23.8 C
Prizren
E enjte, 21 Shtator, 2023

Deponimi i dinjitetit

Ditar Kabashi

Bën ftohtë. Temperaturat sillen nën zero gradë. Flokët e borës janë shtrirë mirë e mirë sipër pullazeve. Veturat ecin më ngadalë për t’u siguruar nga ndonjë fatkeqësi. Këmbësorët hedhin hapa me kujdes të shtuar. Shpesh edhe rrëshqasin. S’do mend, jo me vetëdashje si dikur në fëmijëri. Ndokush edhe mund të thotë se këto janë fare të natyrshme për muajt e dimrit në vendin tonë.

Ka disa net që një mik i imi shkon në njërin nga bankomatet e shumtë në qendër të qytetit për të kontrolluar në mos ka dalë pensioni i prindërve të vet. Pa qëllim, më rastisi ta shoqëroj rrugës dy herët e fundit.


Rrugicat janë me ngricë. Por jo më të akullta se zemrat e ngrira të të kamurve që nuk ngrohin xhepin e hallexhinjve. Mbrëmjeve, pothuaj të boshatisura. Por jo më të shkreta se shpirtrat e vobektë të udhëheqësve të pasuruar. Shumë gjëra mbesin të freskëta në mjedise të ftohura. Por jo edhe ndërgjegjja.


Sonte, miku im u gëzua kur pa se në llogarinë bankare të të atit gjendej shuma e mezi pritur. Shpejt dhe me entuziazëm nga aparati tërhoqi kartelën dhe të hollat që mund t’i bënte hesap edhe një pionier fillorist me matematikën e tij.

Unë, që bëja sehir në largësi prej afro dy metrash, u turpërova prej ngazëllimit të tij. Duhet të skuqemi të gjithë, ndoshta. Më së tepërmi, shteti ynë. Veçan, ata përgjegjës që e sollën gjendjen sociale në pikën ku ndihet gaz edhe për të ardhurat minimale.

I tronditur, sot e atë natë, një pyetje ma bluan kokën: për të nxjerrë para nga ky bankomat, mos vallë u dashka të deponohet dinjiteti?

Konkurs për çmimin letrar mbarëkombëtar “At Gjergj Fishta”

Bashkia Lezhë, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, nën kujdesin e veçantë të kryetarit të bashkisë Lezhë,...

Specialja ua vazhdon paraburgimin Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit

Fillimi i nëntorit do të shënojë përvjetorin e tretë të arrestimit të katër prej ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E kur kjo kohë...

Lajmet e Fundit