9.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Cook dhe Paçarizi përmbyllin Javën e Arkitekturës

20140707085408523646 “Jashtëtokësori miqësor” është emri i një prej objekteve që ka projektuar arkitekti anglez Sir Peter Cook.

Bëhet fjalë për një muze që Cook do ta ndërtonte në vitin 2003 në Graz të Austrisë. Ky objekt që ka formën e një flluske gjigante nga qelqi është vepra me të cilin ai do të marrë famë. Zanafilla e idesë për realizimin e këtij objekti, detaje për projektimin dhe ndërtimin e tij, Cook i ka shpjeguar vetë në një ligjëratë të mbajtur në Prishtinë.

Për më shumë se një orë, të shtunën mbrëma, Cook ka folur për projektet e tij në Modelariunim e Fakultetit të Arkitekturës. Ligjërata e tij ka qenë pjesë e agjendës së Javës së Arkitekturës në Prishtinë, që përmbylli edicionin e dytë. Veç Cookut, në ditën përmbyllëse të këtij evenimenti ka ligjëruar edhe arkitekti kosovar, Gëzim Paçarizi, i cili është kuratori i sivjetmë i Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venecies.

Veç Muzeut në qytetin austriak, Cook është i njohur edhe për projektimin e Universitetit të Ekonomisë dhe të Biznesit në Vjenë, të cilin e kishte realizuar vitin e kaluar. Po ashtu ka projektuar shkollën e arkitekturës në Australi “Abedian School of Architecture”. Në vitet ’60 të shekullit të kaluar ai do të themelonte kompaninë avangarde të arkitekturës “Archigram”, ndërsa në vitin 2007 u nderua nga Mbretëresha për kontributet e tij në fushën e arkitekturës dhe të mësimdhënies.

Por në ligjëratën e tij në Prishtinë, Cook ka folur edhe për projektet që nuk ka arritur t’i finalizojë. Një prej tyre është dizajnimi i një ure në Shkup që nuk ishte përzgjedhur të realizohej. Por megjithatë, Cook ka thënë se ky është një prej projekteve që për vete i pëlqen.
“Ishte një urë që ka kioskë në të, dhe kioska lëviz nga njëra anë e urës tek tjetra dhe ka një bar që mund të shërbej si një mundësi e mirë për të shikuar lumin që kalon poshtë dhe të relaksohesh. Nuk e fituam por është një projekt që më pëlqen shumë dhe që mund të përdoret. Kam një interesim të veçantë për kioska dhe e vërejta se edhe ju keni shumë”, ka thënë Cook, i cili në vitin 2004 ishte nderuar me Medaljen e artë mbretërore.

Përveç interesit për kioskat, ai ka demonstruar disa shembuj të interesit, duke marrë si protagonist njerëzit. Ai i ka ndarë në gjashtë kategori dhe kështu ka shpjeguar marrëdhëniet e secilit grup me urbanizmin dhe arkitekturën në përgjithësi.
Në edicionin e dytë të Javës së Arkitekturës në Prishtinë, që ka zgjatur 6 ditë, për një orë arkitetki Gëzim Paçarizi mbajti ligjëratë në lidhje me punën e tij që ka bërë për t’u paraqitur në Ekspozitën e Arkitekturës në Bienale.
Sipas Paçarizit, materialet që ka mbledhur për prezantimin në Bienale kanë qenë të shumta.
“Një pjesë e atij materiali është përdorur për ekspozitë, ndërsa një pjesë e madhe ka mbetur pa u përdorur. Jam munduar që ato t’i përmbledh në këtë ligjëratë”, ka thënë Paçarizi, tek ka folur për pjesën e parë të ekspozitës me fotografi.

”Studim yni është kristalizuar me një ekspozitë ku kanë qenë 365 fotografi dhe plane që e kanë prezantuar arkitekturën kosovare, por në suaza më të gjëra jo vetëm në arkitekturë. Që nga viti 1863 e deri më sot kanë qenë të ndara përafërsisht në dy degë. E para, Kosova para modernitetit dhe, e dyta, Kosova pas modernitetit. Apo, thënë më ndryshe, pjesë e trashëgimisë kosovare dhe ndryshimi i saj pas Luftës së Parë Botërore e deri më sot”, ka shtuar ai.
Teksa Paçarizi po qëndronte në foltoren e vendosur në skenë, në ekranin e madh prapa tij shpaloseshin fotografi, të cilat ai i ka siguruar nga arkiva e Vjenës, Parisi edhe nga Australia. Në këtë mes edhe fotografi të fotografit Jozef Zekiri, i cili ka qenë me Hanin, albanologun e parë gjerman, në Kosovë.

“Ai i ka lënë pesë fotografi të Prizrenit dhe Hani e ka një përshkrim të Prizrenit në atë kohë. Këto foto janë të pastra me kualitet të lartë, të cilat publiku ka pasur rastin t’i shohë për herë të parë. Një panoramë që tregon se si ka qenë Prizreni para 150 vjetësh”, ka thënë Paçarizi, i cili ka studiuar arkitekturën në Prishtinë dhe më pas në Gjenevë ku edhe ka diplomuar në vitin 1993.
Pjesa e dytë e ligjëratës së tij iu dedikua “kullës së shkamit”. Ai ka shpjeguar për inspirimin tij dhe si ka ardhur deri tek ideja për këtë kullë. Zbulimet e rastit që i kemi gjetur gjatë studimit sa i përket ‘shkamit’ si element.

“Fjala ‘shkam’ dy kuptime. Shqipja është e vetmja gjuhë ku ky raport ekziston në mes të ‘shkamit’ si karrige dhe ‘shkamit’ si gur. Kjo dëshmon se ‘shkami’ si element i enterierit tonë ekziston shumë moti”, ka thënë Paçarizi, tek ka vlerësuar organizmin e Javës së Arkitekturës në Prishtinë.

Kjo javë që temë kishte “Qytetin” nis me ekspozitën e “Aga Khan” – çmimi për arkitekturë dhe ligjëratën e kryetarit të Komunë së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ligjërues të tjerë që karakterizuan edicionin e dytë të kësaj jave ishin: Pippo Ciorra, Emre Arolat, Haris Piplas, Syke Duncan, Farrokh Darakhshani, Dijana Vucinic, Ledian dhe Sajmir Kristo./koha ditore/

 

Më Shumë

Kosova përfiton 90 milionë euro nga Banka Botërore

Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe zëvendëspresidentja për Evropë dhe Azi Qendrore në Bankën Botërore, Antonella Bassani, kanë nënshkruar marrëveshje për financimin e politikave...

Mbi 2 mijë patentë shofer të konfiskuar për tre muaj: Mbi 5 mijë shoferëve u janë vendosur pikët negative

Policia e Kosovës ka njoftuar se përgjatë periudhës kohore Janar – Mars të vitit 2024, 2mijë e 223 shoferëve u është konfiskuar patentë shoferi. Derisa...

Lajmet e Fundit