10.9 C
Prizren
E shtunë, 10 Maj, 2025

Dëshmitari: Familja Përteshi është paragjykuar në kohë të luftës si familje spiunësh

Haki Përteshi, të enjten, ka dhënë dëshminë e tij në gjykimin për krime lufte ndaj Remzi Shalës nga Suhareka.

Përteshi gjatë deklaratës së tij të dhënë para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prizren, ka thënë se familja Përteshi është paragjykuar ne kohë të luftës si familje spiunësh.

Ai ka rrëfyer një rast kur në një mbledhje të UÇK-së, gjatë organizimit të luftës dhe punëve që duhej bërë, viktima Haxhi Përteshi ishte paraqitur vullnetar që me traktorin e tij ti bartë ushtarët, por ai ishte refuzuar nga personi i njohur si Xhemë Kapedani.

Dëshmitari ka shtuar se gjatë luftës ata ishin organizuar si roje nate dhe se në natën kur ishte marrë viktima Haxhi Përteshi, kishin ardhur dy makina me ushtarë të UÇK-së dhe u kishin thënë të gjithë rojeve nga familja Përteshi që të largohen sepse ata do të vazhdojnë të bëjnë roje.

Ai ka thënë se një ditë pas ngjarjes ka ardhur në dyqanin e tij Hajdar Çatani, i cili i kishte thënë “e mori nipi, dajën” kur ky kishte pyetur se çfarë domethënie kanë këto fjalë, ai ia kishte sqaruar se Xhemajlia e ka marrë Haxhi Përteshin. Ai po ashtu i kishte thënë se Haxhisë ia kishin vendosur plisin në fytyrë, duke ia mbuluar sytë.

Po ashtu, ka deklaruar se kur ai së bashku me fshatarët tjerë kishte gjetur kufomën e të ndjerit Haxhi Përteshi, ai kishte shkuar në shtabin në fshatin Grejqevc, aty kishte takuar Xhemë Kapedanin, të cilit i kishte thënë të lajmëronte djalin e të ndjerit Agron Përteshi se babai ia kanë vrarë. Xhem Kapedani e kishte pyetur se çka po dëshirojnë të bëjnë me trupin e të ndjerit, ky i ishte përgjigjur që dëshirojnë ta varrosin, ndërsa Xhemë Kapedani ia kishte kthyer me fjalët “a guxoni me varros a”.

Haki Përteshi ka thënë se këto fjalë të Xhemë Kapedanit i ka kuptuar hapur si një kërcënim se do të ndëshkohen ata që marrin guxim ta varrosin, mirëpo ky ia kishte kthyer me fjalët “pse a me lan me hangër qentë e sorrat a”.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, ka ndërprerë shqyrtimin, ndërsa ky dëshmitar do ta vazhdojë dëshminë e tij nesër më 27 tetor, në ora 09:00.

Remzi Shala akuzohet nga Prokuroria Speciale se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

Sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babanë e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Dragashi nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për dorëzimin e gjobave të komunikacionit përmes postës

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, priti sot në takim drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, Faton Alija, dhe komandantin e...

Koncerti i parë i Bryan Adams në Tiranë, mbi dy orë me hite dhe emocione të fuqishme

Bryan Adams një nga artistët më me ndikim dhe me disqet më të shitur të të gjitha kohërave, me llojin e tij të rok-ut...

Lajmet e Fundit