Ish-drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Prizrenit, Bedri Bytyqi, tha se për objektin pa leje, për të cilin po akuzohet se nuk ka vepruar për ta rrëzuar, ishte njoftuar me vonesë. Bytyqi, të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, gjatë mbrojtjes së tij, tha se për objektin që flet aktakuza, ka kuptuar përmes raportit të inspektorit të terrenit, në shtator 2015, kur veç ishin ndërtuar tre kate të këtij objekti.
Bytyqi, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare së bashku me inspektorin e ndërtimit, Bashkim Krasniqi, tha se me të marrë vesh për këtë çështje ka marrë vendim me të cilin e ka obliguar pronarin që ta rrënojë objektin brenda 30 ditësh.
Sipas tij, pronari Faton Hoxha, i cili poashtu akuzohet në këtë lëndë për uzurpim, ka bërë ankesë ndaj vendimit për rrënim dhe se deri më tani nuk ka një përgjigje përfundimtare sa i përket çështjes së rrënimit. Bytyqi, ka sqaruar se në momentin kur është bërë ankesa ndaj vendimit të drejtorisë, ekzekutimi i atij vendimi është pezulluar në mënyrë që të mos i shkaktohet palës dëm të pariparueshëm.
Kryetari i trupit gjykues, Xhevdet Elshani, pas përfundimit të mbrojtjes së këtij të akuzuari, ka ndërprerë shqyrtimin dhe vazhdimin e të njëjtit e ka caktuar për 27 shkurt 2017, në orën 09:00.
Në seancën e radhës pritet të vazhdojë paraqitja mbrojtjes nga të akuzuarit tjerë.
Aktakuza e përfaqësuar nga prokurori Metush Biraj, i ngarkon të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme.
Sipas aktakuzës, Bashkim Krasniqi, në cilësinë e inspektorit komunal për ndërtim, nuk ka vepruar për rrëzimin e objektit afarist-banesor të të pandehurit Faton Hoxha, të ndërtuar pa leje në pronë komunale.
I akuzuari tjetër Bedri Bytyqi akuzohet se duke qenë drejtor i Inspektoratit, megjithëse ka nënshkruar aktvendimin për rrënim të objektit, nuk ka vepruar për të realizuar atë, duke i mundësuar Faton Hoxhës që të vazhdojë ndërtimin.
Ndërsa i akuzuari, Ilaz Susuri akuzohet se ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën ku është ndërtuar objekti, ku të njëjtën, pa fletë-poseduese, ia ka shitur të pandehurit Faton Hoxha për 35 mijë euro.
Poashtu i akuzuari Faton Hoxha akuzohet se pa kontratë të vërtetuar dhe pa dokumentacionin përkatës ka blerë pronën në fjalë nga i pandehuri, Ilaz Susuri dhe më pas ka ndërtuar objekt afarist në atë pronë./betimiperdrejtesi/