10.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Ceremoniali shtetëror i rivarrimit të eshtrave të Hasan Prishtinës

Arkiva e Shtetit ka publikuar sot disa nga fotot që ruhen në Fototekën e Arkivit Qendror Shtetëror, dhe paraqesin ceremonialin shtetëror të rivarrimit të eshtrave të Hasan Prishtinës në Kukës më 6 dhjetor 1977.

Sot përkujtohet dita kur Hasan Prishtina ndërroi jetë në Selanik, pas një atentati.

Ai ishte tri herë deputet në parlamentin osman. Bashkë me Ismail Qemalin ishte ndër nismëtarët e Kryengritjes së Përgjithshme Kundërosmane, e më pas ministër i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

Postimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave

#SiSot ndërroi jetë në Selanik, pas një atentati, Hasan Prishtina.

Hasan Prishtina lindi në Vushtri të Kosovës më 1873. Kreu Gjimnazin Francez në Selanik dhe shkollën e lartë të administratës osmane “Mylkije” në Stamboll.

Ishte tri herë deputet në parlamentin osman. Bashkë me Ismail Qemalin ishte ndër nismëtarët e Kryengritjes së Përgjithshme Kundërosmane, e më pas ministër i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

Më 1913 ishte ndër organizatorët e kryengritjes kundërserbe të shtatorit, kurse më 1918 u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.

Më 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në Këshillin Kombëtar dhe u ngarkua nga Këshilli i Lartë për të ndërtuar qeverinë më 7 dhjetor 1921. Në periudhën 1922-23 u shqua si një nga figurat e opozitës në Shqipëri, kurse më 1924, teksa udhëhiqte lëvizjen e armatosur kaçake në Kosovë kundër sundimit serb, mori pjesë edhe në përgatitjen e Revolucionit të Qershorit në Shqipëri.

U kthye në Tiranë më 1924, por u largua më 1925, për të jetuar në mërgim, deri në vdekje. Gjatë gjithë jetës punoi e luftoi për Kosovën e lirë e të bashkuar me Shqipërinë, duke kundërshtuar fort dhe hapur qoftë politikat serbe, qoftë qëndrimet miqësore të Ahmet Zogut me Serbinë.

Më 1931, bashkë me organizatën “Bashkimi Kombëtar”, mori pjesë në organizimin e atentatit kundër A. Zogut në Vjenë. Kurse vetë H. Prishtinës iu bënë katër atentate, u burgos dy herë, dhe u dënua gjashtë herë me vdekje (një herë nga xhonturqit, një herë nga Esad Pashë Toptani, një herë nga qeveria serbe dhe tri herë nga Ahmet Zogu).

Atentati i fundit iu krye më 14 gusht 1933 në Selanik të Greqisë.

Dorasi ishte Ibrahim Çelo, i cili pohoi para policisë se vrasjen e kreu për një shumë parash, të cilën viktima nuk ia dha. Në gazetat lokale vrasja u konsideura si “sherr mes shqiptarësh”, por në shtypin perëndimor u aludua për larje hesapesh mes armiqve të vjetër, Ahmet Zogut dhe Hasan Prishtinës.

Pas atentatit, Hasan Prishtina u varros në varrezat e Selanikut, nga ku u soll në Shqipëri më 1977, për t’u rivarrosur në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit të Kukësit, vendndodhja më e afërt gjeografike me vendlindjen e tij.

Fotografitë që sjellim këtu ruhen në Fototekën e Arkivit Qendror Shtetëror, dhe paraqesin ceremonialin shtetëror të rivarrimit të eshtrave të Hasan Prishtinës në Kukës më 6 dhjetor 1977.

Eshtrat e patriotit të shquar ekspozohen në shtrat topi në Sheshin Skënderbej, transportohen në Kukës, ku kryhet ceremonia zyrtare e nderimit me fjalime dhe homazhe dhe, më pas, vendosen në banesën e deritanishme.

Më Shumë

56 vjet nga vdekja e novelistes amerikane, Edna Ferber

E quajtur “Novelistja më e madhe amerikane e kohës së saj”, novelistja dhe dramaturgja fituese e çmimit Pulitzer, Edna Ferber vdiq 55 vjet më...

Sindikata e Arsimit paralajmëron protestë më 1 maj

Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar se nëse qeveria nuk shqyrton kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura nga kjo sindikatë, do ndërmerren veprime sindikale. Drejtues të kësaj...

Lajmet e Fundit