31.8 C
Prizren
E martë, 23 Korrik, 2024

Bie ndjeshëm prodhimi i perimeve në Kosovë

Këto ditë kujt i ka rastisur të kalojë përgjatë tezgat të shitjes së perimeve në Tregun kryesor të Gjelbër të Prishtinës, ka parë çmimin prej pesë eurosh e përtej të një kilogrami të spinaqit, të kultivuar diku në kopshtet e vendit. Ndërsa dje domatja e reklamuar nga tregtarët si prodhim vendor, tregtohej me 1.5 euro saktësisht. Po këtë çmim kishin edhe domatet vendore në disa markete të kryeqytetit. Njësoj pak a shumë qëndron gjendja edhe me patatet. Çmimet enorme të larta të perimeve në Kosovë, njohësit e rrethanave i shohin kryekëput si pasojë e mungesës së perimeve nga kopshtet e vendit.

Ka ca vite, dhe sidomos në muajt e deritashëm të këtij viti, në shumicën e tregjeve të gjelbra të Kosovës kanë dominuar perimet (speci, domatja, patatja, lakra e hershme, qepët) e importuara nga Turqia, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe nga Shqipëria. Ndërsa, perimet e prodhuara në tokat e bujqve dhe kopshtarëve vendas, sidomos sallata e gjelbër, karota dhe spinaqi, në të gjithë kohën deri më tash janë karakterizuar me çmime të larta që kanë konkurruar fortë çmimet e këtyre perimeve nga importi, dhe si të tilla kanë qenë larg dorës së kosovarëve të rëndomtë, për shkak të këtyre çmimeve dhe të fuqisë blerëse të klientelës kosovare të varfër si shumicë.

Këto ditë, kujt i ka rastisur të kalojë përgjatë tezgave të shitjes së perimeve në Tregun kryesor të Gjelbër të Prishtinës, ka parë çmimin prej 5 euro e përtej të një kilogrami të spinaqit, të kultivuar diku në kopshtet e vendit. Ndërsa dje, domatja e reklamuar nga tregtarët si prodhim vendor (në disa tezga të Tregut të Gjelbër në Prishtinë, sipër domateve të ekspozuara ishin vendosur edhe njoftimet për origjinën e fshatit prej nga është domatja), tregtohej me 1,5 euro saktësisht. Po këtë çmim kishin edhe domatet vendore në disa markete të kryeqytetit.

Njësoj pak a shumë qëndron gjendja edhe me patatet, të cilat deri në qershor, të gjitha thuajse të importuara, kushtonin 1,20 euro. Dje, çmimi i pareteve më cilësore ishte 80 centë kilogrami në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, por edhe në markete dhe minimarkete.

“Nuk ka domate tonat. Mbillen pak, prandaj edhe prodhohen fare pak. Këto që shihen këtu, janë të familjareve që kanë pak teprica mbase, por edhe që kanë nevojë për para”, thotë një nga tregtarët që kishte ekspozuar domate nga Mramori.

Ai thotë se nuk ka ndodhur më parë që në fillim të gushtit, në pikun e sezonit të domates edhe te ne, një kilogram të kushtojë 1.5 euro. E shumta, ka kushtuar deri në 50-60 centë për kilogram, pra domatja nga kopshtet vendore.

Ndërkohë, sivjet në Kosovë ishte goxha problematik, veçmas edhe çmimi i qepëve që me muaj të tërë ka vazhduar të jetë shumë i lartë. Një kilogram qepësh të sivjetshme nga importi, deri në fund të muajit maj kanë kushtuar 1.5 – 1.7 euro, ndërsa një paketim, thes fare i vogël qepësh të vjetra (të vitit të kaluar) tregtoheshin 2 dhe më shumë euro. Por, çmimi i qepëve në tregjet tona nuk është ulur edhe aq edhe këtyre ditëve, kur kjo perime është vjel thuaja në të gjitha kopshtet e Kosovës. Çmimi i qepëve në tregjet tona vazhdon të jetë 80 centë, deri në mbi 1 euro edhe në këtë fillim gusht, kur po i afrohemi vjeshtës dhe kur, rëndom, së paku deri tash, vërshoheshin tregjet nga kopshtarët dukagjinas, e sidomos nga ata të Rahovecit.

“Nuk do të ketë qepë të mjaftueshme vendore edhe sivjet. Është pakësuar ndjeshëm kultivimi i tyre. Ka të ngjarë që kopshtarët tradicional të kultivimit të qepës janë orientuar kah rritja e specit shumë më fitimprurës, por edhe mungesa e krahëve të punës ka ndikuar shumë në mbjelljen e qepëve në Kosovë gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti”, ka thënë për Buletinin Ekonomik, një tregtar i vjetër perimesh në tregun kryeqytetas.

Duke i vrojtuar çmimet e produkteve bujqësore në tregun kryesor të Gjelbër të Prishtinës, shihet se pak a shumë se çmimet vazhdojnë të mos lëvizin ndjeshëm, përkundër top sezonit që rëndom është karakterizuar fundi i korrikut dhe fillimi i gushtit. Njohësit e perimtarisë në Kosovë theksojnë të bindur se këto çmime, që për rrethanat e Kosovës janë enorme, imponohen nga mungesa e perimeve. Thjesht ka më pak perime të të gjitha llojeve në Kosovë.

Pse ka rënë kaq ndjeshëm sasia e perimeve të kultivuar në arat e Kosovës, ku në bazë të të dhënave statistikore, toka e dedikuar për kultivimin e perimeve në Republikën tonë, ndër vite nuk ka ndryshuar shumë dhe ajo është edhe ashtu e paktë?

Në bazë të një ankete të ASK-së të bërë para pesë-gjashtë vitesh, ku u publikuan të dhëna për shfrytëzimin e tokës bujqësore, dhe për kulturat bujqësore, del se në Kosovë sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore është 416. 072.33 hektarë (përfshirë tokën e përbashkët). Nga gjithsej sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore, pjesa më e madhe u përket: livadheve dhe kullosave (përfshirë tokën e përbashkët) me 52.5%; si dhe tokës së punueshme, ku arat marrin pjesë me 44.9%, kulturat shumëvjeçare (pemët, vreshtat, fidanet) 2.3%, dhe kopshtet me 0.3%.

Ndërsa, sipas të dhënave të Regjistrimit të Bujqësisë, të realizuar po nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikuar në muajin mars të vitit 2015, sipërfaqja e tokës bujqësore është gjithsej 512. 000.29 hektarë. Ndërkaq, ekonomitë bujqësore në Kosovë shfrytëzojnë gjithsej 413 635 hektarë tokë bujqësore. Dhe, sipas anketës së ASK-së, nga gjithsej tokë e punueshme – ara (186 954.16 ha), pjesa më e madhe është e dedikuar për drithëra 120 746.28 ha (64.6 %); bimë foragjere me 35 998.79 ha (19.3%); perime gjithsej (në fushë të hapur, në serra dhe kopshte) janë 9 698.75 ha, prej të cilave perime në fushë të hapur dhe serra janë 8 499.76 ha (4.5%); patate 4 290.29 ha (2.3%); bishtajore 3 559.50 ha (1.9%); bimë industriale 450.45 ha (0.2%); kultura të tjera 2 333.11 ha (1.2%) dhe tokë djerrinë 11 075.99 ha (5.9 %).

Me fjalë të tjera, kur të kihet parasysh numri i përgjithshëm i popullsisë së Kosovës nuk janë pak afro 10 mijë hektarë të parapara për kultivimin e perimeve (në fushë të hapur dhe në serra). Ndërsa, po del të jenë vetëm fjalë deklaratat e zyrtarëve që në raste theksojnë se “qytetarët e Kosovës kanë filluar të iu kthehen tokave bujqësore”.

Më pak sipërfaqe me të mbjella në përgjithësi, dhe me perime në veçanti, mendohet se në këtë vit ka më pak edhe në rajonet e Kosovës, të njohura nga vitet e mëparshme për kultivimin e perimeve, siç janë rajoni i Dukagjinit në tërësi, por edhe Podujevës, Skenderajt, Mitrovicës, Vushtrrisë, Vitisë, Ferizajt, Lipjanit etj.

Janë fjalë edhe deklarimet se “sipërfaqet me perime kanë tendencë të vazhdueshme të rritjes”. Nuk po rriten sipërfaqet e mbjella me perime në Kosovë, as rendimentet e tyre. Përkundrazi, sipërfaqet me perime po tkurren, ndërsa cilësia e rendimenteve në këto vite janë mjaft të theksuara. Ekspertët më pesimistë, madje theksojnë se “prodhimi i perimeve tek ne ende në masë të madhe, varet nga kushtet klimatike”.

“Në mënyrë që sektori i perimtarisë të arrijë zhvillimin më të prekshëm duhet të punohet shumë në veçanti në: promovimin e teknikave moderne për kultivimin perimeve, që duhet të fillojë me aktivitete vetëdijesuese, përmirësimin e infrastrukturës së tregut sepse kushtet e tanishme të tregut janë larg përmbushjes së standardeve të nevojshme, përdorimit të farërave cilësore, farërave hibride me produktivitet të lartë, sistemit të ujitjes pikë-pikë, plehërimi me plehra të cilësisë së lartë dhe përdorimi i preparateve për mbrojtje nga sëmundjet dhe dëmtuesit”, theksojnë ekspertët.

Nuk u dëshmuan të suksesshme as nxitëse për sektorin e perimekulturës as masat e institucioneve të shtetit përmes pagesave direket për njësi të sipërfaqes së mbjellë me perime në fushë të hapur. Siç dihet, Ministria e Bujqësisë ka mbështetur me 300 euro për hektar kultivuesit e perimeve, ndërsa kusht për të përfituar nga kjo përkrahje, ka qenë mbjellja e së paku 0.50 hektarë tokë me perime në fushë të hapur, ndërsa sipërfaqja e tokës e marrë me qira, duhet të jetë e kontraktuar së paku për një vit (kontrata duhet të jetë e lidhur dhe e nënshkruar në mes të dy palëve – qiradhënësit dhe qiramarrësit). Por, në Kosovë edhe më tutje prodhimi vendor i perimeve nuk e mbulon kërkesën e tregut vendor, edhe pse ekzistojnë kushte të favorshme (që në periudhën më të madhe të vitit t`i mbulojë kërkesat). Prandaj, Kosova importon perime pothuajse gjatë gjithë vitit, edhe verës pra.

Ekziston droja ndër përfaqësuesit e perimtarëve të Kosovës se sasia e prodhimit të perimeve mund të bjerë edhe në vitet në vazhdim, për shkak se fermerët kanë filluar t’i kufizojnë sipërfaqet e mbjella me to, edhe për shkak të mungesës së fuqisë punëtore.

Fermerët po mbjellin misër dhe grurë, pasi procesi është i mekanizuar dhe një person mund t’i kryejë të gjitha punët në çfarëdo sipërfaqeje, ndërsa në perimtari, me gjithë mekanizmin, duhet doemos edhe krahu i punës.

Edhe zyrtarë të komunës së Rahovecit, një rajon i njohur për prodhimin e perimeve të mira dhe cilësore, theksojnë se “fermerët janë duke hequr dorë nga prodhimi i perimeve, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore”. Prandaj po ndihet mungesë e perimeve vendore, por po ndodhin edhe anomali të tregut të perimeve.

Tregtarët arsyetoheshin për çmimin enorm të patateve, se “kjo perime vije nga importi dhe kryesisht nga Egjipti i largët”. Por, duhet theksuar se kurrë as në sezonin e këtij produkti, as në muajt e verës dhe as të dimrit, një kilogram patate nuk ka kushtuar me shumë se sa një kilogram domate, siç ndodhi, gjatë muajit maj dhe herë – herë edhe në qershor. Doemos që është jashtë çdo logjike të tregut, që në rrethanat kosovare, një kilogram patate, në tregjet e Prishtinës të tregtohet 1, 2 euro, sikundër që ishte dhe vazhdon të jetë anormale çmimi i qepëve të cilat kushtonin 1,6 euro deri në dy euro (nëpër minimarkete, markete të mesme dhe supermarkete) kilogrami dhe 1 deri në 1,3 euro me muaj të tërë, në tregjet e gjelbra të kryeqytetit. /Buletini Ekonomik

Më Shumë

12 vjet nga vdekja e poetit Ali Podrimja

Poeti Ali Podrimja, më 21 korrik 2012, u gjet pa shenja jete në qytetit Lodve të Francës, ku kishte udhëtuar për të marrë pjesë...

Gjuajti në aheng, policia në fshatin Billush të Prizrenit sekuestron një armë dhe gjen municion – i dyshuari ndalohet për 48 orë

Drejtoria rajonale e Policisë së Kosovës në Prizren, Stacioni Policor në Prizren më 18.07.2024 rreth orës 19:10 përmes rrugëve operative kanë marre informatën se...

Lajmet e Fundit