15.8 C
Prizren
E diel, 2 Qershor, 2024

Cilit Haradinaj t’i besojmë?

Arbana XharraArbana Xharra

Ramush Haradinaj, në intervistën e tij të fundit dhënë gazetës “Zëri”, flet për degradimin shtetëror, për politikanët që s’u zihet besë, për SHIK-un etj. Të gjitha këto një realitet i njohur për ne, të thëna shumë herë, fakte të gjalla, denigrim i vazhdueshëm që po i bëhet vendit. Por, për to na flet një politikan, i cili nuk ka treguar qëndrueshmëri politike, pikësëpari në raport me ata që akuzon. Nuk mund të harrohet pamja e parakalimit të Haradinajt në tepihun e kuq në aeroportin Prishtinës, krah për krah me Thaçit, me të ardhur nga Haga.

Dëshira e tij e zjarrtë për të ardhur në pushtet, në bashkëqeverisje me PDK-në, nuk mund të na fshihet nga kujtesa ne gjithë diskursin, tashmë krejt ndryshe të Haradinajt, në raport me këtë parti. Shkëmbimi i librave me kreun e PDK-së, pjesë e së cilës janë strukturat e SHIK-ut, që sot Haradinaj kërkon të hetohet. Pra, deklarata mbi keqqeverisjen, korrupsionin e të tjera, do të ishin bindëse, të dëgjoheshin nga një lider kredibil politik dhe konsistent, me një rreth njerëzish të besueshëm. Nuk mund të jetë PDK-ja herë e keqe e herë e mirë. Të gjitha këto që Haradinaj sot i thotë për PDK-në, LDK-në, SHIK-un dhe të tjerat, qëndrojnë, por nuk tingëllojnë aspak bindëse kur dëgjohen nga goja e tij.

Kur ai flet për Bllokun, është shumë e vërtetë se veprimi politik i Isa Mustafës shihet si tradhti për partitë që kishe arritur koalicion, por në këtë rast, nuk dallon shumë qëllimi politik i Haradinajt me atë të Mustafës: të dy luftuan për postin e kryeministrit. Se Haradinaj do ta refuzonte ofertën e Thaçit për ta bërë kryeministër, zor se e beson kush, e aq më pak kur na bie në mend gatishmëria e tij që t’i hidhej në përqafim Thaçit pak vite më parë.

Pastaj, nuk mjafton dëshira për të qeverisur që të bindë opinionin, se është ai që do ta “shpëtojë Kosovën” e aq më pak me rrethin e ngushtë familjar si grup parlamentar. Dhe as premtimet se do ta pastrojë partinë nga haraçkërkuesit, sepse është pak e vështirë të besohet se dikush nga kjo parti ka pasur guximin të kërkojë haraç në emër të vëllezërve Haradinaj.

Pastaj, si u bë që tek tash, në fund të vitit 2014, Haradinaj mori vendim që ta pastrojë partinë e tij? D.m.th. paska mashtruar elektoratin e tij, kur ia ka kërkuar votën, duke iu premtuar se me AAK-në do të ecin përpara. Haradinaj e paska ditur shumë mirë se me çfarë njerëz ka të bëjë. Pse tash sa vjet paska heshtur?

E kur kreu i AAK-së flet për korrupsion duhet të dijë edhe definicionin e këtij fenomeni dhe elementet që aludojnë në të. Për t’u pastruar nga paragjykimet duhet të sqarojë luksin e vëllezërve Haradinaj, sepse me një rrogë e as dy, mezi po paguhen ratat e kredive për një banesë dydhomëshe, e lëre më të ndërtohen pallate e të voziten xhipa të zinj.
Nëse po flasim për të keqen e këtij vendi dhe shkaktarët e tij, atëherë një kontribut jo të vogël e ka dhënë edhe partia e Haradinajt dhe ata njerëz për të cilët po flet sot kreu i tyre.
Kështu që Haradinaj me këtë qasjen e re kur i drejtohet popullit, se po reformohet – ndoshta edhe mund të bindë ata që s’mbajnë mend gjë nga kjo, një dekadë e gjysmë pas luftës, por jo edhe neve që e dimë mirë kush dhe si ka qeverisur AAK-ja dhe cila është ëndrra e parealizuar e kreut të saj.

Për të na mbushur mendjen, se Haradinaj e ka seriozisht reformimin, atëherë ai duhet nisur pastrimin e partisë nga njerëzit e afërt të tij, ata që kanë ndikim, përndryshe me emrat periferikë s’merret kush.

Sa u përket kritikave për bisedimet me Serbinë, Haradinajt i bie më së paku hise të flasë kundër, sepse njeriu i tij, Blerim Shala, ka qenë “satelit” i Hashim Thaçit, gjatë gjithë bisedimeve të zhvilluara me Beogradin.

Prandaj, Haradinaj sa shpenzon energjitë e tij të na bindë se AAK-ja do të ndryshojë, bën mirë që të nisë të planifikojë seriozisht të ardhmen e tij politike!

Më Shumë

Kurti vizitoi Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, vizituan...

E zhdukura nga Gjakova gjendet në Prizren: 16-vjeçarja bashkëjetonte me një burrë

E zhdukur prej rreth një muaji, një vajzë e mitur nga Gjakova është gjetur duke bashkëjetuar me një burrë në Prizren. Rasti i vajzës...

Lajmet e Fundit