27.6 C
Prizren
E martë, 9 Shtator, 2025

Boyhood, një nga filmat më të mëdhenj të dekadës

GoldenGlobe-300x200Në ceremoninë e 72-të Golden Globes, filmi i regjisorit Richard Linklater u vlerësua me tri çmime. “Boyhood” është një epos 12-vjeçar që rrëfen rritjen e një djali, një bildungsroman i kinemasë moderne amerikane

Si jezuit legjendash, Richard Linklater ka marrë djalin dhe na ka dhënë burrin. Duke bërë këtë, ai ka krijuar një film, i cili realizon gjënë më fisnike që mund të arrijë një film: të yshtë dashuri.

Ky film i bukur, i mistershëm, është një studim kohor i Mason-it, që rritet nga mosha 5 deri në 18 vjeç, nga shkolla fillore te ditët e tij të para në kolegj. Është një epos i brendshëm: në harkun kohor të 12 viteve, Linklater punoi me aktorin e ri, Ellar Coltrane, duke xhiruar skena çdo vit me të dhe me aktorët e tjerë të kastës, të cilët rriteshin në mënyrë të dukshme dhe të pandalshme përreth tij. Filmi është xhiruar në një periudhë 12-vjeçare nga maji i vitit 2002 deri në tetor 2013. E bija e regjisorit, Lorelei Linklater, luan motrën e madhe të Mason-it, Samantha-n, Patricia Arquette, e nderuar me një çmim “Golden Globes” është mahnitëse si mamaja e divorcuar e dy fëmijëve, punëtore dhe me aspirata, por e dënuar të dalë me pijanecë dhe u jep fëmijëve njerkë abuzues. Ethan Hawke – fytyra e tij e mprehtë, e daltuar, që zbutet ndërsa vitet kalojnë – luan babain e dyshimtë e të kotë, por me shumë sharm, të fëmijëve, i cili shfaqet çdo disa javë me makinën e tij të hatashme. Edhe fytyra e vetë Mason-it ndryshon, nga ajo prej një fëmije të çiltër e të hapur, te një më e mbyllur e një të rrituri simpatik. Është fytyra që ai do të mësojë t’ia paraqitë botës. Në disa mënyra, filmi na fton të shohim Mason–in nga këndvështrimi i një babai të larguar, i vëmendshëm për ndryshimet e vogla të papritura dhe kërcimet në gjatësi. Por çështja është që të gjithë prindërit janë të tëhuajësuar, duke u zgjuar papritur dhe vazhdimisht përpara mënyrës sesi fëmijët po rriten, duke hamendësuar gjithnjë e më shumë veçantinë dhe privatësinë e moshës madhore. Pjesë e triumfit të këtij filmi është mënyra sesi e përshkruan enigmën se çfarë mendon dhe ndjen Mason-i. Boyhood është aq ambicioz dhe pasionant sa nuk mund të imagjinoj askënd të realizojë një tjetër tablo tradicionale të të ardhurit në moshë. Ky zhanër tani duket se është i dalëmode. Është për t’u thënë se ky film është kryekëput roman. Ndoshta krahasimi më i afërt për Ellar Coltrane dhe Mason është aktori Daniel Radcliffe dhe Harry Potter – një lidhje që Linklater e aludon lehtë. Por asnjë rast nuk i afrohet substancës dhe plotësisë të këtij filmi drithërues. Angazhimi afatgjatë i kërkuar është aq sa vlerësimet tradicionale të performancës janë thuajse jashtë diskutimit.

Regjisori i filmit, gdhend në kohë, ka thënë Tarkovsky, dhe Linklater, pa asnjë garanci sesi materiali i tij bruto do të dilte, ka gdhendur këtë studim monumental të një djali. Ose ndoshta

ai dhe koha kanë bashkëpunuar në gdhendje, ose në të vërtetë koha ka gdhendur Coltrane-nin dhe Linklater-in. Është një lloj Bildungsroman – romani që rrëfen rritjen- për kinemanë moderne amerikane, i kryer në një nivel modest, tejet inteligjent. Të gjitha ritet e njohura të kalimit janë këtu, po të paraqitura mbrëmjeve, pa rrahjet narrative klishe, pjesërisht në funksion të fundit që mbetet i hapur, i nevojshëm për projektin.

Mason rrallë, për të mos thënë kurrë, mërzitet, megjithëse shkon shumë pranë lotëve në një debat me të atin për makinën e shpejtë ndërsa nget kamionçinën e vogël e të mërzitshme të babait. Prindërit e moshuar të gruas së dytë të të atit, shfaqen si të krishterë konservatorë, që i japin këtij fëmije liberal një Bibël dhe një armë për ditëlindje. Në ndonjë film tjetër, ky do të ishte rast për argumente të tymta dhe rezoluta të shpëlara. Këtu, Mason-i pranon dhuratat me një natyrë fjalëpake dhe diplomatike. Tamam si ç’do të kishte ndodhur në jetën e vërtetë.

Boyhood është në kontakt me një të vërtetë të thjeshtë dhe urgjente; jeta është tmerrësisht e shkurtër. Ndërsa fëmijëria jonë në progres duket si një amshim për prindërit tanë, ajo e shkrep të shkuarën në një çast ëndrrash. Pastaj për ne, ndryshon nga një narrativë e fortë, e supozuar, drejt një yjësie të pështjelluar të momenteve të mbajtura mend dhe gjysmë të mbajtura mend, që lëvizin brenda dhe jashtë arritjes. Teknika kohore e regjisorit mund të aplikohet lehtë ndaj çdo karakteri tjetër në film. Fëmijët dhe të rriturit nuk janë specie të ndara. Ndoshta Linklater dhe Ellar Coltrane do të kthehen për vazhdimin e këtij filmi: “Manhood”, “Middle Age” e kështu me radhë. Një pjesë e imja lutet ta shohë Mason-in sërish. Dhe një pjesë mendon se është një përulësi e përsosur mënyra sesi filmi butësisht e lë atë me miqtë e rinj në kolegj. Në çdo mënyrë, është një nga filmat më të mëdhenj të dekadës.

*Nga Peter Bradshow

Më Shumë

Joe Reece, amerikani i tretë që përforcon KB Ylli

Basketbollisti amerikan, Joe Reece është përforcimi më i ri te Golden Eagle Ylli për sezonin 2025/26 në Superligën e Kosovës në basketboll. Skuadra nga...

Hamit Gurguri prezanton veprimtarinë krijuese në Rahovec

Në kuadër të atmosferës festive të “Festës së Vjeljes së Rrushit” në Rahovec, Klubi letrar “Xhevdet Bajraj” organizoi një aktivitet kulturor me rastin e...

Lajmet e Fundit