Rrugëtimi shumë i suksesshëm i filmit kosovar “Babai” të regjisorit Visar Morina po vazhdon edhe në vitin 2016-të edhe pas shumë shfaqjesh në shumë festivale dhe shumë çmimesh që mori vitin e kaluar.
Ky film do të shfaqet më 5 dhe 6 prill në edicionin e 40-të të Cleveland International Film Festival.
Faqja Cleveland.com shkruan se historia midis babait dhe birit që përshkruhet në këtë film është shumë e fuqishme.
“Është një moment që ta thyen zemrën në film, kur një djalë i ri e shikon nga kampi i refugjatëve, babanë e tij duke u larguar dhe shpreson që të kthehet për të. Por, një gjë e tillë nuk ndodh. Kjo, mbi të gjitha tregon për një baba, i cili e braktisë fëmijën e tij në Kosovë, dhe e lë 10 vjeçarin me axhën e tij, i cili është i dhunshëm edhe ndaj fëmijëve të tij. Një baba që gjithnjë e largon të birin dhe e largon edhe në stacionin e autobusëve”, shkruan Cleveland.com.
“Babai” flet për Norin (Val Maloku), një fëmijë i cili shet cigare në rrugë bashkë me të atin Gëzimin (Astrit Kabashi) në Kosovën e viteve të nëntëdhjeta ku babai dëshiron të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani e i biri bën çdo gjë për të qenë me të. Të zënë në mes të dëshirës për të qenë së bashku dhe nevojës për t’u ballafaquar me realitetin e vështirë, marrëdhënia babë-bir zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu si ka qenë.
Ky film u shfaq në shumë festivale prestigjioze në botë dhe ishte edhe propozimi i Kosovës në Akademinë Oscars, për kategorinë e filmave në gjuhë të huaj.
“Babai” ishte edhe në repertorin e kinemave gjermane, duke u bërë kështu i pari film kosovar që bëhet pjesë e programit të kinemave në Gjermani.