34.3 C
Prizren
E enjte, 21 Gusht, 2025

Dënohet zyrtari i gjendjes civile i fshatit Piranë

Zyrtari i gjendjes civile në fshatin Prianë të Komunës së Prizrenit, Zenel Elshani, është dënuar me 2500 euro gjobë, pasi është shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi paraprakisht kishte arritur marrëveshja për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Elshani, i cili akuzohej se kishte regjistruar shtetasin e Republikës së Shqipërisë, Ylber Hotin gjoja se kishte lindur në Landovicë, e pastaj kishte lëshuar certifikatën e shtetësisë dhe vërtetimin me të cilin Hoti kishte fituar shtetësinë e Kosovës, kishte nënshkruar marrëveshje për pranimin e fajësie me prokurorin Feti Tunuzliu, më 15 shkurt 2018.

Sipas kësaj marrëveshje, Elshanit i ishte propozuar që ndaj tij të shqiptohej një dënim unik me burg deri në gjashtë muaj, ku do t’i llogaritej edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.

Ndërsa, pas aprovimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë, nga ana e gjykatëses Naime Jashanica, i akuzuari Elashni është dënuar me pesë muaj burgim efektiv, mirëpo ky dënim me pëlqim të të akuzuarit është shndërruar në dënim me gjobë në vlerë prej 2500 euro.

Ndryshe, Elshani pavarësisht që ishte zyrtar i gjendjes civile në fshatin Piranë të Prizrenit, aktakuza ndaj tij ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, për shkak se sipas avokatit të tij, Esat Gutaj, pasoja e veprimeve ka qenë në Prishtinë, për arsye se gjendja themelore e regjistrave është në kryeqytet.

Sipas aktakuzës së ngritur nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 23 shkurt 2018, i akuzuari Zenel Elshani pretendohet se sa ishte në cilësinë e zyrtarit të zyrës së gjendjes civile në Prianë të Prizrenit, kishte keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Elshani thuhet se më 2 nëntor 2017, kishte regjistruar shtetasin e Shqipërisë, Ylber Hotin gjoja se i njëjti kishte lindur në Landovicë dhe pastaj kishte lëshuar edhe një certifikatë të shtetësisë me çka Hoti kishte përfituar statusin e shtetasit të Republikës së Kosovës.

Në bazë të kësaj, Elshani thuhet se në dokumentin zyrtar në librin amzë të të lindurve kishte shënuar të dhëna të rrejshme për Ylber Hotin duke i shënuar se ai kishte lindur më 30 qershor 1984 edhe pse i njëjti kishte lindur më 20 janar 1984, ndërsa këto të dhëna ishin shënuar më 2 nëntor 2017, e në fund ishin paraqitur se janë shënuar më 5 nëntor 1985.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “falsifikim i dokumentit zyrtar’ nga neni 434 i KPK-së./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Vjehrri rrah nusen në Rahovec

Një grua në Rahovec ka njoftuar policinë se ka pësuar dhunë nga vjehrri i saj. Sipas raportit policor, viktimës i është ofruar ndihmë mjekësore dhe...

Drini i Bardhë përforcohet me sulmuesin 19-vjeçar, Hamz Fetoshi

Drini i Bardhë ka njoftuar afrimin e ri në skuadër, sulmuesin 19-vjeçar Hamz Fetoshi. Fetoshi, i cili së fundmi luante për Lirinë, ka kaluar edhe...

Lajmet e Fundit