8.6 C
Prizren
E shtunë, 17 Maj, 2025

BE-ja të ndikojë tek Serbia për zbatim të marrëveshjeve

Këshilltari politik i kryeministrit Isa Mustafa, Valon Murtezaj, ka thënë të martën se, pavarësisht zhvillimeve në skenën politike të Kosovës dhe kundërshtimit të marrëveshjeve të arritura, procesi i dialogut do të vazhdojë.

Në një intervistë për “Epokën e re” ai ka treguar se zbatimi i tërësishëm i marrëveshjeve të arritura do të jetë pjesë e agjendës së dialogut për vitin 2016.

“Nuk do të thotë se do të ketë pezullim të dialogut, por Qeveria e Kosovës e ka strategjinë e vet se si t’u qaset këtyre aktiviteteve të dialogut. Në interes është zbatimi i marrëveshjeve aktuale, pastaj gradualisht të kalohet në tema të tjera, për të cilat Kosova ka interes”, ka deklaruar Murtezaj, duke shtuar se agjenda e Qeverisë së Kosovës është e qartë sa i përket procesit të dialogut.

“Agjenda e Qeverisë së Kosovës është e qartë dhe dihet se cilat janë temat e interesit nacional dhe përpjekjet janë që gjërat sa më shumë të jenë me konsensus, roli i parlamentit duhet të fuqizohet, si dhe të ketë rritje të transparencës gjatë procesit”, ka theksuar Murtezaj.

Ai ka vlerësuar se Bashkimi Evropian duhet të ndikojë tek Serbia që t’i zbatojë marrëveshjet meqë, sipas tij, Qeveria e Kosovës deri në pafundësi nuk mund të jetë konstruktive përderisa pala serbe vazhdon të jetë destruktive.

“Natyrisht në agjendë është zbatimi i marrëveshjeve të arritura dhe kjo është e rëndësishme sepse pala serbe ka ngecur si dhe nuk është treguar konstruktive, përkundrazi është treguar destruktive. Qeveria e Kosovës deri në pafundësi nuk mund të jetë konstruktive përderisa pala serbe vazhdon të jetë destruktive. Bashkimi Evropian duhet të ndikojë tek pala serbe në mënyrë që Serbia t’i zbatojë marrëveshjet të cilat i ka nënshkruar në kuadër të dialogut me Kosovën”, është shprehur Murtezaj.

Ai ka bërë me dije se gjatë këtij viti strategjia e dialogut me Serbinë që është zhvilluar në Bruksel ka qenë më e qartë.

“Është ditur se cilat janë synimet e Qeverisë së Kosovës dhe cilat janë temat me interes. Besoj se ka pasur një seriozitet të analizës së dokumenteve edhe aty ku është vendosur nënshkrimi jemi të sigurt se është vendosur në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Murtezaj. /Epoka e Re

Më Shumë

Ja kush është partneri i Beatriçes së grupit Shkodra Elektronike

I dashuri i Beatriçe Gjergjit, këngëtares së grupit shqiptar Shkodra Elektronike, është Marcello Batelli. Lidhja e tyre u bë publike pas gjysmëfinales së Eurovision...

Ambasadori britanik uron Ditën e Goranëve: Pata një ditë fantastike në Dragash dhe Restelicë

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka uruar komunitetit goran në ditën ndërkombëtare të tyre. Në një postim në Facebook, ai ka...

Lajmet e Fundit