Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ka shqiptuar dënim me tre muaj burgim dhe 200 euro gjobë me kusht, për të akuzuarin për veprën penale “asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, Shaban Berisha.
Dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën njëvjeçare, i akuzuari Berisha nuk kryen vepër tjetër penale.
Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi Mizahir Shabani, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Berisha, ka thënë se ndihet fajtor për veprën të cilën e ka kryer dhe pendohet për rastin që i ka ndodhur.
Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh se është i gjendjes së dobët ekonomike, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.
Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurorja Mone Syla, pasi sipas saj, një veprim i tillë, bazohet në provat që gjenden në shkresat e lëndës.
Gjykatësi Shabani, të akuzuarin e ka obliguar që t’i paguajë edhe shpenzimet procedurale në shumën prej 30 euro në total.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 19 shkurt 2019, ndaj Shaban Berisha, duke e ngarkuar atë me veprën penale “asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri më 2 shkurt 2019, në mënyrë të kundërligjshme asgjëson apo e bënë të papërdorshëm pasurinë tjetrit.
Në aktakuzë thuhet se dëmtimi ka ndodhur në atë mënyrë që i akuzuari në fshatin Zoqishtë të Rahovecit, pikërisht në vendin e quajtur “Fusha e Petkut”, duke punuar me ekskavator dëmton pllakën përkujtimore të dy gazetarëve serbë të zhdukur më 1 gusht 1998, të njëjtën e heq dhe e zhvendos nga aty diku 20 metra larg vendit ku ishte e vendosur.
Me këtë veprim, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, nga neni 333 paragraf 3/1 të KPRK-së.
Ndryshe, gazetarët Gjuro Sllavuj dhe Ranko Periniq, ishin zhdukur më 21 gusht të vitit 1998, afër Rahovecit, ndërsa, pllaka përkujtimore ishte vendosur nga OSBE-ja, në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve Serbë. /BetimipërDrejtësi