11.8 C
Prizren
E shtunë, 21 Shtator, 2024

Danaj: Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës si Krimeja Rusisë

KoçoDanajJanë 6 fakte të cilat krahasimin Kosovë-Krime e bëjnë të pabesueshëm. E para, Kosova u aneksua me dhunë Serbisë, pas Konferencës famëkeqe të Londrës, ndërsa Krimeja iu dha Ukrainës në kohën e Hrushovit. Tirana dhe Prishtina duhet të mbështesin me të gjitha forcat për bashkimin e Luginës së Preshevës me Shqipërinë. Ideja e Lutfi Hazirit për shkëmbim territoresh është sikur e tregtarëve në ekonominë e lirë të tregut. Për të jetësuar idenë e Shqipërisë Natyrale, në pushtet duhet të vijnë shqiptarë që mendojnë dhe të veprojnë kombëtarisht.Kryetar i Listës për Shqipëri Natyrale, Koço Danaj, flet për Express.
Express: Pse duhet të përdoret precedenti Krimea për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën dhe Shqipërinë?

K. Danaj: Po bëj një sqarim, diplomacia ruse pastaj ajo botërore përdorën, precedentin Kosovë në fillim. Ju kujtohet se Putin e artikuloi disa herë, rastin Kosovë, për të arsyetuar rastin Krime. Por Putin më shumë dhe diplomatët e Brukselit më pak të cilët ju kundërvunë, harruan të përmendin 6 fakte të cilat krahasimin Kosovë-Krime e bënë të pabesueshëm.

Express: Cilat janë ato fakte?

K. Danaj: E para: Presidenti Putin e di shumë mirë se Kosova u aneksua me dhunë Serbisë, pas Konferencës famëkeqe të Londrës, ndërsa Krimeja iu dha Ukrainës nga Byroja Politike e PKBS në kohën e Hrushovit. Le ta dënojë Putin mbledhjen famëkeqe të Londrës që copëtoi kombin shqiptar dhe ia dha Kosovën Serbisë. As më shumë e as më pak le të bëjë atë që bëri Lenini në 1917. E dyta: Mbi Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës u ushtrua një gjenocid gati një shekullor nga shovinizmi serb. Le ta dënojë presidenti Putin këtë gjenocid zyrtarisht. E treta: Rusia është ajo që mban akoma në këmbë Rezolutën famëkeqe 1244, duke vendosur Veton e saj. Kjo Rezolutë, është akoma si fusnotë pas fjalës Kosovë. Le ta heqë, Putin, të drejtën e Vetos duke u bërë nismëtar i anulimit të kësaj Rezolute. E katërta: Kosova nuk ka të drejtë me Kushtetutë të bashkohet më Shqipërinë, për shkak të kësaj Rezolute. Le të ndikojë Putin tek arbitrat ndërkombëtarë, për të ndryshuar Kushtetutën duke lejuar Kosovën të bashkohet me Shqipërinë. E pesta: Putin duhet ta dijë se miqtë e tij serbët e kërcënojnë Kosovën me ndarjen e Veriut të saj, ndërsa Krimeja u bashkua me Rusinë pa pyetur se sa tatarë apo ukrainas jetojnë atje. Për kulturë të diplomacisë ruse, në Kosovë jetojnë 92 për qind shqiptarë dhe 8 për qind pakica kombëtare. Në Krime jetojnë 58 për qind rusë dhe 32 për qind pakica kombëtare. E gjashta: Në Konferencën e Potsdamit në Korrik 1945, populli shqiptar i Kosovës u trajtua si pakicë që kishte marrë pjesë aktive në Luftën e dytë botërore me 50 mijë antifashistë dhe 6 mijë dëshmorë. Megjithatë, aleatët më të ngushtë të Putinit, serbët vazhduan gjenocidin ndaj tyre dhe shpërnguljen në Turqi. Pra janë gjashtë fakte që nuk janë thënë as nga Putin, por disa prej tyre as nga diplomatët perëndimorë, që kanë vënë shenjën e paralelizmit midis Kosovës dhe Krimesë apo që e kanë kundërshtuar atë. Kur të pranohen këto gjashtë fakte në fillim nga Moska e Putin dhe pastaj disa prej tyre edhe nga miqtë e serbëve në Bruksel, shqiptarët do të gjykojnë ndryshe. Le të vijmë tani tek kërkesa që Lugina e Preshevës të bashkohet me Shqipërinë . Është një kërkesë e drejtë, e pjekur dhe në kohën e duhur. Ndërsa sulmet kundër kësaj kërkese janë kundërhistorike dhe kundërshqiptare. Pse? Lugina e Preshevës është një meritor shqiptar që iu shkëput Shqipërisë Natyrale nga e ashtuquajtura Mbledhje e Londrës së bashku me dhjetëra mijëra kilometra katrore të tjera, siç ishin Shqipëria Verilindore, Shqipëria Lindore nën Maqedoni, Çamëria dhe trojet shqiptare nën Mal të Zi. Kjo kërkesë është plotësisht në përputhje me këtë të drejtën ndërkombëtare. Ja disa fakte: Franca sot konsideron territore të saj një grup ishujsh mijëra kilometra katrore larg Francës në Amerikën Qendrore, si San Martin, Martinikë etj etj, Britania e Madhe konsideron territore të saj ishuj mijëra kilometra larg si ishujt Malvine afër Argjentinës. Ato i quajnë këto si territore “përtej Detit”. Rusia konsideron territor të saj provincën e Konigsbergut (Kaliningradit), mijëra kilometra larg Rusisë. Dhe kjo është konsideruar në përputhje me marrëdhëniet ndërkombëtare. Përse të mos konsiderohet e tillë edhe kërkesa për bashkimin e Luginës së Preshevës me Shqipërinë? Vazhdojmë më tej: Krimea zhvilloi referendum dhe u bashkua me Rusinë me pretekstin se në Ukrainë erdhën në pushtet forca nacionaliste dhe ultranacionaliste. Ndërkaq në Beograd, në zgjedhjet e fundit parlamentare erdhën në pushtet forcat ultranacionaliste të Vuçiqit dhe Daçiqit, të cilat zotërojnë 82 për qind të parlamentit serb. Këto forca në të kaluarën shumë të afërt janë të njohura për gjenocidin e tyre ndaj shqiptarëve në mbarë trojet shqiptare dhe veçanërisht në Luginën e Preshevës. Sot synimi i tyre është i ashtuquajturi spastrim “demokratik: i Luginës. Shembulli i qytetit të Medvegjës dhe spastrimi i tij nga shqiptarët pas viteve 2000 e vërteton më së miri strategjinë e ultranacionalizmit serb.

Express: Sa është e gatshme Kosova dhe Shqipëria të nisin këto procedura për rikthimin e Luginës së Preshevës në territor të dy shteteve shqiptare?

K. Danaj: Nuk është puna për gatishmëri. Problemi qëndron te vizioni për të ardhmen. Tirana dhe Prishtina duhet të mbështesin me të gjitha forcat bashkimin e Luginës së Preshevës me Shqipërinë. Përndryshe nuk janë politikanë shqiptarë, por porosimarrës. Bashkësia ndërkombëtare ka dalë kundër aneksimit të Krimesë nga Rusia. Ndërkohë, ju po insistoni të përdoret ky rast si precedentë për Luginën e Preshevës.

Express: Keni marrë ndonjë reagim nga faktori ndërkombëtarë për idenë tuaj?

K. Danaj: E para: Unë nuk jam arbitër i marrëdhënieve ndërkombëtare, por veprimtar i çështjes shqiptare. E dyta: Diplomatët ndërkombëtarë në Tiranë, nuk kanë mundur dot të rrëzojnë faktet e mësipërme. Prandaj ata të japin mbështetje në takim direkt e natyrisht të kundërshtojnë kur dalin në televizor. Mua më intereson më shumë mbështetja në takime direkte.

Express: Nëse shkojmë me këtë logjik edhe Veriu i Kosovës mund t’i bashkohet Serbisë dhe të përdor precedentin Krimea për t’u bashkuar me Serbinë?

K. Danaj: Jo, me logjikën time që mbështetet në të drejtën historike nuk mund të përdoret nënteksti i pyetjes suaj. Në Krime jetojnë 32 për qind tatarë dhe ukrainas. Keni dëgjuar gjë ju që ata të kërkojnë shkëputje? Jo. Lëshimet parimore të politikës shqiptare për të pranuar Ahtisarin Plus, nuk duhet të përdoren si argumente në çështjen shqiptare.

Express: Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri edhe njëherë e ka ri-aktualizuar idenë e tij për shkëmbimin e territoreve me Serbinë. Ai ka propozuar shkëmbimin e një pjesë të Veriut të Kosovës me tri komunat në Luginë të Preshevës. Sa është e mundshme një ide e tillë?

K. Danaj: Më falni, por në ekonominë e tregut është normale të ketë edhe tregtarë tokash, që i shesin apo i blejnë. Por një vend demokratik që zhvillon ekonominë e tregut, ashtu siç pranon tregtarin e tokave, po ashtu ndalon tregtarin e territoreve. Dhe e dyta, akoma territore do të falin shqiptarët, nuk ju mjafton Toplica, Nishi, Vranja, Tutini, Prilepi, Velesi etj., etj.

Express: Në përvjetorin e 100 të Pavarësisë së Shqipërisë, liderët e Kosovës dhe Shqipërisë iu kthyen retorikës nacionaliste, por më nuk kemi dëgjuar as deklarata…?

K. Danaj: Nuk ishin deklarata nacionaliste, ishin thellësisht europeiste. Por mjerisht mbetën vetëm deklarata dhe nuk u shndërruan në Platformë tërësore për bashkimin e meritoreve shqiptare mbi bazën e Aktit Juridik të Kuvendit të Vlorës që i shpalli Kufijtë e Shqipërisë nga Presheva në Prevezë e nga Durrësi në Shkup.

Express: Një institut nga Shqipëria dha alarmin se Serbia mund të aneksoi Kosovën pas rastit të Rusisë me një pjesë të Ukrainës. Sa ka rrezik të ndodh një gjë e tillë duke pasur parasysh kontekstin e Kosovës dhe rajonit?

K. Danaj: Zero mundësi. Vërtet mendoni se Serbia do të ndërmarrë një aventurë të tillë? Ata janë ultranacionalistë, por nuk janë budallenj që ta zvogëlojnë Serbinë në deri kufijtë e Pashallëkut të Beogradit.

Express: A mund të presim që Edi Rama dhe Hashim Thaçi të bëjnë diçka sa i përket idesë tuaj për “Shqipërinë Natyrale”?

K. Danaj: Dy veta mund të bëjnë diçka siç thoni ju. Për shembull bashkimin ekonomik, arsimor, kulturor etj. Por bashkimi i një kombi kërkon më shumë se dy veta, kërkon një Elitë, kërkon që dy Akademi në Prishtinë dhe Tiranë të mos merren me sherre meskine, të mos merren se kush është i pari. E para është Shqipëria Natyrale. Ne të tjerët jemi të nevojshëm, por nuk jemi të domosdoshëm. Dhe e fundit, politika shqiptare në Tiranë, Prishtinë apo Shkup mjafton të arrijë Pjekurinë Kombëtare të Kombit Shqiptar që e tregoi në 28 Nëntor 2012 në Vlorë.

Express: Kush duhet të vijë në pushtet në Kosovë dhe Shqipëri që të jetësohet ideja juaj?

K. Danaj: Duhet të vijnë politikanë të cilët pasi të pranojnë globalizmin si fenomen botëror, të mendojnë dhe të veprojnë kombëtarisht. Pra për politikanë që nuk regjistrohen thjesht si shqiptarë, por që ndjehen shqiptarë në çdo hap të veprimtarisë së tyre.

Më Shumë

Zhegrova monitorohet nga Real Madridi

Edon Zhegrova pritet që verën e ardhshëm të bëjë hapin e madh në karrierë. Në Spanjë dhe Francë po raportohet se skuadra e Real Madridit...

Sabri Fejzullahu, këngëtari i pranverës së Prishtinës, sot mbush 77 vjet

Sabri Fejzullahu i takon gjeneratës së vjetër të këngëtarëve i cili ka arritur që edhe në kohën e re të zë vendin e vet...

Lajmet e Fundit