e gjallëron atë. Ai shton se edhe në këtë fshat po kryhen disa shërbime si shtrimi i rrugëve dhe rrugicave. Ai përmend edhe traditën e lashtë të dasmave. “Jam i pasionuar me dasmat e fshatit. Ato ende kanë rëndësinë e madhe të traditës”, është shprehur ai. Ankohet se ka ujë pamjaftueshëm gjatë stinës së verës. Ai thotë se në këtë fshat janë bërë mjaft investime, por kurrë nuk është mjaft, pasi që presin më shumë investime në lokalitet.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Prizren/ Aktakuzë për fajde dy personave të cilët u kapën në flagrancë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj E.K. dhe B.K. për fajde, pasi ishin zënë në flagrancë në mars sivjet duke marrë 10...

I vazhdohet paraburgimi të dyshuarit për grisjen e Kuranit në Prizren

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të dyshuarit I.P., për grisjen e librit të shenjtë të...

Lajmet e Fundit