Liderët e Bllokut pritet të mblidhen sot për ta hapur temën e Kryeministrit. Ky do të jetë kthim në pikën zero, ku marrëveshja negociohet prej fillimit.
Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj dhe Albin Kurti, pas një jave pushimi dhe heshtjeje, prej kur Blloku hoqi dorë nga posti i pretenduar i Kryeparlamentarit, pritet të mblidhen sot për të negociuar sërish marrëveshjen e tyre për Koalicionin.
Pesë muaj pasi ishin marrë vesh për ndarjen e posteve, e kryesori prej tyre – ai i Kryeministrit – i ishte dhënë Liderit të AAK’së, LDK ka dalë hapur me kërkesën që marrëveshja të ridizajnohet, duke synuar postin e Kryeministrit për vete.
Qëndrimi i AAK’së dhe Nismës, deri më tash i thënë publikisht, është se marrëveshja e 10 qershorit është valide dhe se ajo nuk mund të prishet njëanshëm.
Tash, Blloku është kthyer në pikën zero dhe gjithçka negociohet prej fillimit.
Burime të Politko.net thonë se LDK nuk do të zmbrapset nga vendimi i Kryesisë së saj për ta drejtuar Qeverinë, ndërkohë që Ramush Haradinaj ende nuk është deklaruar për pozicionin që do ta mbajë. LDK ka pohuar se pret që ta marrë pëlqimin e tij dhe të ecet tutje në krijimin e Qeverisë.