13.8 C
Prizren
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Borchard: Nuk dëshirojmë të largohemi pa i kryer punët tona

BerndBorchardt-EULEXShefi i EULEX-it, Bernd Borchard, në një intervistë për Radio Kosovën deklaroi se vendimi për përfundimin e mandatit të misionit që ai drejton, do të rregullohet me një marrëveshje që do të mund të arrihej ndërmjet Brukselit, me rekomandimet teknike të EULEX-it, të 28 vendeve anëtare të BE-së dhe Kosovës.

”Ne jemi mysafirë këtu dhe një ditë do të largohemi, por nuk dëshirojmë që të largohemi pa i kryer punë tona”, tha Borchard.

RK: Z. Borchard, a po i ekspozohet Kosova sulmeve terroriste, duke ju referuar zhvillimeve më të fundit?

BERND BORCHARD: Javën e kaluar disa persona u dënuan për sulm terrorist në Gjilan. Tani kjo është çështje e mbyllur, sepse ata janë prapa grilave. Disa çanta janë gjetur dhe janë marrë nën dyshim për terrorizëm. Ky hetim u bë nga Policia e Kosovës, dhe më pas rasti u dërgua në Prokurorinë Speciale, por unë nuk dua të cek më shumë detaje, për arsye se hetimi është duke vazhduar.

RK: Duke marr parasysh që Kosova vazhdon të jetë një shtet fragjil, a janë institucionet e sigurisë së Kosovës të afta për të mbrojtur qytetarët e saj nga sulmet terroriste?

BERND BORCHARD: Arrestimi i të dyshuarve është provë e mjaftueshme dhe shenjë e mirë.

RK: Në ditën e zgjedhjeve, më 3 nëntor, në veri të Kosovës, ne kemi pasur disa incidente që pamundësuan votimin në tri qendra votimi. Çfarë ka ndodhur në veri më 3 nëntor?

BERND BORCHARD: Ne kemi parë sulme në 3 qendra të votimit, por Policia e Kosovës intervenoi shpejt dhe ata hodhën vetëm gurë në vetura. Nuk kishin mundësi të bënin ndonjë gjë tjetër. Në të njëjtën kohë, në Mitrovicë, Policia e Kosovës na informoi se diçka po ndodhte. Pas disa minutave ekipi ynë shkoi aty dhe identifikoi një grup të rinjsh, të cilët u shpërndanë menjëherë, për të vazhduar kështu sulmin në Leposaviq. Por, me intervenimin e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it , ata e kishin të pamundur të shkaktonin më shumë incidente.

RK: A vlerësoni që të gjitha segmentet e sigurisë kanë dështuar që të sigurojnë një ambient të qetë dhe të sigurt për votuesit në veri?

BERND BORCHARD: Vendimi politik ishte që forcat e sigurisë së lartë të mbaheshin larg qendrave të votimit. Por, tani, ky vendim ka ndryshuar. Ata duan t’i kenë forcat e Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, në tri qendrat e rivotimit.

RK: Në media ka qarkulluar një lajm se hetimet balistike mbi vrasjen e pjesëtarit të EULEX-it, Adrius Sanavicius, tregojnë që qëllimi nuk ka qenë vrasja, por frikësim i pjesëtarëve të EULEX-it. Cili është komenti juaj në këtë drejtim?

BERND BORCHARD: Jam i sigurt që kjo nuk është informatë që ka dalë nga EULEX-i, dhe ne po e hetojmë rastin.

RK: Cilat janë të rejat më të fundi në drejtim të hetimit të rastit të vrasjes së pjesëtarit të EULEX-it?

BERND BORCHARD: Kjo është çështje e ndjeshme dhe nuk do të doja të flisja për të. Unë vetëm mund të siguroj që kemi bashkëpunim të mirë në Prishtinë nga kolegët e Policisë së Kosovës, nga Mitrovica dhe Beogradi.

RK: A kanë ndikuar hetimet dhe arrestimet e bëra nga ana e EULEX-it, mbi bazën e krimeve të luftës, duke ju referuar Grupit të Drenicës, mbi marrëdhëniet tuaja me institucionet kosovare?

BERND BORCHARD: Unë vazhdoj të mendoj se kemi marrëdhënie shumë të mira me Qeverinë e Kosovës. Jemi duke diskutuar për shumë çështje që kanë të bëjnë me mandatin tonë, me çështjen e kompetencave, çështjet ligjore. Prandaj, mendoj që këto zhvillime nuk kanë ndikuar në marrëdhëniet tona. Sa i përket çështjes së krimeve të luftës, ne i kemi zgjidhur 20 raste, të kryera pjesërisht kundër shqiptarëve, pjesërisht kundër serbëve. Ligjet e Kosovës nuk e parashohin që ju mund ta gjykoni dikë në mungesë, prandaj kjo kufizon që të fillohet me gjykimi i dikujt që është jashtë vendit, e që nuk është ekstraduar, p.sh. dikush që jeton në Serbi. Por, në anën tjetër, ne kemi bashkëpunim të mirë me Prokurorinë e Krimeve të Luftës në Serbi.

RK: Por, megjithatë, është krijuar një perceptim në opinion publik se institucionet e Kosovës kanë reaguar menjëherë ndaj EULEX-it, pas arrestimit ndaj Grupit të Drenicës?

BERND BORCHARD: Kemi parë disa deklarata me të cilët nuk kemi qenë shumë të kënaqur. Ka pasur reagime nga disa politikanë se ata janë të pafajshëm, në pikëpamjet e tyre. Por, në Bashkimin Evropian kjo quhet ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Kjo është deklaruar edhe nga Gjykata Supreme, por edhe ajo e Apelit në Prishtinë. Prandaj, vlerësoj se kemi juridiksion të plotë në këtë çështje.

RK: A ka ndërhyrje, në të vërtet, në sistemin gjyqësor, ndërhyrje politike?

BERND BORCHARD: Më kujtohet që disa persona më herët kanë bërë përpjekje për krijimin e një komisioni parlamentar për të filluar hetimet rreth një rasti, për të cilin ishte marr vendimi ligjor në instancën më të lartë gjyqësore. Kjo nuk ka ndodhur, por nëse një gjë e tillë do të ndodhte – atëherë kjo nuk është ideja e sundimit të ligjit, sipas Bashkimit Evropian.

RK: A mendoni se sistemi gjyqësor i Kosovës është në pozitë që të veprojë pa prezencën e EULEX-it në Kosovë?

BERND BORCHARD: Kjo është çështje gjithnjë e përparësive. Mendoj se EULEX-i është këtu për t’i ndihmuar kosovarët dhe se ky mision është aset për Kosovën. Nëse Kosova dëshiron të përparojë – ju duhet të arrini sundimin e ligjit, qoftë për procesin e liberalizimit, qoftë për MSA-në … krejt këto janë çështje të sundimit të ligjit dhe ju jeni me fat që keni misionin e EULEX-it për t’ju mbështetur.

RK: Një prej çështjeve që është diskutuar në Bruksel, midis Kosovës dhe Serbisë, është edhe shpërbërja e strukturave paralel në veri të Kosovës.

BERN BORCHARD: Mendoj se ka progres. Policia dhe gjykatat paralele janë shpërbërë. Është vendosur të mbeten vetëm disa segmente tjera, si p.sh. çështja e kujdesit shëndetësor, ose disa segmente tjera më urgjente, por kjo është marrëveshje e përbashkët e cila po vazhdon. Në anën tjetër, edhe bisedimet rreth integrimit të këtyre strukturave, në ato të Kosovës, janë duke vazhduar. Ka disa çështje të hapura të cilat presim që të zgjidhen shumë shpejt.

RK: Çfarë do të ndodhë me EULEX-in pas qershori të 2014?

BERN BORCHARD: Kjo është pyetja e cila më bëhet më mijëra herë gjatë ditës. Mendoj se kjo çështje duhet të rregullohet mes Brukseli, me rekomandimet tona teknike, me 28 vendet anëtare dhe Kosovës. Mendoj se do të gjendet një zgjidhje. Ne jemi mysafir këtu dhe një ditë do të largohemi, por nuk dëshirojmë që të largohemi pa i kryer punë tona. Mendoj se kemi ende hapësirë për të thënë kontributin tonë.

RK: Besoni ju personalisht se EULEX-i do të vazhdojë të qëndrojë edhe pas qershorit të vitit 2014?

BERN BORCHARD: Mund të them që në disa fusha është mjaft mirë, por në disa fusha nuk jam shumë i kënaqur, pra ka hapësirë për kontribut. Por, siç e thashë, kjo duhet ët arrihet me një pajtim midis Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës, Brukselit dhe 28 vendet anëtare, dhe natyrisht – me disa ekspertiza tona.

Më Shumë

Rrjetat në Suharekë mbeten të paprekura

Ndeshja në mes të Suharekës dhe Ferizajt përfundoi pa fitues. 0:0 ishte rezultati përfundimtar i kësaj loje, të vlefshme për javën e 14-të të...

Deponohen rreth 500 euro të falsifikuara në një bankë në Prizren, policia nis hetimet

Një zyrtar banke në Prizren, ka raportuar në polici se një person ka deponuar 422 euro të falsifikuara. Policia ka sekuestruar paratë dhe rasti është...

Lajmet e Fundit