Është e rëndësishme që serbët të jenë të bashkuar, ka porositur kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, gjatë vizitës që të shtunën i ka bërë Manastirit të Graçanicës, në Kosovë. Kryeministri i Serbisë e ka vlerësuar vizitën e tij si mjaft të rëndësishme dhe ka theksuar se përmes kësaj vizite dëshiron të përçojë mesazhe paqeje.
“Ne, së pari, dëshirojmë të përçojmë mesazhin e paqes dhe mesazhin e një jete të përbashkët. Në anën tjetër, është mesazh se Serbia kujdeset për popullin e saj , për qytetarët e saj dhe se kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Gjithçka tjetër, natyrisht, është çështje e politikës ditore. Për ne është e rëndësishme që serbët të jenë të bashkuar”, ka thënë Daçiq, transmeton REL.
Ai ka shtuar se nuk do të marrë pjesë në tubimin zgjedhor, si dhe nuk do të votojë në zgjedhjet lokale të Kosovës.
“Nuk është e imja që të marr pjesë në tubime partiake, por është e qartë se kë e mbështet Serbia. Unë nuk mund të votoj, sepse janë zgjedhje lokale. Unë nuk kam vendbanim në Kosovë, kështu që kur të jenë zgjedhjet parlamentare, unë gjithsesi që do të votoj”, ka theksuar Daçiq.
Në Manastirin e Graçanicës, kryeministrin serb Daçiq e ka pritur peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije. Pas vizitës së Manastirit, Daçiq dhe Teodosije kanë vazhduar bisedat në ndërtesën e Peshkopatës. Ky takim ishte i mbyllur për mediat.
Megjithatë, Daçiqi, pas vizitës në manastir, u është drejtuar qytetarëve dhe atyre që nga tubimi zgjedhor i Iniciativës Qytetare Serbe, kishin shkuar para Manastirit të Graçanicës.
“Dilni të gjithë në zgjedhjet lokale që ta zgjidhni pushtetin serb. Të tregojmë se sa jemi të fuqishëm edhe me mençuri”, ka porositur Daçiq, duke i ftuar qytetarët që të organizohen dhe ta fitojnë pushtetin në mjediset ku jetojnë serbët. “Mjaft kemi pasur humbje në Kosovë. Na duhet fitorja. Për këtë arsye nga ju kërkoj fitoren në zgjedhjet lokale në Kosovë. Kjo nuk është fitore për Listën serbe. Kjo është fitore për bashkimin”, ka shtuar Daçiq.
Në Graçanicë ishin tubuar një numër i madh i njerëzve, qoftë për mitingun parazgjedhor të Iniciativës Qytetare Serbe, qoftë për të pritur kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq.