Joe Biden u përball me një shqyrtim të ri mbi trajtimin e sekreteve qeveritare të mërkurën.
Kjo, pasi një grup i dytë i materialeve të klasifikuara thuhet se u gjet në një vendndodhje të lidhur me të.
Lajmi u bë i ditur nga gazeta britanike “The Guardian”.
Një raportim nga rrjeti “NBC News”, pasuar nga media të tjera, zbuluan se ndihmësit e presidentit kishin gjetur një grup tjetër dokumentesh të klasifikuara në një vend të veçantë.
Niveli i klasifikimit, numri dhe vendndodhja e saktë e materialit nuk ishin menjëherë të qarta, shtoi NBC News.
Akuza u dha municion të ri republikanëve që kërkonin të bënin një ekuivalencë të rreme me një hetim të departamentit të drejtësisë për keqpërdorimin e dokumenteve të klasifikuara nga ish-presidenti Donald Trump në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida.
Duke cituar një burim të njohur me këtë çështje, CNN raportoi se 10 dosjet e klasifikuara përfshinin memorandume të inteligjencës amerikane dhe materiale informuese që mbulojnë tema duke përfshirë Ukrainën, Iranin dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Një burim i njohur me këtë çështje i ka thënë partnerit amerikan të BBC-së, CBS News, se grupi nuk përmbante sekrete bërthamore.
Dokumentet u gjetën më 2 nëntor të vitit të kaluar, disa ditë përpara zgjedhjeve gjysmë-mandatuese në SHBA, në një dollap të mbyllur në ish-zyrën private të zotit Biden, sipas këshilltarit special të presidentit Richard Sauber.
Sipas avokatit të tij, materiali daton në kohën e zotit Biden si zëvendës president nga vitet 2009-17.
Biden mbajti një zyrë në institutin e kërkimit, i cili është rreth një milje nga Shtëpia e Bardhë, nga viti 2017-2020.
Zyrtarët thuhet se po hetojnë nëse ka dosje shtesë të klasifikuara në vende të tjera të lidhura me zotin Biden.
Paraardhësi i zotit Biden, Donald Trump, përballet me hetimin e tij të departamentit të drejtësisë për marrjen e materialeve të ndjeshme në pronën e tij në Florida, Mar-a-Lago, pas presidencës së tij.
Republikanët, të cilët së fundmi morën përsipër Dhomën e Përfaqësuesve dhe janë zotuar të hetojnë administratën e Biden-it, e kanë akuzuar presidentin për hipokrizi.
Në shtator, presidenti Biden u shfaq në CBS dhe, kur u pyet për reagimin e tij ndaj dokumenteve të gjetura në Mar-a-Lago, tha se ishte “krejtësisht e papërgjegjshme”.
Megjithatë, ka dallime kryesore midis rasteve të Biden dhe Trump.
Hetimi i Trump ka të bëjë me më shumë se 300 dokumente me shenja të klasifikuara, duke përfshirë 18 të shënuara top sekret.
Prokurorët federalë pretendojnë se ekipi ligjor i Trump nuk bashkëpunoi në mënyrë adekuate me Arkivin Kombëtar për të kthyer siç duhet dokumentet.
Kjo, duke shkaktuar një bastisje historike të FBI-së në pronën e tij në Mar-a-Lago gushtin e kaluar.
Shtëpia e Bardhë tha se avokatët e Biden njoftuan Arkivën Kombëtare sapo gjetën materialet dhe agjencia i mori materialet mëngjesin tjetër.
Sipas “CBS News”, FBI është përfshirë në hetim dhe Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-ve Merrick Garland i është kërkuar të shqyrtojë dokumentet. /