Angelo Panebianco
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, duke iu kërkuar falje familjeve, në cilësinë e tij si komandant i forcave të armatosura amerikane, mori përsipër përgjegjësinë për vdekjen e dy bashkëpunëtorëve, Giovanni Lo Porto dhe Warren Weinstein. Shpresojmë që askujt, këtu te ne, t’i vijë nëpër mend t’i dërgojë ndonjë urdhër arresti.
Precedentët nuk mungojnë. Është rasti, për shembull, i hetimit të çuditshëm gjyqësor në vitet ’90, i quajtur Cheque to Cheque, lidhur me dyshimin për një trafik ndërkombëtar armësh. Ai hetim përfundoi sikurse duhet të përfundonte, ose më saktë me asgjë. Por i mbajti për muaj të tërë gjallë faqet e para të gazetave sepse ishte e përbërë dhe e “ngarkuar” me hetime mbi personalitete ndërkombëtare të ndryshme, që nga lideri i atëhershëm nacionalist rus, Zhirinovski, deri tek arqipeshkvi i Barcelonës.
Nuk do t’i ndodhë edhe Obamës (shpresojmë), por ajo që e bën një mundësi të tillë jo dhe aq të pamundur është klima politike që përjetojmë sot në vendin tonë. Po të dëgjosh disa komente të caktuara duket sikur janë amerikanët “armiku” dhe vrasësit e vërtetë. Vrasës të rangut të ulët për më tepër: tema kryesore e diskutimit është nëse Obama e dinte apo nuk e dinte dhe në rast se e dinte, përse nuk e tha më parë.
Në këtë mënyrë humbasim nga shikimi thelbin. Dhe thelbi është se, edhe nëse amerikanët kanë bërë një gabim (e kush nuk bën të tilla në luftë?) armiqtë, vrasësit, nuk janë ata, por janë ata që rrëmbyen, i mbajtën të burgosur për vite të tëra dhe nuk i liruan kurrë Lo Porton dhe Weinstein. Përse kjo e vërtetë e thjeshtë dhe e pamohueshme e ka të vështirë të pohohet? Kryesisht, sepse legjitimiteti i aksionit ushtarak ndërkombëtar kundër grupeve xhihadiste në pjesë të ndryshme të botës kundërshtohet dhe nuk pranohet nga sektorë të rëndësishëm në vend. Shihni për shembull si flet shumëkush për luftën në Afganistan.
Duke e djegur edhe barin e njomë me të thatin, e vendosin në një plan me pushtimin e Irakut. Pra edhe ajo do të na ishte asgjë më shumë sesa një “luftë e Bushit”. E harrojnë se, nëse sigurisht Iraku është një rast i kundërshtueshëm, sulmi ndaj të cilit që prej fillimit nuk gjeti plotësisht mbështetjen e opinionit publik perëndimor, kjo nuk është e vërtetë për Afganistanin. Amerikanët ndërhynë në Afganistan si pasojë e 11 shtatorit 2001, pikërisht sepse aty ishte konceptuar dhe organizuar ai sulm.
Nëse ka patur një luftë me të gjithë elementët e “luftës së drejtë” (ashtu sikurse kodifikohej nga krishterimi mesjetar) ajo është padyshim lufta në Afganistan. Por fakti që ky aspekt nuk pranohet apo është harruar, kontribuon në shpjegimin e dallimit dhe ndarjes, me të cilin aksionet amerikane në atë pjesës së botës shihen nga disa sektorë të caktuar të opinionit publik italian: një mosbesim dhe një distancim edhe më të papëlqyeshëm dhe pa vend nëse kihet parasysh roli aktiv që kanë patur dhe kanë akoma ushtarët tanë në Afganistan dhe nga kontributi me gjak që kanë paguar shumë prej ushtarëve tanë në atë mision.
Vështirësi për të dalluar mes amerikanëve dhe armiqve të vërtetë, vështirësi për të pranuar legjitimitetin e plotë të veprimeve ushtarake për t’u bërë ballë grupeve xhihadiste nëpër vende të ndryshme ku luftohet, duke na shkaktuar një rrezik të afërt dhe të menjëhershëm. Rreziku i rëndë është ai i çarmatosjes morale përballë një agresioni xhihadist, e cila tashmë na ka edhe ne italianëve në shënjestër.
Rreziku është që të mbetemi psikologjikisht dhe për rrjedhojë edhe praktikisht, të papërgatitur përballë kërcënimit. Mes nesh ka njerëz që refuzojnë ta pranojnë natyrën e së keqes dhe arsyet përse po përhapet, njerëz që nuk duan ta shohin në fytyrë realitetin, që preferon të kapet pas idesë garantuese, sipas së cilës lufta e xhihadistëve ka një armik të vetëm të vërtetë: myslimanët e tjerë. Këta naivë nuk duan të dëgjojnë t’iu thuhet se armiqtë xhihadistë, përkundrazi, janë të dy llojeve: myslimanët e korruptuar nga moderniteti dhe bota perëndimore (kryqtarët) epiqendër e atij moderniteti.
Ndoshta ka ardhur momenti të zgjohemi. Armiqtë ekzistojnë dhe nuk janë amerikanët. E është për të të ardhur keq që nuk mjaftojnë urdhër-arrestet për t’i ndalur.