Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, po sheh “dritë në fund të tunelit” për komunën që ai udhëheqë, sa i përket gjendjes me Covid-19.
Në një lidhje direkte për Klan Kosova, ai e vuri në pah faktin që sot është bërë dita e shtatë që nuk është konfirmuar asnjë rast i ri me koronavirus nga Komuna e Malishevës, dhe beson që dalëngadalë duhet të dalin nga karantina.
“Sonte e kemi një lajm të mirë për gjithë qytetarët tanë, sonte kemi 11 që kanë dalë negativ dhe ngadalë besoj që koronavirusi do të eliminohet nga Malisheva”.
“Gjendja e qytetarëve tanë që janë të shtrirë në spital është e mirë, ata janë stabil, por edhe me ata që janë në shtëpi kemi kontakt të përditshëm dhe edhe ata po ashtu e ndiejnë veten stabil, e kështu po shihet që Malisheva është në përmirësim e sipër”.
“Nuk duhet të çlirohemi shumë sepse deri sa nuk do të shërohet qytetari i fundit i Kosovës nuk do të ndihemi shlirë dhe nuk duhet ta ndiejmë veten të lirë deri te shërimi i qytetarit të fundit”.
“Masat shtesë që i kemi marr nga Kuvendi Komunal na kanë ndihmuar në eliminimin e kësaj dukurie. Të qëndrojmë edhe pak kështu. Malisheva i ka edhe 14 persona të infektuar. Sot ishte dita e shtatë që s’kemi të infektuar të tjerë, edhe 14 kanë mbetur të shërohen”.
“Në Komunë të Malishevës nuk ka pasur organizime e tubime as nëpër oda. Janë bërë shumë propaganda që nuk qëndrojnë. Ku do që ka pasur raste mortore, kanë marr pjesë vetëm familjarë”.
“Edhe pse kemi presion nga afaristë të shumtë të komunës sonë, i bëj lutje të durojnë edhe pak sepse rreziku nuk ka kaluar krejtësisht”.
“Të gjitha bizneset i kemi ndalur Përveç barnatoreve, marketeve dhe atyre gjërave jetike për qytetarët”.
“Marketet kane qenë të furnizuar mirë. Deri tani 1700 familje i kemi furnizuar me gjëra elementare”.
“Këto masa do të do të vazhdojnë edhe pak. Malisheva besoj që duhet dalëngadalë të hiqet nga karantina”, u shpreh Begaj.