Sot (e martë) shënohet 33-vjetori i demonstratave gjithëpopullore të vitit 1981. Veprimtari i çështjes kombëtare, Bardhyl Mahmuti, një prej pjesëmarrësve të këtyre demonstratave, ka vlerësuar se ngjarjet e vitit ’81 kanë ndryshuar përgjithmonë kontekstin historik të kombit shqiptar. Ai ka thënë se gjaku i derdhur në këto demonstrata i ka hapur rrugë realizimit të aspiratave të popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe pavarësi.
“Gjaku i 11 protestuesve të vrarë dhe i rreth 300 të plagosurve të tjerë do të ngjallë një dinamikë të konfliktit që do të përfshijë tërë hapësirën e Federatës jugosllave. Për ne shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera që ishin të pushtuara nga ish-Jugosllavia, ky gjak i derdhur do ta trasojë rrugën e kontekstit të ri historik: rrugën e lirisë”, ka thënë Mahmuti në një intervistë për “Epokën e re”.
Mahmuti ka deklaruar se hapësira e rezistencës kombëtare ka nxjerrë në shesh dy vektorë që ndërlidhin më shumë se pesë dekada rezistencë, Adem Demaçin dhe Adem Jasharin. Ai ka thënë se përkujtimi i ngjarjeve të ’81-shit duhet të shërbejë si pikënisje për nxjerrje të konkluzioneve se si duhet të mobilizohen të gjitha energjitë kombëtare për të dalë sa më të fuqishëm nga procesi i globalizimit dhe integrimeve euroatlantike. Ai ka thënë se demonstratat studentore të vitit 1997 mund të krahasohen me ato të vitit 1981.
“Nëse ndonjë ngjarje mund të krahasohet me demonstratat që filluan studentët e vitit 1981, të cilat ia hapën rrugën realizimit të aspiratave të popullit shqiptar të Kosovës, atëherë demonstrata e studentëve, e mbajtur më 1 tetor të vitit 1997, është pikërisht ajo ngjarje historike që i dha një shtytje të fuqishme luftës çlirimtare të UÇK-së. Kjo protestë nxori në skenë udhëheqësit e rinj të lëvizjes studentore (Albin Kurtin, Muhamet Mavrajn e Bujar Dugollin)”, ka thënë Mahmuti.