Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj ka takuar ushtruesin e detyrës së ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën dhe ministren e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilija Rexhepi, me ç’rast i ka njoftuar ata me situatën e pandemisë në Malishevë.
Ai tha se në komunën që ai e drejton, aktualisht janë 44 persona të prekur me COVID-19, ndërsa 7 prej tyre janë shëruar.
Po ashtu, Begaj i njoftoi zyrtarët qeveritarë se furnizimi nga ministria përkatëse për QKMF-në, ka qenë shumë modeste, por pavarësisht kësaj, Begaj tha se janë duke e menaxhuar situatën dhe janë të angazhuar 24 orë pa ndërprerë.
Ndër të tjera, kreu i Komunës së Malishevës kërkoi më shumë kujdes ndaj komunës së tij, për shkak të numrit të madh të të prekurve.
Sipas njoftimit të Zyrës komunale për informim, Begaj i ka njoftuar zyrtarët qeveritarë edhe për mbështetjen e rreth 900 familjeve nevojtare.
Në njoftimin e Komunës thuhet se U.D. të ministrit të MPBAP-së, Xhelal Sveçla, ka theksuar se realisht furnizimi me mjete mbrojtëse është i vështirë në këtë situatë, jo për shkak të financave, por të shkak se të gjitha shtetet i kanë kufizuar lëvizjet dhe transporti është më i vështirësuar.
“Jemi të angazhuar dhe po punojmë pa ndërprerë për menaxhimin sa më të mirë të kësaj situate, por bazuar në situatën e krijuar, duhet të shtrëngohen masat edhe më shumë, në mënyrë që të parandalohet përhapja e këtij virusi. Gjërat mund të përkeqësohen, prandaj na duhet më shumë solidaritet dhe bashkëpunim, jo vetëm në mes të institucioneve, por edhe me qytetarët, në mënyrë që të mbrohemi”, ka thënë Sveçla.
Sa i përket shqetësimeve të Komunës së Malishevës, U.D. së ministrit të MPBAP-së, tha se “e kuptoj shumë mirë shqetësimin e komunës suaj, por kjo është situata dhe presim që në vazhdim të kemi furnizime, por mbi të gjitha qytetarët duhet të kenë kujdes më shumë”.
Ai bëri thirrje që në javët në vijim të jemi më të kujdesshëm të gjithë, në mënyrë që të ruajmë shëndetin tonë dhe familjet tona, pasi kujdesi është arma më e mirë e luftimit të COVID-19.
Ndërsa ministrja e MAPL-së, Emilija Rexhepi, ka deklaruar se ministria që ajo drejton “ka siguruar edhe një fond shtesë për situatën pas pandemisë për komunat e vendit, në mënyrë që të ndihmohen ato pas përfundimit të kësaj pandemie”.