15.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Buxhovi: LDK e sotme lufton për karrige, s’ngjason me atë rugoviane

Shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi, një prej themeluesve të LDK-së, ka thënë se kjo parti është themeluese e konceptit të shtetndërtimit në Kosovë.

Ai në emisionin Rrokum Rrol në televizionin Rrokum, tha se rrethanat e pasluftës në Kosovë nuk ishin demokratike, porse LDK është votuar masovikisht me inercion. Sipas tij, pas luftës, duke hyrë në bashkëqeverisje me faktorët tjerë, LDK ka sakrifikuar votën e elektoratit.

“Ky është absurdi i bashkëqeverisjes, sepse nuk ka marrë pushtet në raport me mbështetjen popullore dhe numrin e votave”, thotë ai.

Buxhovi thekson se LDK nuk do të jetë ajo që ishte në kohën e Ibrahim Rugovës, ndërsa thotë se anëtarët këtij subjekti i kanë ikur koncepteve të Rugovës edhe kur janë thirrur në emrin e tij.

“Asnjëri prej pasardhësve të Rugovës nuk mundet me qenë Rugovë.Mendoj se LDK nuk ka personalitet të tillë me iu afrua personalitetit të Rugovës”, ka thënë ai.

Parimet kryesore të LDK kanë qenë kthimi nga Perëndimi, liria, sekularizmi dhe shteti ligjor. Por, këto parime, sipas Buxhovit, nuk janë më.

“Shteti i Kosovës po e humb parimin e sekularizmit. Në Kosovë i është lënë vend islamit politik. Kur i dëgjon piskamat prej xhamive të Prishtinës mendon se je diku ne Lindje”, ka potencuar ai.

Buxhovi tha se LDK sot është parti pa identitet.

“Sot LDK lufton për karrige. Kjo LDK s’ka asgjë të përbashkët me LDK-në rugoviane. Nuk pat njerëz që ishin ne gjendje me e mbrojt LDK-në. LDK sot ka probleme të mëdha me koncepte. E, pa një LDK stabile, skena politike ne Kosove nuk mundet me qenë stabile. LDK edhe sot ka ma së shumti elektorat dhe veç pak me iu kthye kursit të saj të dikurshëm, kishte me i marrë 50 deri në 60 për qind të votave.

Por, në LDK kanë hyrë struktura kriminale, janë krijuar feude politike brenda partisë, si edhe në partitë tjera”, vlerëson ai

Për koalicionin LDK-PDK Buxhovi thotë se është i dëmshëm për shtetin e Kosovës, ndërsa shton se partitë janë të kapura nga strukturat gjysmë kriminale që nuk lejojnë intelektualët të përfshihen aty.

“Ata kënaqen nga njerëz varur, të dëgjueshëm, që janë edhe jeniçera”, tha Buzhovi.

Për zgjedhjet e brendshme që aktualisht po zhvillohen në LDK, Buxhovi tha se janë jodemokratike, sepse listat po filtrohen e po eliminohen njerëzit.

“LDK është privatizuar. Është shndërruar në parti të një grupi që e ka përdorë partinë për me shfrytëzuar dhe për ta zhvatur shtetin”, ka theksuar ai.

Buxhovi tha se Isa Musfata është pjesë e dështimit të skenës politike të Kosovës dhe të LDK-së.

“Nëse kjo parti nuk ka me pasë ndryshime, ka me pësua krejt skena politike. Nëse Isa Mustafa rizgjidhet, LDK shkon edhe ma keq. Skena politike e Kosovës mbahet prej LDK-së”, ka thënë ai.

Më Shumë

Dërgohet në mbajtje shoferi i veturës së përfshirë në aksidentin ku mbetën të vdekur dy persona në Suharekë

Një aksident mes një motoçiklete dhe një veture ka ndodhur në Shirokë të Suharekës ku si pasojë kanë vdekur dy persona, të dielën. Lajmin për...

Aksident tragjik në Shirokë të Suharekës, humbin jetën dy persona

Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të...

Lajmet e Fundit